Fundamenti

“Miss Malësia” me prejardhje amerikane!

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Elizabeta Pllumbi, 15 vjeç, është kthyer në rrënjët e veta.Thuhej kahera se malsia i ka çikat e bukura, ndaj edhe për t’i nxjerrë edhe më shumë në pah tiparet e strukura diku thellë në lugina malesh, ndonjë vendas largpamës dhe i dhënë pas estetikës nuk është mjaftuar duke i parë aty-këtu ndonjë vajzë nga krahina që merr pjesë në ndonjë konkurs bukurie, por ka vendosur ta çojë drejt e në zemrën e veriut një konkurs bukurie; në Razmën turistike të rrethit të Shkodrës u zhvillua para pak ditësh “Miss Malësia 2014”, ku morën pjesë 25 vajza të zonës; të gjitha të bukura si “orët e maleve” do i përshkruante Fishta, por kurora e më të bukurës ndër të bukurat iu dha një amerikaneje.

Një amerikane në oborrin e mbretërimit malësor që kishte udhëtuar nga Bronx i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë aty, në konkursin mes natyrës.

Megjithëse gjuhën shqipe e flet me vështirësi e po aq vështirësi has në të kuptuar kur i flasin, Elizabeta 15-vjeçare e di mirë se është kthyer në rrënjët e veta, për të përfaqësuar atë bukuri që megjithë distancat e largëta, megjithë kushtet dhe situatat e ndryshme të jetës, megjithë vendlindjen dhe shtetësinë që i mban në pasaportë, i ka trashëguar fort genet e natyrës së ashpër të malësisë me vajzat e bukura. Një arsye për të qenë edhe më shumë krenare.

“Për mua nuk ka asgjë më të bukur se malësia”, – përgjigjej e përlotur Elizabeta pasi u kurorëzua si më e bukura ndër 25 vajzat. E ka shijuar çdo verë me prindërit që përpiqen të shuajnë nostalgjinë e emigrimit dhe i mbrujtin fëmijët me dashurinë për origjinën. Ndihet po aq shtetase amerikane sa edhe një malësore e vërtetë, Elizabeta që përtej kurorës së krahinës do të dëshironte ta përfaqësonte bukurinë shqiptare edhe më larg…

KKVITI

Lindur e rritur në Amerikë, por gjithmonë me shpirt dhe me mendje nga Shqipëria. E mësuar që çdo vit të jetë në Shqipëri, te shtëpia e elizabetagjyshërve, ajo tregon edhe për jetën në Amerikë. Kur e pyesin në Amerikë se prej nga je, thotë menjëherë që jam prej Dedajve të Shkrelit. “Babai im quhet Gjergj Pllumbi, prej Dedajve, mama quhet Diella Turmalaj, nga Vrrithi. Ne jemi tre fëmijë: Elsoni 17, unë 15 dhe vëllai i vogël Danjeli, 3 vjeç.

Jetojmë në Bronx, NY prej 17 vjet. Baba punon në ndërtim, kurse mami ka mbaruar universitetin atje dhe punon mësuese matematike në një shkollë publike 8-vjeçare”, – thotë Elizabeta ndërsa buzëqesh dlirë me dhëmbët e bardhë dhe valëzon flokët në erë. Duket një zonjushë e vërtetë, me hire dhe elegancë, por edhe e ndrojtur dhe gati e pavetëdijshme për bukurinë e saj, ndoshta kjo edhe për shkak të shkollës strikte që ndjek, një kolegj katolik ku Elizabeta është nxënëse e vitit të dytë.

Por përtej saj, ajo i ngjet një djali çapkën, që angazhohet në aktivitete sportive dhe luan futboll për ekipin e shkollës. Por dëshira e saj e madhe, ëndrra e saj për të ardhmen lidhet padyshim me modën, ndaj edhe pjesëmarrja në “Miss Malësia” nuk ishte krejt e rastësishme. “Që kur kam qenë e vogël kam ëndërruar të jem një modele dhe aktore me famë botërore. Të them të drejtën, kërkesa kam pasur për modele, por deri tani nuk kam firmosur ndonjë kontratë, por tashti kur të kthehem po mendojmë për një gjë të tillë”, – zbulon Elizabeta. Ndoshta së shpejti do e shohim të shpalosë bukurinë dhe vendin e origjinës së saj me të cilën krenohet shpesh, në sfilata mode, katalogë e revista të patinuara ose ndonjë konkurs bukurie ku ta përfaqësojë malësinë shqiptare… (MAPO)