RCCOLA

Mjaft libra, pak lexues

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Blerësja dhe shitësi janë shtyrë goxha për pazarin e “Hajdutes së librit”. Çmimi prej 12 eurosh i është dukur i lartë lexueses. Librashitësi ankohej se nuk fiton shumë. Në fund libri përfundon në çantën e Margarita Merakut.

Por, Meraku (62) e ka pasur të qartë paraprakisht se çfarë dëshiron prej tezgës së njërit prej shitësve ambulantë të librave në qendër të kryeqytetit. Nuk i është dashur të shikojë shumë në mesin e librave para se t’i binte në sy kopertina e best sellerit të Markus Zusakut me “hajduten” bionde që shtrëngon një libër me dy duart për gjoksi. Meraku gjithnjë bart një libër në çantën e zezë, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Lexoj gjithkund ku më jepet mundësia. Ta zëmë, kur pres te mjeku”, thekson Meraku, administratore në Operën e Kosovës. Nuk i rastis të shohë shumë qytetarë që lexojnë libra nëpër hapësira publike.

“Këtu nuk shoh për shembull se lexojnë libra nëpër autobusë. Këtu shoh me telefona në dorë”, thekson Meraku, duke qeshur. Ajo mezi pret ta shfletojë “Hajduten….”, që gazeta prestigjioze amerikane, “Wall Street Journal”, e konsideron “një nga librat më të mirëpritur me vite nga të rinjtë”.

Shumë studentë, pak lexues

Eco Higjiena

Shumica absolute në 83 karriget në autobusin dykatësh të linjës Ferizaj-Prishtinë janë studentë që fillojnë ligjëratat prej orës dhjetë të paradites. Në autobus ka edhe studentë që mbesin në këmbë kur hipin prej stacioneve të fshatrave të Ferizajt e Lipjanit. Në të shumtën e rasteve, nuk sheh më shumë se dy-tre studentë që shfletojnë ndonjë libër a skriptë. I madh është numri i atyre me dëgjuese që zgjaten prej celularëve.

Tjetër përvojë ka pasur Meraku gjatë udhëtimeve në shtete evropiane, teksa ka udhëtuar me transport publik. “Nëpër vende të huaja kam parë që lexojnë”, thekson Meraku, që po ngutej të kthehej në vendin e punës pas pauzës së drekës.

Askush nuk ka shprehur asnjë përshtypje për “Hajduten e librit” në rubrikën e veçantë në uebfaqen “shtëpiaelibrit.com”, që e ka zbritur për 15 për qind çmimin e best sellerit numër 1 të gazetës “New York Times”.

Meraku vazhdon me qejf t’i qëndrojë besnike “së vjetrës”. Provoi kot t’i lexonte në internet shkrimtarët e preferuar. “Kam provuar, por nuk arrij të krijoj atë lidhjen si me libër në dorë. Më duket sikur po punoj kur lexoj online”, thekson ajo. “Nuk e mbërrij atë rehatinë që e kam kur e lexoj librin klasik”. Nuk është e kënaqur me shkallën e lexueshmërisë në mesin e të rinjve.

http://koha.net/?id=27&l=59814