RCCOLA

Misioni i pasuksesshëm i presidentes

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Presidentja e vendit Atifete Jahjaga deri më tani ka zhvilluar katër palë takime me përfaqësuesit e partive politike, me qëllim që të lehtësojë dialogun në mes tyre, për të gjetur një zgjidhje për tejkalimin e ngërçit politik.

Por analistët vlerësojnë se presidentja nuk ka arritur asnjë sukses deri më tani.

Albert Krasniqi nga KIPRED duke folur për gazetën “Tribuna” vlerëson se presidentja nuk ka mekanizëm që t’ua imponojë zgjidhjen partive por që sipas tij as një “alternativë konkrete” për dalje nga ngërçi nuk pritet nga ana e saj.

“Përderisa presidentja nuk ka mekanizëm i cili do t’iu impononte partive politike gjetjen e një kompromisi, imponimin e një alternative konkrete, është e zorshmet pritet që partitë politike të heqin dorë nga qëndrimet e tyre”.

“Palët janë të barrikaduara shumë dhe tash po shihet që secila prej tyre që heq dorë do të pësojë disfatë”.

Uji Dea

Krasniqi mendon se në këto takime presidentja është dashur që të arrijë në një konkluzion dhe më pas të propozojë një alternativë për të tejkaluar ngërçin.

“Është dashur që në tërë këto bisedime të dërgojnë drejt një konkluzioni presidenten e vendit, e cila më pastaj do të kishte dalë me një alternativë se si e sheh ajo daljen nga kriza. Normal që presidentja nuk mund të imponojë për shkak se kjo është në vullnetin e partive politike”, ka thënë Kransniqi.

Ndërkaq, politologu Behlul Beqaj mendon se duhet të ndërhyjë Ambasada Amerikane në mënyrë që të tejkalohet ngërçi.

“Zgjidhjen duhet ta ofrojnë përfundimisht ata që i detyruan këta liderë (Thaçin, Mustafën dhe Pacolin) për të zgjedhur një kryetare të tillë. Ajo ambasadë duhet të ndërhyjë, ngase edhe ky lidership dhe ajo kryetare janë krijuar me bekimin e tyre. Pastaj, Kosova dhe ndërkombëtarët kanë nevojë për një rivlerësim të mënyrës së krijimit të lidershipit dhe politikave nëse dëshirojnë që lidershipi i Kosovës të jetë i varur vazhdimisht nga “pelena”, ka thënë Beqaj./Tribuna/..