Uji Dea

Modelja që po i rendit sukseset

/ 4 minuta lexim

Orgesa Hoxha është modelja e cila po thyen tabu në fushën e modelimit, e cila çdo herë e më shumë po sjell risi. Së fundi Orgesën e kemi parë në billborde të kryeqytetit me rastin e realizimit të revysë së kreatores së njohur Blerina Kllokoqi – Rugova, ku Orgesa ka qenë imazh i kësaj revyje. Suksesin më të madh Orgesa na bën të ditur se e ka arritur në “photoshoting-un” e parë të realizuar në Nju-Jork për disenjatoren amerikane, Sherri Hill.

Pas këtij suksesi të madh që ka pasur Orgesa, dyert në fushën e modelizmit i janë hapur edhe më shumë dhe kështu që tani sot ajo njihet si një modele mjaft e suksesshme. Por ajo thotë se nuk kënaqet me kaq, edhe më tej do të punojë në këtë drejtim. Në intervistën dhënë “Zërit” ajo tregon për punën dhe planet e saj për të ardhmen.

– Orgesa, modelimin e filluat jo rastësisht?
– Fusha e modelizmit më ka pëlqyer gjithmonë, në fakt edhe kur kam qenë shumë e vogël kam pasur një lloj simpatie për modelet e njohura. E mbaj mend para pesë viteve ishte hapur një konkurs për modele që për momentin nuk më kujtohet kush e kishte hapur por unë konkurrova dhe fitova. Në realitet dëshira m’u plotësua, të vazhdoj më tutje dhe një mbështetje dhe shtytje për të vazhduar më tutje kam pasur edhe nga familja dhe shoqëria të cilët më kanë nxitur të merrja pjesë nëpër evenimente të ndryshme dhe ja falë tyre unë jam këtu ku jam sot.

– Sa ka qenë sfiduese kjo punë për ty?
– Kam bërë shumë sfilata dhe ‘photoshoting’ falë të cilave edhe e kam arritur suksesin. Fotografitë e para të këtilla i kam bërë në Nju-Jork për disenjatoren amerikane Sherri Hill që është e njohur edhe këtu tek ne nga fotografi i njohur, Fadil Berisha. Pastaj nuk kam pasur të ndalur. Këtu në Kosovë kam sfiluar për Blerina Kllokoqi Rugova, Krenare Rugova, Flutra Dedinja etj. dhe po ashtu do ta veçoja fotografin Shenoll Zehri i cili më ka ndihmuar mjaft shumë në këtë drejtim. Pra mund të them se puna ime në modelizmin ka qenë mjaft sfiduese, dhe në fakt vazhdon të jetë ende sfiduese.

– Së fundi keni qenë imazh i revysë së Blerinës, si ju shkoi kjo revy?
– Në realitet unë e Blerina punojmë pothuajse qe katër vjet bashkë dhe çdo vit Blerina na sjell diçka të re në trend, përveç fustaneve që i bën, ajo sjell edhe risi edhe në mënyrën ku ne sfilojmë. Vlen të ceket p.sh. kjo e fundit që ishte në tren. Kjo ishe sfilata më interesante që jam paraqitur deri më tani sepse ka qenë një enterier më ndryshe se sa të gjitha sfilatat e tjera që i kam pasur deri më tani.

Uji Dea

– Orgesa, me çfarë merreni jashtë modelizmit?
– Unë jam studente e Universitetit AAB, drejtimi banka financa kontabilitet. Kohën më të madhe e kaloj edhe atje, dhe studimet janë primare për mua, ndërkaq modelizmin mund të them se e kam një hobi.

– Na trego diçka për jetën private?
– Të them të drejtën nuk më pëlqen shumë të flas për jetën private sepse preferoj ta ruaj vetëm për vete, por ajo që mund ta them është se nuk jam e dashuruar. Kam një motër, një vëlla dhe prindërit që i dua shumë. Kohën e lirë zakonisht e kaloj duke lexuar.

– Libri i fundit që keni lexuar?
– Librin e fundit që kam lexuar është “Mos e vrisni mendjen për gjëra të vogla” nga Richard Carlson.

– Merreni me ndonjë aktivitet sportiv?
– Sporti më pëlqen shumë, por nuk merrem me ndonjë aktivitet sportiv ngaqë nuk kam edhe shumë kohë.

– Dëshira juaj në të ardhmen?
– Dëshiroj që sa më shpejt të përfundoj fakultetin, të regjistrohem master dhe do Zoti të gjej një punë me drejtimin që jam duke e kryer dhe të bëhem një bankiere e suksesshme.(zeri)