Mohimi i masakrës së Reçakut nga Vuçiqi, reagon Ambasada e Britanisë: Ngjarja e Reçakut është dokumentuar

Ambasada e Britanisë së Mashe në Kosovë, ka reaguar ndaj deklaratave dhe debateve të fundit, pas mohimit të masakrës së Reçakut nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë serbë, gjë që ka nxitur reagime të krerëve të institucioneve shtetërore në Kosovë, por edhe atyre ndërkombëtare.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ditë më parë ka thënë se masakra në Reçak ishte e trilluar.

Lidhur me këtë deklaratë, reagimet dhe debatet që janë bërë pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

“Mbretëria e Bashkuar mbështet deklaratat nga Bashkimi Evropian, PSSP i Kombeve të Bashkuara dhe të tjerët, si përgjigje ndaj komenteve të fundit që mohonin ngjarjet e mirë dokumentuara që kanë ndodhur në Reçak, në janar të vitit 1999”, thuhet në deklaratë, përcjell Telegrafi.

“Përfaqësuesit nga të gjitha palët kanë përgjegjësi që të përmbahen nga retorika e dëmshme dhe provokative, që është mosrespektuese ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, dhe dëmton mundësitë për pajtim dhe kthimin në dialog. Ne presim që institucionet gjyqësore në Prishtinë do të ndjekin procesin e duhur në trajtimin e të gjitha çështjeve në mënyrë transparente, pa paragjykime etnike”, thuhet në deklaratën e ambasadës britanike.

Të përkujtojmë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ditë më parë e ka quajtur të tmerrshëm faktin që ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, Ivan Todosijeviq u dënua me dy vjet burg për shkak se kishte thënë se “masakra në Reçak ishte e trilluar”.

Madje, Vuçiq edhe vetë ka thënë se edhe vet e përsërit se “ishte një krim i fabrikuar” dhe pyeti “a do të na dënojnë të gjithëve për këtë?”.

Ndaj kësaj deklarate të Vuçqit, kanë reaguar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, drejtues institucionesh dhe përfaqësues të partive politike në vend.

Gjithashtu, ndaj deklaratve dhe debateve lidhur me këtë çështje kanë reaguar edhe presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Ambasada e SHBA në Kosovë, BE, përfaqësuesi OKB në Kosovë dhe ambasada të tjera në Kosovë. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS