Eko Higjiena

Mjekët dhe mësimdhënësit kanë dhe nuk kanë të drejtë të kërkojnë rritjen e pagave

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Sinan Sadiku – Favorizimi i kategorive të ndryshme që marrin pagë nga buxheti i Kosovës dhe diskriminimi i të tjerëve ka shkaktuar pakënaqësi e cila do t`i thellojë edhe më tepër problemet. Është krijuar një atmosferë e cila i ka nëpërkëmbë parimet morale dhe humane, duke e krijuar krizën e sistemit të vlerave. Shtrohet pyetja a kanë të drejtë të kërkojnë t`u rriten pagat mjekët dhe punëtorët arsimorë?

Krahasuar me pagat e disa kategorive të të punësuarve nuk kanë të drejtë, derisa krahasuar me pagat e disa kategorive të tjera kanë të drejtë. Pra edhe kanë edhe nuk kanë të drejtë! Gjendja tani është kështu: nëse punësohen dy juristë, njëri në shërbimin civil e tjetri në shkollë si ligjërues (profesor) i lëndëve juridike, ai që është punësuar në shkollë i ik me pagë këtij që është punësuar në shërbimin civil afërsisht 150 euro! I pari paguhet rreth 300 euro, ndërsa i dyti rreth 450 euro!

Më shumë se një i punësuar në shërbimin civil me fakultet të kryer merr pagë një motër medicinale me shkollë të mesme të kryer, një zjarrfikës apo polic. Të mos flasim për daktilografet që punojnë në sistemin e drejtësisë, sepse ato paguhen sa një menaxher që punon në shërbimin civil! Janë këto absurditetet të cilat i kemi në “sistemin” e pagesave të atyre që marrin pagë nga buxheti i Kosovës, të cilat absurditete nuk ekzistojnë askund në botë ku ka shtet!

FIDANISHTJA

Deri tani tregova se krahasuar me disa kategori mjekët dhe punëtorët arsimorë nuk kanë të drejtë të kërkojnë rritjen e pagave. Të njëjtit nuk kanë të drejtë edhe po të krahasohen me kolegët e tyre të rajonit. Por, nëse i krahasojmë pagat e mjekëve dhe të mësimdhënësve me pagat e prokurorëve, të gjykatësve, të të punësuarve në disa agjenci, në PTK, RTK, KEK, qeveri, pastaj të të punësuarve në FSK dhe të disa të tjerëve që marrin paga pa punuar fare; mjekët dhe mësimdhënësit kanë të drejtë, madje kanë shumë të drejtë të kërkojnë rritjen e pagave.

Pajtohem plotësisht se paga e kirurgut duhet të jetë sa paga e një prokurori apo gjykatësi edhe në kushtet kur punët kryhen si është më së miri nga të dy palët. Deri tani pak më mirë i kanë kryer punët kirurgët se prokurorët, e besa edhe se gjykatësit. E kam fjalën për dukurinë jo për përjashtimet.

Kosova duhet ta ketë një sistem të pagave, nëse jo më të mirë, atëherë bile në nivel të shteteve të rajonit. Tani jemi shumë larg tyre. Favorizimet dhe diskriminimet sjellin pakënaqësi, trazira, revolta dhe kuptohet kërkesa të cilat edhe janë edhe nuk janë të arsyeshme!/rajonipress/