Eko Higjiena

Mogherini: Qeveria e Kosovës të tërheq taksën, nuk pranojmë kufij me ndarje etnike

/ 2 minuta lexim

Shefja për politikë të jashtme të BE-së, Federica Mogherini i ka bërë sërish thirrje Qeverisë së Kosovës që të tërheq taksën prej 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja.

Ajo ka thënë se kjo taksë paraqet vështirësi sa i përket procesit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Duke folur rreth dialogut, Mogherini përmendi edhe çështjen e ndryshimit të kufijve ku theksoi se nuk mund të ketë ndarje të vendeve në baza etnike.

”Ajo çfarë është relevante për BE-në, dhe çfarë ishte e qartë që nga fillimi, rezultatet që do t’i përshëndesnim, do të ishin rezultatet që i adresojnë dhe trajtojnë të gjitha çështjet sa i përket normalizimit të marrëdhënieve, në kuptimin që të respektohen ligjet ndërkombëtare të BE-së, dhe më lejoni në mënyrë specifike të theksoj të mos ketë ndarje etnike në mes vendeve, dhe që edhe në të ardhmen të mos ketë tendencë për zhvillimin e bisedimeve në vija etnike”, ka thënë Mogherini, transmeton Telegrafi.

Mogherini theksoi se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë gjithëpërfshirëse , që do të zgjidhte të gjitha çështjet sa i përket normalizimit të marrëdhënieve, të gjitha pa përjashtime.

RCCOLA

Mogherini porositi të dyja vendet se është “në përgjegjësinë e tyre e ardhmja e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve”.

“Ne atyre iu ofrojmë ndihmë, hapësirë dhe këshilla, por është në anën e tyre të përcaktojnë shpejtësinë dhe rezultatin e dialogut” ka thënë Mogherini.

Këto deklarata ajo i bëri pas takimit të sotëm të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian. Shefat e diplomacisë se vendeve anëtare të BE-së, diskutuan për situatën në Ballkanin Perëndimor, por pjesën më të madhe të kohës biseduan për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së kanë konkluduar se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit është i bllokuar, konfirmoi pas takimit, ministrja e Jashtme e Kroacisë, Marija Pejçinoviq Buriq. /Telegrafi/