Miss Kosova 2013, pa përkrahjen e institucioneve kulturore

Modelja e njohur, Agnesa Vuthaj, bashkë me moderatorin Labinot Gashi dhe fotografin e njohur Fadil Berisha janë bashkuar për të organizuar “Miss Kosova 2013” që do të mbahet më datën 16 të këtij muaji dhe do të transmetohet më datën 17 në RTV 21.
Për të organizuar këtë spektakël sipas Agnesës nuk ka qenë edhe aq lehtë për faktin se brenda një kohe të shkurtër është dashur të përfundohet çdo gjë rreth organizimit. Problem tjetër për “Miss Kosova 2013” ajo ka shtuar se është edhe ana financiare.
“Është vështirë të organizohet një eveniment sikur që është ‘Miss Kosova’ pa mbështetje financiare e sidomos pa mbështetje nga institucionet kulturore. Ne kemi përkrahje vetëm nga disa kompani private, një universitet etj”, ka thënë ajo për “Zëri”.
Në “Miss Kosova 2013” do të marrin pjesë 16 konkurrente nga Kosova, diaspora dhe rajoni. Sipas Agnesës kriteret për të qenë pjesë e kësaj gare bukurie kanë qenë gjatësia 1.75 centimetra dhe mosha prej 16 vjet. Për dallim nga vitet e tjera në këtë vit do të zgjidhen dy fituese, ku njëra do ta përfaqësoj Kosovën në “Miss Universe”, ndërsa tjetra në “Miss Earth”.
Fotografi Fadil Berisha gjatë ditës së djeshme ka bërë fotoshotingun e të gjitha pjesëmarrësve. Sipas Agnesa Vuthajt juria do të jetë e përbërë nga personalitete publike të zgjedhura nga vet bordi i “Miss Kosova 2013”.
Ndërkaq, sipas saj, emrat e tyre do të bëhen publike në mbrëmjen e mbajtjes së “Miss Kosova 2013”. “Juria e ‘Miss Kosova 2013’ do të përbëhet nga personalitete të njohura publike, dhe kush janë ata do të merret vesh në natën kur mbahet manifestimi”, tha ajo./zeri/