Mjekët të pandëshkuar për gabimet e tyre

Gabimet mjekësore në Kosovë ende nuk raportohen në nivel institucional. Krijimi i Odave Mjekësore përmes mekanizmave të tij pritet te merret edhe më ketë çështje. Ndryshe në Evropë brenda një viti raportohen rreth 8 milionë persona për gabime mjekësore.
Pothuajse çdo shtet, brenda sistemit shëndetësor evidenton raste të gabimeve mjekësore te pacientët. Më pas shifrat raportohen dhe shumë gabime mjekësore diskutohen në nivelin e ekspertëve shëndetësorë dhe varësisht nga natyra e rastit ato edhe gjykohen.
Në Kosovë, nuk është jetësuar ende një sistem i tillë. Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani thotë se deri më tani kanë munguar mekanizmat të cilët do të merreshin me këtë çështje.
“Mendoj se duhet të qartësohet kjo, nuk kemi pasur mekanizma, p.sh Institucioni i Prokurorit të Odës nuk ka ekzistuar asnjëherë. Kush do të jetë prokuror? Do të jetë dikush nga komuniteti mjekësor që do të merret me këto paraqitje. P.sh del një lajm për shembull rasti që përmendët ju (rasti kur pacientit gjatë operimit i harrohen fashat brenda), Prokurori i rastit e ka për detyrë me reagu, menjëherë pa e prit ankesën e qytetarit. Dhe, unë mendoj se mjekët do të jenë në nivel të detyrës”, thotë Agani, transmeton RTK.
Shumë prej dobësive që kanë ekzistuar në ushtrimin e profesionit mjekësor kanë qenë rezultat i një sistemi anakronik, i cili ka lejuar që të maskohen gabimet dhe përgjegjësia të mos jetë qartë e adresuar, thotë ministri Agani. Sipas tij, funksionimi i Odave Mjekësore do të rregullojë edhe këtë çështje.
Ndryshe Hysni Bajrami, kryetar i komisionit qendror zgjedhor për odat e profesionistëve i ka thënë Radio Kosovës se me funksionimin e odave dhe organeve të tyre janë paraparë edhe sanksione për mjekët.
“Odat kanë të gjitha organet duke filluar nga gjykata e nderit, prokurori i cili ka për obligim t’i bëjë denoncimet dhe të vlerësojë shkallën e përgjegjësisë dhe në këtë kuptim janë paraparë sanksione”
Verifikimi i gabimeve mjekësore të mëdha si pasojë e të cilave pacienti mund të ketë vdekur është i vështir pa autopsinë e trupit, thonë mjekët në QKUK. Deri më tani, në shumë raste familjarët nuk japin pëlqimin që trupi i pajetë t’i nënshtrohet autopsisë pasi atyre tu jetë konfirmuar vdekja. Por, me urdhër të prokurorit, autopsia mund të bëhet edhe pa pëlqimin e familjarëve. /Telegrafi/