“Moda” e keqpërdorimit të veturave zyrtare

Keqpërdorimi i veturave zyrtare gjatë fushatave elektorale jo vetëm që është bërë “modë” nga qeveritarët tanë, por “zbarkimi” i tyre në komuna për të “vjelë” ndonjë “kokërr” do të reflektojë shumë në punën e institucioneve shtetërore.
Një rrugë e dy punë, kjo është praktika që aplikohet në çdo kohë fushate zgjedhore nga liderët partiakë, ministra e deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Analistët politikë konsiderojnë se fenomeni i zbarkimit të zyrtarëve të shtetit nëpër komuna e mëhalla për të bërë fushatë partiake do të ndikojë shumë në punën e institucioneve. Njohësi i rrethanave politike, Behxhet Shala, ironizon me drejtuesit institucionalë, duke thënë se kanë filluar fushatën elektorale para disa muajsh dhe se tashmë janë në mbarim e sipër.
“Të gjithë shfrytëzojnë mundësinë nga ato logjistike, vetura, karburante, shofer…etj., kinse duke e kryer punën e institucioneve bëjnë fushatë elektorale për subjektin e vet politik. Fushata elektorale, pra tash është agjenda kryesore e secilit prej tyre dhe mund të them se ata qysh moti i kanë lënë anash punët e institucioneve, duke u marrë me fushatë, duke filluar nga kryeministri, zëvendëskryeministra, ministra, zëvendësministra, deputetë… etj.”, ka thënë Shala…. (“Zëri”)