Fundamenti

Modeli i dy Gjermanive sikur modeli i dy Serbive!

/ 10 minuta lexim
Hidromorava

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Marrëveshja përfundimtare, me e pranuar, pa e lexuar: Në opinion doli një konceptletër se si dukej, në vija të trasha marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë e që, për bazë e kishte modelin e dy gjermanive. Ky propozim u publikua, me një paralajmërim, nga Albanian Post pas së cilës filloi një fushatë linçuese kundër Baton Haxhiut ndonëse nuk kishte asnjë përgjegjësi për këtë propozim. Ky model u emërtua si propozim franko – gjerman duke e konsideruar si një mundësi të artë për Kosovën anipse zgjidhjen përfundimtare e zhvendosë në një të ardhme, fillimisht duke paraparë hipotetikisht se njohja nga Serbia mund të ndodhë pas 10 viteve nëse në ndërkohë nuk ndryshon situata.

Në këtë propozim asgjë dhe asnjë çështje nuk zgjidhet në formë të prerë por lëndëzohet (sipas kryeministrit), i cili, fillimisht e mohoi se ka një propozim të tillë sikur edhe presidentja e kryeministrit Kurti, Vojsa Osmani e cila, pas një kohe e pranoi se qenka një propozim i tillë dhe se: “çdo propozim që vjen nga BE-ja dhe SHBA-të duhet të trajtohet me seriozitet …”.

Kryeministri Kurti, nëse dikush do të vdiste nga serioziteti i tepruar, me mohimin e këtij propozimi që emisarët e Francës dhe Gjarmanisë ia lanë mbi tavolinë, sigurisht se nuk rrezikohej nga vdekja politike. Rezervat për këtë propozim shkonin në favor të atyre që deklaronin se SHBA-të ende nuk janë deklaruar dhe se, pa ta, as specat nuk mund t’i shtimë turshi! E ky është preokupimi kryesor i shtetasve të Kosovës në këtë vjeshtë! Pas këtij propozimi oportunist dhe pragmatist, jo për të zgjedhur problemin por për ta konservuar (shti në turshi) për një afat, së paku 10 vjeçar, për fillim, u shtuan vizitat e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, që nga mashtruesi dhe rrenci, Mirosllav Lajçak i cili, më shpesh po takohet me kryeministrin Kurti se me gruan e tij, kolegia e tij sipas bindjeve politike dhe shpërfytyrim të së vërtetës, Viola von Kramon, pastaj Gabi Eskobar (me mbiemër të frikshëm që domnosdoshmërisht duhet të respektohet) e deri te fosilet politike sikur puna e Ishingerit.

Madje, nga një harresë plotësisht absolute në skenë u paraqit, jo për para por për ta ndihmuar Kosovën edhe ish-zëdhënësi i NATO-s, Xhimi Shi thuaja se ka qenë ekspert për zgjidhjen e problemeve globale e, në fakt ishte një daullexhi i NATO-s, disi si daulexhinjtë e kryeministrit të Kosovës, Përparim Manxhuka dhe Arlind Kryeziu. Në çfarë derexhe ka rënë Kosova që ka mbetur në duar të injorantëve të vendit si puna e Besnik Muçiverces dhe sufleres së Ministres për Punë të Jashtme, dhe fosileve politike si Baresha Ashton Federika Tortelini, Josip Borrell, Wolfang Petriç dhe mumie tjera nga piramidat e interesit material. Mbetjet e mumieve f (p)aranoike të diplomacisë evropiane që aktivizohen për vendet e lodhta e që kanë të theksuar impotencën politike dhe diplomatike! Opozita kosovare, në stilin e një adoleshenti po vepron sipas parimit: “ku rafsha, mos u vrafsha..” duke mbrehur dhëmbët që, pas dështimit eventual të qeverisë Kurti 2 (jam i sigurt se nuk do të ketë asnjëherë më Kurti 3), të gostitet me mbetjet e kësaj qeverie e që, për mua është gabim i madh politik dhe strategjik. Se si janë duke shkuar proceset, qeveria Kurti 2 nuk ka gjasa të rrëzohet nga ndërkombëtarët kurse opozita, edhe nëse i siguron numrat, nuk është e gatshme ta rrëzojë pushtetin dhe të marrë përgjegjësi për marrëveshjen përfundimtare. Opozita është e bindur se, nëse Kurti e nënshkruan një marrëveshje të pafavorshme (dhe nuk ka gjasa të nënshkruhet një marrëveshje e favorshme me një trashëgimi të marrëveshjeve paraprake), do të ndahet e palagur sikur Krishti kur i ra përmes liqenit. Opozita duhet ta ketë të qartë se asnjë marrëveshje përfundimtare nuk do të nënshkruhet pa e futur opozitën brenda kuadrit, me dëshirë apo me dhunë diplomatike, nuk është aspak me rëndësi. Pastaj, jam i sigurt se qeveria aktuale nuk do ta refuzojë asnjë marrëveshje, të shkuar apo të re, vetëm se kërkon një ambalazhim përkatës që e ruan përmbajtjen për mashtron me ambalazhim e që duket se është diçka e re, për dallim nga të vjetrat. Do të përpiqet që propozimet e “shkatërruesve të shtetit” t’i zëvendësojë me propozimet e “Shpëtimtarëve të shtetit”! Figurativisht duan që rrotën ta vendosin mbi bajgë në atë mënyrë që të mos e ndajë proporcionalisht por që 99.99 për qind e bajgës së përgjegjësisë ta lënë kah opozita dhe vetëm 0.01 për qind kah “shpëtimtarët”.

Me çdo marrëveshje Serbia do të përfitojë kurse Kosova duhet ta gjejë një mënyrë që sa më lehtë dhe sa më padhimbshëm t’i menaxhojë humbjet. Ashtu është puna. Përrallat e von Kramon se propozimi franko – gjerman është mundësi e mirë për Kosovën dhe se nëse nuk pranohet ky propozim, propozimi i radhës mund të jetë më i keq është shantazh klasik dhe vazhdimësi e politikës së Angela Merkelit, tash kancelarit Sholc që asgjë të mirë nuk i solli Kosovës kurse Serbisë miliarda dhe miliarda euro investime. Ju kujtohet, lexues të nderuar se më parë këshilltari i Merkelit pati propozuar që komunat veriore, përkatësisht asetet ekonomike të menaxhohen në një periudhë 20 vjeçare nga një bord ndërkombëtar (ku do të përfshiheshin një rus dhe një kinez) dhe, pas kësaj periudhe qytetarët do të vendosnin me referndum se me kend duan të jetojnë! Shqiptarëve të Kosovës, me Kushtetutën e kriminelit juridik, Mati Ahtisari i mohohet e drejta për deklarim përmes referendumit! Propozimi i dy gjermanive është shkatërrimtar për Kosovën në planin afatgjatë duke e margjinalizuar, deri në mohim dhe shpërbërje këtë strukturë dhe mbindërtim të brishtë shtetëror. Në variantin më të mirë, pasi ta demolojnë Kosovën, mbetjet territoriale do t’i bashkoheshin Shqipërisë.

Kosova ka nevojë për zgjidhje radikale dhe të qëndrueshme të problemit me Serbinë duke u ndarë njëherë e mirë nga ky shtet që asnjëherë nuk do ta lë të qetë Kosovën, sidomos nëse e nënshkruani një marrëveshje të përkohshme dhe të afatizuar. Rrethanat janë kundër Kosovës, lufta në Ukrainë e ka forcuar shumë Serbinë duke e vendosur në pozitë inferiore Kosovën përkundër angazhimit të madhe të kryeministrit dhe presidentes në vendosjen e të gjitha sanksioneve të mundshme Rusisë. Ballkani fuqishëm po kthehet në kthetrat e forcave nacionaliste që e përkrahin Rusinë dhe Putinin; në Bosnje është fuqizuar shumë Dodiku, në Mal të Zi, me pëprkrahje të pamoralshme të esatpashëtoptanit proserb, Terr Abazoviq, u rikthyen forcat proserbe, në Maqedoni të Veriut po forcohet shumë partia e Gruevskit dhe në zgjedhjet e ardhshme do të fitojë bindshëm kurse në Serbi, Aleksandar Vuçiq është bërë më i fuqishëm se Sllobodan Millosheviqi.

Uji Dea

Ndërkombëtarët, si prakikë dhe pragmatikë që janë, përkundër kundërshtimeve të buta, do të detyrohen të luajnë me këta lojtarë, ndonëse e kanë të qartë përkatësinë dhe orientimin politik të tyre. Kosova do të mbetet si një qengj i metilavtë në mesin e ujqve pro rusë. Kot e keni ta përkrahni Ukrainën kur nuk jeni në gjendje ta mbroni Kosovën. Presidentja po dekoron gratë ukrainase duke e barazuar këtë dekor me Çmimin Saharov kurse kryeministri Kurti fillimisht sillej me Zielenski se vet Zielenski por se nuk po vishet si ai. Overdoza e përkrahjes në kohën kur askush nuk të pyet për asgjë dhe, madje të përqeshin është e bezdisshme, të shndërron në karikaturë dhe në leshko! Për fat të keq! Modeli i dy gjermanive ka përfunduar me një bashkim të pashmangshëm të një vendi të ndarë dhunshëm e që indikon se modeli i dy gjermanive që po i propozohet Kosovës, në një mënyrë apo tjetër do të krijojë një lidhje varshmërie të Kosovës ndaj Serbisë, nën maskën e një shteti të pavarur dhe sovran. Prandaj, duhet të refuzohet, pa asnjë mëdyshje!

10 muaj vazhdim pë tabela, hajgare poshtëruese: Qeveria e Kosovës edhe më heret e ka zhvendosur afatin për konvertim të tabelave me shpresë që pas ftesës publike të kryeministrit Kurti në gjuhën serbe, më duket edhe të Xhelalit, serbët do ta përmbushin këtë detyrim ligjor dhe qytetar, menjëherë! Tash, pasi, sipas palës kosovare janë konvertuar vetëm 15 regjistrime kurse sipas Vuçiqit vetë tre, “miqtë” ndërkombëtarë kanë sugjeruar – urdhëruar që ky afat të zgjatet në 10 muaj. Filloi me Eskobarin, pastaj edhe sekretari Blinken e përsërit e mos të flasim për mashtruesit e Brukselit, Lajçak dhe Borrell, e kush jo tjetër. Edhe opozita kosovare ishte në një linjë me ndërkombëtarët kurse kryeministri Kurti dhe presidentja e kryeministrit, Vojsa Osmani e kundërshtuan këtë duke mos pranuar këtë propozim. Gjërat nuk po më duken aspak të qarta aq më parë që në rast kur sekretari Blinken ka biseduar me kryemininistrin Kurti me telefon, i pari që e ka dhënë lajmin ishte pikërisht kryeministri, me një entuziazëm të pamatur. Tash, ta refuzosh këtë, thjesht nuk e kapë koka: ose është një skenar, tekstin e të cilit nuk e kemi, ose, ose, ose… asgjë nuk ka prej kësaj pune.

Pavarësisht kësaj, tensionim të situatës mund të ketë vetëm nëse ndërkomkbëtarët duan këtë për një situatë tjetër politike dhe përkufizim territorial. Mendoj se janë kërkuar 10 muaj duke planifikuar që deri atëherë të formohet Zajebnica të cilës, si shtet në shtet do t’i kaloheshin përgjegjësitë e tabelave, në mes të përgjegjësive tjera shtetërore.

Asnjë zgjidhje nuk do të ketë sukses nëse nuk kemi pranim reciprok kurse Serbia nuk është në gjendje ta bëjë këtë në kohën kur propozimi franko – gjerman në asnjë variant nuk e sugjeron këtë njohje, madje as që e vendosë kusht për arritje të një marrëveshjeje përfundimtare. Pastaj, 10 vjet janë të gjata dhe pas kësaj kohe askush nuk do të merret më me Kosovën! Këtu është rreziku dhe hilja e madhe e propozimit franko – gjerman!