ARKATANA

Mjaft më!

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Enis Veliu – Opozita me veprimet e saja të dhunshme në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës përfundimisht tregoi se nuk është e gatshme që të bisedojë me pozitën për të dalë nga kriza politike që ka kapluar institucionin më të lartë të shtetit.

Me përdorimin e gazit lotsjellës dhe të spërkatësit neutralizues këta përfundimisht treguan se nuk do të tërhiqen derisa Qeveria e Kosovës nuk e tërheq nënshkrimin nga Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi dhe krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Por edhe këta të fundit (liderët e dy partive kryesore në vend) treguan qartë se nuk do ta bëjnë një gjë të tillë, nuk do t’iu nënshtrohen kërkesave të bllokut opozitar.

Ashtu sikurse në seancat e tjera opozita me veprimet e saj pamundësoi të martën mbajtjen e seancës në sallën e seancave, edhe pse pikë e vetme e rendit të ditës ishte shqyrtimi i buxhetit për vitin 2016.

Seanca vazhdoi në një sallë të improvizuar, diku në një qoshe të Kuvendit, ku dhe u miratua në parim buxheti i shtetit për vitin që vjen.

Opozita nuk është dashur të përdorë dhunë, por është dashur të japë kontributin e saj në seanca duke dhënë argumentet e tyre, pasi që buxheti është i qytetarëve i jo pushteteve.

Si duket deputetët e Kuvendit të Kosovës po harrojnë se kanë marrë votat nga qytetarët për t’i përfaqësuar ata, për t’ua sjellë të mirat duke ua përmirësuar kushtet në infrastrukturë e në shërbime publike, por nuk ua kanë dhënë atyre votat për të djegur vetura zyrtare, për të demoluar objekte zyrtare apo edhe dëmtuar vetura private siç ka ndodhur të martën në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Edhe qasja e institucioneve shtetërore karshi veprimeve të opozitës në të shumtën e rasteve ka qenë joprofesionale, por edhe nxitëse për veprime të dhunshme të bllokut opozitar.

Para një kohë jo të gjatë Policia e Kosovës e arrestoi ish-liderin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në hyrje të Çagllavicës gjersa ky ishte duke u kthyer në Prishtinë nga një vizitë ndërkombëtare.

ARKATANA

Në momentin e arrestimit Policia pati konfirmuar se prangosja e tij është bërë me kërkesë të Prokurorisë. Por, çuditërisht pas pak kohësh ky arsyetim rezultoi të jetë i pavërtetë.

Rreth pesë orë pas arrestimit, Policia u detyrua ta lërë të lirë Kurtin pas presioneve të shumta që kishin nga protestues të dhunshëm, ku këta të fundit (protestuesit) brenda një kohe relativisht të shkurtër demoluan qendrën kryesore të Prishtinës.

Nënshtrimi i Policisë karshi kërkesave të protestuesve përfundimisht krijoi një standard të ri në drejtësinë kosovare.

Me këtë veprim ata që e arrestuan dhe më pas ata që e liruan treguan shumë qartë se liria arrihet me dhunë e jo duke zbatuar ligjet e Republikës së Kosovës.

Nëse Kurti apo kushdo tjetër që të jetë ka shkelur ligjin ai duhet të përballet me drejtësinë në gjykatë e jo me veprime të dhunshme në rrugë e sheshe, duke dëmtuar pronën publike dhe atë private.

Përfundimisht pozita dhe opozita duhet të arrijnë marrëveshje për dalje nga kriza, pasi që faturën e dëmin që të dyja palët po e shkaktojnë po e paguajnë qytetarët e vendit.

Imazhi i shtetit çdo ditë e më shumë po zbehet si nga veprimet e dhunshme të opozitës, ashtu edhe nga veprimet, por edhe nga aferat e ndryshme të pozitës.

Me veprimet që këta po bëjnë (si pozita, ashtu edhe opozita) si duket po harrojnë se këta janë veç qytetarë e jo “pronarë” të shtetit. Kështu që lini inatet personale. Mjaft më!