Mitchell: BE të shtojë presionin, Kosovë-Serbi përfundon me njohje

/ 2 minuta lexim

Ish-ndihmës sekretari i shtetit në administratën e Donald Trump, Wess Mitchell ka folur për zhvillimet në Kosovë dhe Serbi.

Zgjidhjen e problemit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit e sheh me njohje nga Serbia dhe 5 vendet e BE-së.

“Të gjithë e dimë se pa njohje nuk do të ketë hapa të Kosovës drejt OKB dhe as hapa të Serbisë drejt BE. Në aspekt afatgjatë nuk është në interes të askujt që Serbia të varet nga ndihmat europiane, kur njëkohësisht ka lidhje të forta me Rusinë dhe Kinën për energji, dhe që Kosova të mbetet një ekonomi e varur nga ndihmat e huaja dhe remitancat”, u shpreh ai.

Duke pasur parasysh situatën në Ukrainë, diplomati amerikan thotë se Ballkani Perëndimor mund të jetë në rrezik për destabilizim.

Uji Dea

“Është e qartë që Vladimir Putin mund të krijojë paqëndrueshmëri në Ballkanin Perëndimor. Por mendoj se lufta në Ukrainë ka krijuar mundësi për një diplomaci shumë më kreative dhe shumë më agresive në rajon. Mendoj se Vuçiq është mbështetur pas muri dhe ka më pak linja varësie të mbështetjes ruse sesa nga e kaluara. Kjo mund ta shtyjë atë që të jetë më konstruktiv, por nevojitet që Perëndimi të bëjë më shumë presion”, theksoi Mitchell.

Megjithatë, Mitchell nuk pret një kthim të shpejtë të Serbisë nga Perëndimi.

“Serbia është e njohur për lojën e balancimit me të gjitha palët – Rusinë, Kinën, BE-në, SHBA-në, kjo është një lojë e vjetër dhe shumë e njohur. Ajo që mund të them me besim të plotë është se Serbia nuk ka të ardhme të qëndrueshme përveç se me Perëndimin. Rusia nuk është një treg i qëndrueshëm për Serbinë në të ardhmen afatgjatë. Mendoj se serbët e dinë këtë”, deklaroi ai në një intervistë për Euronews Albania.