Modernizohet Llovca

Gjilan – Fshati Llovcë tashmë ka një infrastrukturë moderne, ka rrugën e asfaltuar, ujësjellësin, kanalizimin, varrezat e rregulluara ndërsa i mungon vetëm një ambulancë thotë Nuhi Xhelili.
Asfaltimi i rrugës Pograxhë – Llovcë po shihet si një shpresë e mirë që ky vend të gjallërohet dhe të popullohet me qytetarë që para shumë vitesh e kanë braktisur këtë fshat raporton rajonipress.
Vlera e investimeve në rrugën e gjatë 4.7 km dhe e gjerë 5.5 metra ka kapur shifrën e 470 mijë eurove.
Nuhi Xhelili aktivist i fshatit nga PDK-ja thotë se asfaltimi i rrugës veç sa e ka lehtësuar jetën e banorëve që jetojnë në këtë fshat, por edhe të atyre që tentojnë të kthehen në shtëpitë e tyre.
Xhelili tha se rruga është meritë e Qemajl Mustafës dhe e Ministrisë së Infrastrukturës. “Llovca aktualisht e ka ujësjellësin, kanalizimin dhe rrugën dhe na mungon vetëm edhe një ambulancë” tha Xhelili.
Xhelili tha se asfaltimi i rrugës ka nxitur shumë banorë të këtij fshati që ndodhen në Gjilan të kthehen në vatrat e tyre.
Edhe Shabi Azemi aktivist nga LDK-ja tha se rruga Pograxhë – Llovcë është njëri nga projektet më të mira të institucioneve tona. “Rruga ka zgjidhur shumë probleme dhe meritor mbetet Lutfi Haziri i cili atëherë përmes Hashim Thaçit ka ndikuar që të fitohet ky projekt” tha Azemi.
Fshati Llovcë dikur (para luftës ) i ka pasur mbi 56 shtëpi të banueshme. Por kushtet e rënda të jetesës dhe rruga e dëmtuar ka detyruar shumë familje që të braktisin fshatin dhe të vendosen në qytet. Aktualisht Llovca i ka 27 shtëpi të banueshme.
Edhe, Ibrahim Shabani mërgimtarë në Zvicër thotë se ka katër vite që e viziton vendlindjen dhe ka bërë disa investime në kopsht dhe shtëpi. “Kur po e shoh këtë rrugë të asfaltuar mua po më ngjallen shpresat se fshati do të gjallërohet me njerëz. Ne duhet t`i kthehemi punës e arave që kanë mbetur shkretë. Rruga jam i sigurt se do të jetë një shtytje për ato familje që kanë migruar në Gjilan e që tani kanë parakushte për të jetuar edhe në Llovcë” shprehet Shabani.
Edhe Behxhet Mehmeti mësues në këtë fshat tha se asfaltimi i rrugës është lajmi më i mirë në jetën e tij. “S`ka gëzim më të madh dhe vërtet nuk di si ta përshkruaj. Unë kam udhëtuar më parë edhe në këmbë deri në Pograxhë , por tani janë plotësuar kushtet që të jetojmë e punojmë më lehtë dhe më mirë” tha Mehmeti./rajonipress/