RCCOLA

Mjeku nga Kosova që emigroi dy herë

/ 13 minuta lexim
Eco Higjiena

Mbaron mjekësinë në Prishtinë, emigron në Gjermani, ku specializoi në Mjekësinë Interne dhe ku pastaj punoi disa vite si kryemjek. Në vitin 2013, dr. Xhafer Sadiku emigron së dyti, kësaj radhe nga Gjermania në Zvicër

Nga Osek Hyla e Gjakoves në Gjermani

Dr. Xhafer Sadiku, i cili u lind në Potok-Molliq, shkollimin fillor e vijoi në Skivjan dhe atë të mesëm në Gjimnazin e Gjakovës, Mjekësinë e studioi në Prishtinë, në Universitetin e Kosovës. Pas diplomimit, në vitin 1994, dr. Xhaferi kthehet prapë në Gjakovë për ta vazhduar stazhin e mjekut në Qendrën Spitalore “Isa Grezda”, meqë në spitalet tjera të Kosovës tanimë ishin vënë masat e dhunshme të regjimit të asaj kohe. Pas përfundimit të këtij stazhi, në fund të vitit 1995, Xhaferi dhe bashkëshortja e tij Fatlumja (inxh. e diplomuar e Bujqësisë dhe gjithashtu e pa punë) vendosën dhe emigruan në Gjermani.

“Edhe pse studiuam në një kohë shumë të vështirë dhe, në atë kohë, nuk e kishim asnjë fije shprese për punësim pas diplomimit, ne prap se prapë ardhmërinë tonë e shihnim vetëm në Kosovë. Vendimi për t`u larguar nga Kosova, i imponuar nga përkeqësimi permanent i situatës politike, ka qenë dhe do të mbetet një nga vendimet më të vështira të jetës sime”.

Kështu e fillon dr. Xhaferi tregimin për rrugëtimin e tij, jo edhe aq të lehtë, por shumë të suksesshëm profesional në Gjermani.

“Si për çdo emigrant tjetër edhe për ne, fillimi i jetesës sonë në Gjermani ishte mjaft i vështirë; fakti se as unë dhe as bashkëshortja e ime nuk kishim pothuajse fare njohuri në gjuhën gjermane, e bëri edhe më të vështirë këtë fillim. Për ti tejkaluar këto vështirësi dhe për ta plotësuar parakushtin themelor për fillimin e specializimit tim këtu, unë menjëherë e vijova një shkollim intensiv të gjermanishtes. Ky shkollim i imi vullnetar u prit mjaft mirë edhe nga enti për punësim në vendbanimin tonë dhe pati ndikim edhe në përshpejtimin e lëshimit të dokumentit të domosdoshëm për punësim, i quajtur “Leje Pune”. Posedimi i këtij dokumenti ishte shumë shpresëdhënës se unë shumë shpejt do të mund të punësohesha si mjek, ku edhe do ta filloja specializimin tim në lëmin e dëshiruar, në Mjekësinë Interne”.

Mirëpo dëshira e dr. Xhaferit për punësim të shpejtë si mjek në specializim u shndërrua në një ëndërr të vështirë për tu realizuar, meqë në fund të viteve të 90-ta në Gjermani nuk kishte mungesë të personelit mjekësor.

“Përkundrazi, unë shpejt e pata kuptuar, se në atë kohe ishin te papunë edhe shumë mjekë gjermanë dhe se edhe ata prisnin me muaj dhe vite për një vend specializimi ne drejtimin e tyre të preferuar”, sqaron Xhaferi dhe e vazhdon rrëfimin për sfiden e tij të re në Gjermani.

“Meqë per vitet në vijim pritej një rritje e kërkesës për mjekë në disa vende të Gjermanisë (sidomos të asaj lindore), unë vendosa ti mbetem besnik profesionit tim. Këtë vendim si edhe pjesëmarrjen time të rregullt në seminare dhe kurse të ndryshme të mjekësisë e bëri të mundur përkrahja e madhe e bashkëshortes sime, e cila tanimë kishte bërë një riorientim profesional dhe ishte punësuar në një department të radiologjisë në një spital të Franfurtit.

Në vitit 2001, derisa disa aplikime të mia për punësim në Gjermani ishin duke u shqyrtuar, unë u ktheva në Kosovë për të punuar përkohësisht pranë Qendrës Medicinale në Gjakovë, gjegjësisht në pikat e saj për mjekësi familjare në Cërmjan, Skivjan dhe Ponashec. Në ndërkohë mungesa e parashikuar e mjekëve u bë evidente edhe në Bavari dhe sidomos në rrethinën e Passaut, ku një shok i imi i studimeve, kolegu dr. Mehmet Gjihollaj ishte duke punuar si mjek në specializim. Falë ndihmës së Mehmetit, unë në fund të vitit 2002 u pranova si mjek në një klinikë rehabilituese (Klinik Bavaria) në Freyung, ku punova dy vite: vitin e parë në repartin geriatrik dhe në vitin e dytë në repartin onkologjik. Përvoja ime e punës këtu, sidomos ajo e fituar në Geriatri (ku trajtohen pacientë të moshuar me sëmundje të disciplinave më të ndryshme të mjeksisë, si: interne, ortopedike, dermatologjike, neurologjike, sociale etj.), ishte një parapërgatitje shumë e mirë profesionale për fillimin e specializimit tim në Mjekësinë Interne”.

Punën e tij si mjek në specializim dr. Xhaferi e vazhdoi në spitale të ndryshme akute në rajonin e Passaut, gjegjësisht në repartet e tyre të specializuara për diagnostifikim dhe trajtim të sëmundjeve të brendshme, duke filluar nga reparti për pranim dhe ai i Emergjencës dhe deri në repartin për trajtim intensiv të pacientëve. Ai këtë e përfundoi në vitin 2010, pas dhënjes së suksesshme të provimit të specializimit pranë “Odës së Mjekëve të Bavarisë” në Munih.

Me fitimin e titullit “Specialist i Mjeksisë Interne”, apo internist dr. Xhaferi e realizoi qëllimin e tij profesional të definuar qysh në kohën e studimeve në Kosovë. Se arritja e këtij qëllimi nuk ishte përfundimi, por fillimi i synimeve profesionale te Xhaferit, shpjegon tregimi i tij në vazhdim.

“Pas përfundimit të specializimit unë deri në vitin 2011 vazhdova të punoj si internist në spitalin ku kisha punuar në tri vitet te fundit të specializimit tim, i quajtur: Kliniken des Landkreises Passau, në Vilshofen. Nga fillimi i vitit 2011 dhe deri në fillim të vitit 2013 unë kam punuar si kryemjek internist në qendrën spitalore “Kliniken des Landkreises Freyung-Graffenau”, saktësisht në spitalin e Freyung-it. Unë këtu kam punuar ne departmentin e sëmundjeve të brendshme dhe isha kryemjeku përgjegjës për repartin e Intensives Interne, të pranimit dhe Emergjencës si edhe për kabinetin e diagnostikës (Ehokardiografi, Sonografi dhe Endoskopi). Përveq kësaj, ne vitin 2012 unë e morra përsipër edhe detyrën e zëvendës shefit të repartit geriatrik të këtij spitali. Për ta përmbyllur përvojën time edhe në lëmin e Geriatrisë (rëndësia e së cilës po rritet me rritjen e numrit të popullsisë me moshë shumë të shtyrë) unë në vitin 2012 e kam vijuar një studim të mëtutjeshëm në këtë drejtim, të organizuar nga Oda e Mjekëve në Austri. Këtë studim e kam përfunduar në fund të vitin 2013 me dhënien e provimit të Diplomës për Geriatri dhe Mjekësi Paliative, në Vjenë”.

Kur është fjala për angazhimin e dr. Xhaferit si mjek në Gjermani, gjegjësisht në rajonin e Passaut të Bavarisë, duhet përmendur edhe interesi dhe angazhimi i tij shumë i madh në lëmin e Mjekësisë së Urgjencës.

“Krahas punës sime spitalore në këtë lëm, unë për më tepër se pesë vite me radhë kam punuar edhe pas orarit të punës (sidomos në fundjavët dhe ditët e lira) si mjek kujdestar i qendrës së emergjencës për rajonin Passau-Vilshofen. Sipas statistikave të bëra, nga viti 2008 dhe deri në vitin 2013 unë i kam kryer mbi 1000 intervenime në rastet më të ndryshme që i njeh Mjekësia e Urgjencës. Ndër këto raste radhiten edhe shumë intervenime për shpëtimin e jetës dhe deri tek rastet me reanimim dhe stabilizim të pacientëve ne vendin e ngjarjes (p.sh. pas fatkeqësive të rënda të komunikacionit) dhe dërgimin urgjent të tyre në qendrat adekuate për trajtimin të mëtutjeshëm. Në lidhje me këtë, unë dua ta theksoj se në Gjermani sistemi i intervenimit urgjent mjekësor është i organizuar me të vërtetë shumë mirë. Ky organizim, gjegjësisht mjetet transportuese tokësore (autoabulanca) dhe ajrore (helikopterët) me paisje mjeksore që të ofrojnë kushte për intervenim mjekesor, (gati) si në një repart spitalor të urgjencës, e bëjnë të mundur që pacientëve të ju ofrohet ndihma e nevojshme profesionale mbrenda pak minutash”.

Edhe përvojën e tij shumë vjeqare si mjek urgjence dr. Xhaferi e kurorëzoj me titullin subspecialistik “Mjek i Urgjencës”. Për këtë ai e dha provimin adekuat në Munih të Bavarisë. Këtu përfundon edhe tregimi i dr. Xhaferit për sfidat dhe arritjet e tij profesionale në Gjermani. Edhe pse Xhaferi dhe bashkëshortja e tij në Passau e ndjejnë veten si në një vëndlindje të dytë, ata në fillim të vitit 2013 emigruan në Zvicër.

KKVITI

Nga Bavaria e Gjermanisë në Solothurn të Zvicrës

Edhe në fundin e vitit 2012 Xhaferi dhe bashkëshortja e tij Fatlumja u gjendën para një ndryshimi të madh në jetën e tyre; i inspiruar nga tregimet e shefit te tij të athershëm, për përvojën e tij në Zvicër, edhe Xhaferit i kishte lindur dëshira e tij e madhe, për të bërë përvoj profesionale në ndonjë spital të Zvicrës. Marrjen e këtij vendimi e bënte të vështirë fakti se Fatlumja sapo ishte pranuar të punonte si asistente në Universitetin e Passaut, ku ajo i studioj Shkencat Kompjuterike. Mirëpo, duke e ditur se në Zvicër jetojnë edhe shumë familjar të tyre dhe të bindur se këtu do të ndjiheshin si në Kosovë, ata në Mars të vitit 2013 u shpërngulën nga Passau i Bavarisë në Solothurn të Zvicrës.

Falë përgatitjes së tij shumë të gjerë profesionale dhe referencave shumë të mira nga të gjitha spitalet e Gjermanisë, në të cilat dr. Xhaferi kishte punuar, ai në Zvicër u ftua për prezantim dhe u pranua në të gjitha spitalet e Zvicres, në të cilat kishte aplikuar si kryemjek internist.

“Krahas dëshirës sime për të qenë pjesë e grupit punues te Profesor dr. Martit, në vendimin tim që të punoj në Bürgerspitalin e Solothurnit ka ndikuar shumë edhe ngjashmëria e qytetit të Solothurnit me atë të Passaut, ku ne i kaluam 10 vite të jetës”, sqaron Xhaferi për albinfo.ch

Në Bürgespital të Solothurnit dr. Xhaferi punoi gati dy vite si kryemjek në repartet e ndryshme të Departamentit për Mjekësi Interne, ndër to edhe në repartin e intenzives, atë të kardiologjisë dhe të urgjencës. Pas përvojës së tij profesionale në këtë spital dhe njoftimit të mirë me sistemin e shëndetësisë zvicerane, i cili i ka specifikat e veta të veqanta – krahasuar me sistemin gjerman, dr. Xhaferit i lindi ideja që ta hapte një ordinancë private në Zvicër, pra për një përvojë të re të tij profësionalë dhë jëtësore.

I lumtur per realizimin e shpejtë të këtij projekti të përbashkët me bashkëshorten e tij, ai në vazhdim rrëfen edhe për shkaqet e vendimit të tyre, për hapjen e ordinancës në, apo afër qytetit të Cyrihut.

“Kushtet per punën e mjekëve më ordinance private ishin shumë të volitshme edhe në kantonin e Cyrihut. Por shkaku kryesor që na ka shtyrë ne, të vendosim për ta kërkuar një ordinancë në qytetin ose rrethinën e Cyrihut ka qenë dëshira e jonë e madhe për të jetuar afër Liqenit te Cyrihut. Në realizimin e blerjes së shpejtë të një ordinance në këtë regjion më ka ndihmuar shumë edhe Fatlumja; ajo e mori përsipër kryerjen e pothuajse të gjitha punëve të ndërlidhura me këtë projekt, të cilat unë, për shkak të orarit tim shumë të gjatë të punës në spital, nuk kisha fare mundësi për t`i kryer”.

Nga 1 janari 2015 me Ordinancë Private në Thalwil të Cyrihut

Punën si mjek i pamvarur në ordinancen e tij private dr. Xhaferi e filloi në janar të vitit 2015. „Fakti se unë me blerjen e kësaj ordinance, përveç një numri të madh të pacientëve të kolegut paraprak, e trashëgova edhe organizimin e tij shumë të mirë të proceseve të punës në këtë ordinancë, e lehtësoi shumë fillimin tim si mjek i pavarur“, shprehet dr. Xhaferi pa dilema dhe vazhdon:

„Jam shumë i lumtur që e bëra këtë hap; në punën time të përditshme në këtë ordinancë me një infrastrukturë shumë funksionale (laborator, barnatore, rentgen, ultrazë etj) dhe të adminstruar në mënyrë plotësisht elektronike, unë e ndiej një kënaqësi shumë të madhe. Këtë kënaqësi e bën edhe më të veçantë puna me pacientë me prejardhje nga të gjitha kontinentet dhe kulturat e ndryshme (nga me se 75 nacione) të Botës. Fakti se një numër i madh i këtyre pacientëve (15 – 20%) janë me prejardhje nga trojet e ndryshme shqiptare, më bën shumë të lumtur dhe më lë të shpresoj se mua disi po më jepet rasti, që sadopak t`ia kthej borxhin vendlindjes sime.

Krahas infrastrukturës me standarde bashkëkohore, punën time profesionale e bënëtë mundur edhe puna shumë cilësore e asistenteve të mia: Tamara Jost (asistente e përhershme) si dhe Leonora Smaili dhe Aurela Shabani (asistente në shkollim).

Punën time e lehtëson edhe Fatlumja, e cila krahas punës së saj profesionale në lëmin e Informatikës së Mjekësisë në Spitalin Universitar të Baselit, në ordinancë është përgjegjëse për të gjitha punët që kanë të bëjnë me adminstrimin, kontabilitetin dhe IT-infrastrukturën e ordinancës“.

Kontributin e dr. Xhafer Sadikut në shëndetin e popullatës së rajonit të Zimmerbergut (duke filluar nga parandalimi dhe diagnostifikimi i sëmundjeve e deri te trajtimi adekuat i pacientëve me qëllim të shërimit apo lehtësimin të vuajtjeve të tyre nga sëmundjet e prekura) e mundëson edhe bashkëpunimi i tij i ngushtë me kolegë të fushave të ndryshme, të punësuar qoftë në ordinanca specialistike, qoftë në klinika apo spitale private dhe universitare të Cyrihut dhe rajonit.

Në fund vizitës sonë në ordinancën „Praxis Xhafer Sadiku“ në Thalwil, ne po ndahemi nga dr. Xhaferi, të bindur se ky mjek kosovar në regjionin e Liqenit të Cyrihut po ofron shërbime mjekësore të cilësisë së lartë, të bazuara në standardet dhe udhëzimet më bashkëkohore të shkencës së mjekësisë.

Mjeku nga Kosova që emigroi dy herë