Miti serb gjithë Serbinë e bën Kosovë
Prishtinë – “Sipas mitit serb për Kosovën e gjithë Serbia është Kosovë”. Kështu ka thënë profesori i letërsisë Enver Mehmeti, në ligjëratën e parë që është mbajtur të martën, në kuadër të Seminarit XXXI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare.
Pasdite në kuadër të organizimit më të madh të albanologjisë në vend, ka nisur edhe sesioni i referimeve. Gjashtë albanologë nga Serbia, Maqedonia, Rusia, Çekia e Bullgaria, kanë paraqitur rezultatet e tyre të fundit.
Paraditja është rezervuar për ligjëratën e Mehmetit, që ka folur për “Mitin serb të Kosovës”. Për më shumë se 30 minuta, Mehmeti ka folur për traditën gojore për ngjarjen që supozohet që ka ndodhur shtatë shekuj më parë, e që njihet si “Beteja e Kosovës”. Sipas tij, edhe serbët, edhe shqiptarët kanë traditën e vet gojore për betejën e Kosovës dhe kjo është krejtësisht e natyrshme. Por ato ndryshojnë dukshëm.
Ai ka thënë se tradita gojore shqiptare është thjesht folklorike, dhe i takon periudhës parakombëtare, prandaj nuk është e ngarkuar nga nacionalizmi, për dallim prej asaj serbe e cila nis në manastire, nga kallogjerët e murgjit serbë, kalon në epikën gojore në fillim të shekullit XIX, ndërsa kulmon me zgjimin kombëtar serb, e cila është e mbushur me frymën ekstreme nacionaliste, antishqiptare dhe ekspansioniste.
“Miti serb për Kosovën nis në manastire. Legjendat gojore nuk janë të popullit serb, por janë prodhim i strukturave udhëheqëse të manastireve”, ka thënë me bindje Mehmeti. E për këtë, sipas tij, ka pasur edhe një shkollë ku është kultivuar folklori. Përfaqësuesi më i denjë i saj ka qenë Vuk Karaxhiqi.
“Në gjysmën e parë të shekullit XIX, sidomos, por edhe gjatë gjithë këtij shekulli miti i Kosovës përhapet jo vetëm me anë të këngëve epike, përmes veprave letrare e historike, por edhe përmes aktiviteteve të tjera kulturore e arsimore”, ka thënë Mehmeti.
Ai ka thënë se shumë plane të Serbisë në frymën ekstreme nacionaliste, antishqiptare dhe ekspansioniste kanë pasur burimin në mitin e Kosovës.
“Miti serb për Kosovën, si projekt politiko-kulturor i elitës së kallogjerëve apo murgjve në manastire dhe inteligjencës serbe të shekullit XIX i patentuar mirë është krijuar për qëllime ekspansioniste, pushtuese ndaj Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare”, ka thënë Mehmeti. “Si i tillë ka krijuar fatkeqësi të mëdha jo vetëm për shqiptarët por edhe për vetë serbët”, ka shtuar ai.
Mehmeti ka thënë se në koalicionin e Ballkanit kundër osmanëve, prej 12 princave, 4 deri në 6 konsiderohet se kanë qenë me prejardhje shqiptare.
Anna Kapitanova, albanologe nga Bullgaria, ka bindjen se popujt e Ballkanit, përfshirë shqiptarët e bullgarët, kanë pasur edhe bashkëpunime që nga mesjeta. Ajo ka bërë një vizitë në fshatin Boboshticë, që gjendet në kufijtë jugorë të Korçës, ku është ruajtur gjuha “kaj nas” e që ajo e ka cilësuar si dëshmi të gjallë të bashkëjetesës midis sllavëve dhe popullit autokton.
“Sot ‘kaj nas’ praktikohet vetëm në 2 – 3 shtëpi. Cilit nëngrup të gjuhëve sllave i përket e folmja e Boboshticës, i mbetet ta gjejnë gjuhëtarët, por disa shqiptarë të fshatit përreth e quajnë bullgarçe. ‘Kaj nas’ folësit e konsiderojnë veten shqiptarë dhe nuk lidhin të folmen e tyre me asnjë gjuhë sllave”, ka thënë Kapitanova, teksa ka folur për festën “Rosica”, ritin “Dordoleci” dhe “Ditën e Verës” që dëshmojnë për karakterin pagan të jetesës së këtij komuniteti.
Çekja Orkida Borshi ka treguar për rilindjen e studimeve albanologjike në Universitetin e Karlit në Pragë. “Studimet Jugo-sllave me specializim për gjuhën shqipe” titullohet programi i ri i nivelit baçelor, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Karlit, ndërsa është duke pritur akreditim edhe për nivelin master.
“Tradita e mësimdhënies dhe punës shkencore në fushën e albanologjisë në Universitetin e Karlit themelohet në shekullin XIX nën drejtimin e linguistit të shquar J. U. Jarnik. Vazhdimësia e këtij projekti është herë pas herë e rrezikuar qoftë për shkak të ngjarjeve politike në Evropë, qoftë nga financimi i ulët i kësaj dege”, ka treguar Borshi. “Pas një ndërprerjeje të gjatë, ndodh që shqipja të rishfaqet në të njëjtin fakultet në periudhën e viteve ’50 të shekullit të kaluar”, ka shtuar ajo. Por kjo ofertë do të ndërpritej sërish në po atë vit, siç ka thënë Borshi, për arsye politike.
“Në vitet ’90 ripërtërihet studimi i gjuhës shqipe në Pragë, prapë për arsye politike, kësaj radhe në lidhje me konfliktin në Kosovë në atë periudhë”, ka thënë Borshi, për të nisur një raport të ri me shqipen në fillim të shekullit XXI, ku ajo është vendosur në të njëjtën shkallë me studimin e bullgarishtes, kroatishtes, rumanishtes, serbishtes e sllovenishtes.
Por në Rusi niveli i interesimit për shqipen ka shkuar në një nivel tjetër. Maria Morozova ka treguar se programi i kërkimeve fondamentale i Akademisë së Shkencave i Rusisë, ka financuar që të bëhet “Korpusi nacional i gjuhës shqipe”. Projektin është duke e kryer Universiteti i Sankt Petersburgut.
“Gjuha shqipe më parë nuk e kishte Korpusin e vet reprezentativ të pajisur me anotimin dhe me sistemin e kërkimit. Në vitin 2011 hapa të parë në krijimin e korpusit të tillë kanë bërë gjuhëtarët nga Moska dhe Sankt-Petersburgu”, ka thënë Morozova. “Për momentin në bazën tekstuale të Korpusit ka rreth 15 vepra letrare dhe publicistike”, ka shtuar ajo, teksa ka thënë se ai do të plotësohet vazhdimisht.
Gjorgje Bozhoviq, nga Universiteti i Beogradit, është marrë me “Theksin e fjalës në morfologjinë e shqipes: Teorinë metrike dhe atë të optimalitetit”.
“Përshkrimi gjuhësor i strukturës prozodike të gjuhës shqipe mbetet midis çështjeve ende të pazgjidhura në kërkimet e sotme të morfologjisë së shqipes. Vendosja e theksit të fjalës në gjuhën shqipe në literaturën albanologjike zakonisht merret si një fenomen fonetik, i parregullt dhe i paparashikueshëm”, ka thënë Bozhoviq. Merima Krijezi dhe Irena Manovska i kanë specialitet parafjalët në gjuhën shqipe. Kjo e dyta është marrë me parafjalën “nga”, “ne”, “mbi” dhe “në” duke i parë ato nga komponenti i vendit, kohës, mënyrës dhe krahasimit, me gjuhën maqedonase.
E Merima Krijezi ka folur për parafjalët në gjuhën shqipe dhe në atë serbe. Sipas saj, sa do që të jetë i gjithëmbarshëm përkufizimi i kuptimit të parafjalës me tendencë që të përfshijë sa më shumë kuptime të saj, edhe në gjuhën shqipe edhe në serbishte, përkufizimi kurrë nuk është i gjithëmbarshëm plotësisht.
“Pa marrë parasysh nuanca në përkufizimin e parafjalëve, të gjitha përkufizimet, që kemi hasur gjatë studimit të tyre në gjuhën shqipe dhe serbishte, kanë emërues të përbashkët theksimin se parafjala përfaqëson pjesë të pandryshueshme të ligjëratës”, ka gjetur ajo. Ajo ka thënë se parafjalët janë njësi gramatikore që në të dyja gjuhët paraqesin një fushë shumë interesante dhe pjellore.
“Bukurinë dhe stilin e të shprehurit me gojë ose me shkrim të një personi e plotësojnë parafjalët, përdorimi i saktë i tyre, si edhe kombinimi i tyre me fjalë të tjera”, ka bindjen Krijezi. (koha)