Modelimi, profesion që më pëlqen

Modelizmin e kishte ëndërruar në moshën e fëmijërisë, por ishte pikërisht mosha 15 vjeçe kur Amina Shena u ngjit pistave të modës për të përmbushur gradualisht ëndrrën e kamotshme.
Tani ajo është 20 vjeçe, është pjesë e agjencionit të modës “Iconagency” dhe në të ardhmen synon të arrijë edhe më shumë suksese në fushën e modës. Ndërkaq sa i përket jetës private, ajo vazhdon të jetoj ditët më të lumtura të dashurisë me të fejuarin e saj repistin Lazy. Në intervistën dhënë “Zërit” flet për punën, jetën dhe planet e saj.
– Cila ka qenë sfida më e madhe që të ka përcjellë gjatë karrierës suaj si modele?
– Nuk kam pasur ndonjë sfidë në veçanti, por duhet të kesh vetëbesim dhe dedikim si modele. Në fakt ballafaqohesh me shumë ngarkesa, udhëtime dhe orë të gjata sfilata e fotografime.
– Momenti më i mirë gjatë kësaj periudhe?
– Gjatë kësaj periudhe kam pasur momente të mira sidomos gjatë pushimit veror që e kalova në plazh. Kjo verë do të jetë njëra nga verat më të mira që i kam pasur deri më tani.
– Je bezdisur ndonjëherë nga modelimi ?
– Jo nuk jam bezdisur dhe s’besoj se do bezdisem ndonjëherë sepse është një profesion që më pëlqen shumë. Mbase për faktin se shumë e vogël kam nisur të merrem me të, ende po e shijoj periudhën sikur të nisë sot, sepse asnjëherë nuk më mërzitet.
– Cila ka qenë paga më e mirë që e ke marrë deri më tani në modelizëm?
– Paga më e mirë ka qenë 2000 euro.
– Mendoni se është lehtë të bëhesh modele në Shqipëri?
– Jeta e modeleve në Shqipëri ndryshon shumë si në aktivizimin e modeleve si dhe sfilatave ose seteve të fotove. Jashtë që të jesh një modele duhet të zbatosh disa kritere, ndërsa këtu mjafton të duash të bësh disa fotografi pastaj të ndërhysh me photoshop në to dhe menjëherë bëhesh modele.
– Modelet shpeshherë hasin në mosmarrëveshje me kompani të ndryshme, mbase shumë herë mund edhe të zhgënjehen, a jeni përballur ju me ndonjë rast të tillë?
– Për fat të mirë deri më tani nuk kam hasur në ndonjë mosmarrëveshje me asnjë kompani apo agjenci e modës. Shpresoj që edhe në të ardhmen të vazhdoj kështu duke mos pasur probleme të tilla me askënd.
– Mendoni se ky profesion mund të rrezikohet nga konkurrenca?
– Në fakt po, sepse dita-ditës shtohen modele të reja. Por unë deri më tani nuk e kam ndjerë veten të rrezikuar nga konkurrenca, sepse secila nga ne e ka punën dhe fansat e vet.
– Si qëndron jeta sentimentale e juaja?
– Ka tre vjet që jam e fejuar me repistin Lazy. Vazhdoj t’i jetoj ditët e lumtura të dashurisë sikur të jenë një ditë. Pra 3 vjet që kam lidhur fejesën me Lazyn më duken sikur që tre ditë. Uroj që kështu të vazhdojmë përgjithmonë.
– Cili është pasioni juaj?
– Atëherë përveç fotografive të cilat i kam pasion që e vogël më pëlqen të pikturoj.
– Cila është ajo këngë që këndoni përherë kur jeni në dush?
– Është pikërisht kënga “1 në 1 milion” që i fejuari im ma ka kushtuar mua. Këtë këngë e këndoj gjithmonë kur jam nën dush.
– Merreni me ndonjë aktivitet të lirë sportiv?
– Po merrem, sepse të jesh modele duhet t’i kushtosh rëndësi edhe formës së trupit. Unë dy herë në javë frekuentoj palestrën.
– Cilat janë vetitë e mira dhe jo të mira tek vetja jote?
– Vetitë e mira janë thjeshtësia që më bënë të ndjehem mirë, ndërsa veti jo e mirë do të thosha gjumi, jam një gjumashe e madhe dhe kjo s’më pëlqen aspak tek vetja.
– Tiparet fizike që pëlqen tek vetja?
– Tek vetja më pëlqejnë sytë dhe ngjyra që kanë. Ndërsa kohëve të fundit kam filluar të shtoj pak në peshë dhe kjo nuk po më pëlqen fare prandaj edhe kam nisur më shumë të merrem me fitness.
– Ke menduar për të ardhmen tënde?
– Kam menduar edhe pse në fakt nuk do të doja ta mendoja, sepse më mirë është që gjërat të rrjedhin vetë pa menduar dhe pa bërë plane për të ardhmen.