Mobi Casa

Mjaft më prapambetjes në edukim!

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Nga Valdrin Osmani- Gjendja arsimore e shqiptarëve në Zvicër nuk është veçanërisht e mirë. Shumë prej tyre, krahasuar me zviceranët, janë të arsimuar më dobët. Predispozitat e tyre të dobëta për edukim çojnë në këtë rezultat. Për këtë arsye, duhen kërkuar potencialet e përmirësimit.

Konkretisht, nevojitet një stimulim më i fokusuar për shqiptarët. Ajo që kërkohet është më shumë projekte promovuese dhe ndihma. Nga ana tjetër, te shqiptarët duhet ngritur më shumë motivimin. Shumë prej tyre i nënçmojnë shanset për arsimim. Veç kësaj, prindërit shqiptarë duhet të njihen më mirë me sistemin arsimor këtu. Fundja, edhe organizimi i shqiptarëve në fushën e edukimit është i dobët. Një rrjetëzim më i fortë i shoqatave do t`u jepte shqiptarëve mundësinë që të informohen lidhur me çështjet e arsimimit dhe të përfitojnë nga ndihmat që ofrohen në këtë drejtim.

Përse po e shkruaj këtë artikull

Gjendja jonë në fushën e arsimit nuk është veçanërisht frymëzuese. Ne, sa u përket performancës shkollore, rezultojmë dukshëm më keq, në krahasim me zviceranët. Unë, për të qenë i sinqertë, nuk kisha menduar kurrë më parë se ka një diferencë kaq të qartë në aspektin arsimor (me ta).

Në kuadrin e punimit të diplomës së maturës, unë pata më në fund mundësinë të punoja një punim shkencor lidhur me “Gjendjen arsimore të shqiptarëve” dhe që rezultatet t`i prezantoj në këtë artikull.

Shkaqet e rezultateve të dobëta ne lëmin e shkollimit

Disa statistika mbi gjendjen arsimore:

Në nielin e gjimnazeve : Vetëm 2% ( !) e të gjithë shqiptarëve ndjekin gjimnazin. Te zviceranët kjo kuotë është 20%.

Në shkallën sekondare II : Shqiptarët janë të përfaqësuar me rreth 50% në Sek B. Te zviceranët kjo përqindje është 33%.

Shkollat speciale

Çdo i teti shqiptar ndjek mësimet në një shkollë speciale. Shansi që një shqiptar të përfundojë në një shkollë speciale është 5 herë më i madh se sa i një zvicerani.

Pasoja: Mungojnë para së gjithash shqiptarët me arsimimim vërtetë të mirë. Niveli i dobët i arsimimit të tyre tregohet shpesh edhe në profesionin e tyre.

UBT

Një shkak i rëndësihëm për rezultatet e dobëta qëndron në faktin se shumica e prindërve shqiptarë kanë fare pak mundësi t`i cysin fëmijët e tyre për shkollim, pasi që ata shpesh janë vetë të pashkolluar. Për pasojë, ekziston rreziku që fëmijët të realizojnë një karrierë po ashtu të ulët shkollore sikurse prindërit e tyre. Kështu, mund të thuhet, se nga punëtorët e ndërtimtarisë do të dalin punëtorë të ndërtimtarisë. Faktorët ekonomikë luajnë po ashtu një rol ndërsa mangësitë gjuhësore sjellin pasoja negative në pothuaj të gjitha fushat. Në të vërtetë, rastet kur nxënësi shqiptar diskriminohet nga arsimtari janë të rralla. Por, janë ndërkaq fare të mundshme vlerësimet e gabuara të performancës.
Megjithatë, ka edhe mundësi që gjendja arsimore të përmirësohet.

Çfarë mund të bëjnë politika arsimore dhe zviceranët

Autoritetet shkollore ofrojnë shpeshherë ndihma të ndryshme për mësim dhe kurse të gjuhës. Por, shumë nga këto shërbejnë vetëm për të arritur nivelin bazë. Shqiptarët ambiciozë, që duan të shkojnë në gjimnaz dhe kanë nevojë për mbështetje, nuk mund të shpresojnë pothuajse fare për oferta të përshtatshme. Oferta të tilla të thuash nuk ekzistojnë. Së këndejmi, motoja është e qartë: Shanset për edukim të mirë duhet të rriten. Më e rëndësishmja është që shqiptarët e talentuar të fitojnë atë cytje që në shtëpitë e tyre nuk mund ta marrin. Konkretisht, mund të startohet me projekte të shumta promovuese, me kërkesa të një niveli të lartë (1) ose me financimin e orëve plotësuese.

Shokëve zviceranë të shkollës dhe prindërve u bie që shqiptarët t`i pranojnë në shoqëri, t`i ndihmojnë në problemet e mësimit. Ata, përmes ndihmesës së tyre mund t`ua reduktojnë dukshëm vështirësitë e shkollimit.

Çka duhet të bëjmë ne, shqiptarët e rinj

Të gjitha ofertat për promovim të edukimit, për ndihmat dhe modelet themelore teorike, për diskriminimin dhe për barazinë e shanseve, nuk sjellin asgjë në rast se mungon motivimi. I intervistuari im, Florim Cuculli, është vendosur në Zvicër si 14 vjeçar dhe megjithatë ka mbaruar studimet dhe sot është kryemjek. Është inteligjent? Ndoshta edhe po. Por, përcaktues për suksesin e tij ka qenë motivi i tij kolosal për të mbaruar një shkollim të mirë. Lidhur me motivimin, duket, mjerisht që ai (dr. Cuculli) të jetë një përjsashtim. Në hulumtimet e mia, çdo i katërti (!) shqiptar ka deklaruar se shkolla „nuk është aq e rëndësishme“ dhe se ndihmat e ofruara dhe ofertat stimuluese nga shkollat i kanë shfrytëzuar në masë fare të kufizuar. Nuk është e thënë që të gjithë ne të shkojmë në gjimnaz, por, qoftë edhe vetëm me vullnet dhe zell të shtuar, gjendja jonë arsimore do të duhej të ishte përmirësuar tashmë.

Prindërit që mbështesin

Ndonëse kishte vetëm pak prindër që ndihmonin në kryerjen e detyrave shtëpiake dhe në zgjidhjen e problemeve shkollore, ata ishin aktivë si forcë shtytëse dhe si ndihmesë në motivim. Unë e vlerësoj shumë mbështetjen. Por, ajo që unë e vlerësoj më pak, është e dhëna se shumë prindër nuk kanë njohuri për sistemin arsimor të Zvicrës. Ata i mbështesin fëmijët e tyre por nuk e dijnë pothuaj fare se çfarë efekti ka modeli i caktuar i shkollës. Veç kësaj, përcaktimi i objektivave shkollorë nuk është i mundur në këtë mënyrë. Për këtë arsye, pjesëmarrja në aktivitetet shkollore dhe kontakti i ngushtë me prindërit zviceranë është urgjentisht i nevojshëm dhe, si i tillë edhe duhet të perceptohet.

Lidhja dhe organizimi i dobët i shqiptarëve

Me gjithë faktin se në regjionin tonë me siguri nuk mungojnë shqiptarët, FABIA kërkon prej vitesh pa sukses shoqatat shqiptare me të cilat do të diskutonte mbi problemet shkollore të shqiptarëve. Organizimi në fushën e arsimit është aq i dobët sa që shumë shqiptarë detyrohen të shikojnë vetë se si të përballen me problemin e edukimit. Në këtë pikë ajo që kërkohet është një organizim më i afërt në fushë të arsimit. Nevojitet një pikë kontakti dhe ndihme për shqiptarët, ku fëmijët do të nxiteshin dhe prindërit e tyre do të informoheshin.

Ka shumë për t`u bërë

Edhepse viteve të fundit situata është përmirësuar dukshëm, nevojitet edhe shumë punë për vënien e gjërave në lëvizje. Për mua, thjesht ka rëndësi që ta hedhim tutje këtë letargji të lehtë të edukimit. Ne në Zvicër kemi shanse kaq të mira arsimimi dhe do të ishte dëm të mos i shfrytëzojmë ato. Nuk e konteston askush se për shqiptarët është dukshëm më e vështirë kryerja e një shkollimi cilësor, por e mundshme është megjithatë ! Në fakt hpesh herë mund të vlejë maksima : «Rruga është caku». Këtë ne e arrijmë duke marrë vetë iniciativa dhe duke nxitur e ndihmuar njëri tjetrin.