Misioni i njerëzve të mirë
Pejgamberët janë njerëzit më të zgjedhur nga ana e Allahut. Ata erdhën që njerëzimit t’ia mësojnë rrugën drejt Krijuesit të tyre. Erdhën që njerëzimit t’ia mësojnë të mirën, atë që është e dobishme në jetën e tyre dhe ti largojnë nga ajo që është e dëmshme. Pejgamberët tërë jetën e tyre e kanë harxhuar duke i thirru njerëzit në rrugën e drejtë, ta adhurojnë Allahu dhe mos t`i bëjnë atij shokë në adhurim. Misioni i tyre ka qenë shumë i thjeshtë dhe i kuptueshëm.
Çdo besimtar i cili është në angazhim që t’ia mësoj njerëzve të mirën duhet ta dijë se është duke ndjekur rrugën e Pejgamberëve të Allahut.
Gjatë këtij rrugëtimi pejgamberët e Allahut kanë hasur në pengesa të mëdha, në rezistenca të mëdha. Janë përballur me sfida prej më të ndryshmeve.
Është ligj i Zotit në tokë që njeriun ta sprovoj, sepse vetëm në momentet e sprovave mundë të vërtetohet besimi dhe bindja e njerëzve në Allahun. Nuk ka njeri në këtë botë që nuk sprovohet sepse kjo botë është vend i sprovave. Sprovohet njeriu në vetën e tij, sprovohet në fëmijët e tij, sprovohet në familjen e tij, sprovohet në fenë e tij. Ky është ligj i Allahut në tokë. Thotë Allahu në kuran: Elif, Lam, Mim. Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë. (ankebut 123). Po ashtu Allahu thotë: Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni. ( enbija’ 35). Thotë i Dërguari i Allahut: “ nuk ka ndonjë sprovë që e godet besimtarin, qoftë edhe një therë që futet në këmbën e tij përveç se Allahu do t’ia shlyej me të mëkatet”. “Nuk kaplon myslimanin ndonjë pikëllim, mërzi, lodhje, mundim gjersa edhe thera që e godet, përveç se Allahu me të do t’ia shlyej mëkatet”.
Sprova nuk është e caktuar për një kategori njerëzish. Prej saj nuk mund të shpëtoj asnjë njeri, i mirë apo i keq. Nuk ka ndonjë njeri i cili pretendon besimin në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij përveç se e ka një hise të sprovës edhe pse pastaj njerëzit dallojnë në qasjen ndaj sprovës dhe kuptimin e saj.
Sikur të shpëtonte dikush nga sprovat e kësaj bote do të shpëtonin pejgamberët e Allahut, dhe njerëzit e mirë që i pasojnë ata. Allahu nuk ka dërguar ndonjë pejgamberë përveç se është përballur me sfida. Pejgamberët ishin njerëzit më të ngritur, por edhe ishin njerëzit më të sprovuar.
A nuk e sheh se si u sprovua Ademi alejhi selam me të mira kur e nderoi atë dhe i urdhëroi melaiket që t`i bien në sexhde Ademit. Pastaj e sprovoi me gjëra të vështira, u largua nga xheneti dhe u vendos në tokë. A nuk u sprovua Ademi alejhi selam me mbytjen e djalit të tij nga vëllai i tij para syve të Ademit e që ishte krimi i parë në sipërfaqen e tokës?
U sprovua Nuhi alejhi selam në familjen e tij kur gruaja e Nuhit nuk i besoi, po ashtu edhe djali i tij. Djali i tij nuk pranoi ftesën e babait të tij dhe ishte prej të përmbyturve. A ka sprovë më të madhe se sa ta sheh babai djalin e tij duke u fundosur para tij me ata që nuk besuan ndërsa prindi i tij nuk mund ta parandaloj një gjë.
U sprovua Ibrahimi me babën e tij i cili ndërtonte puta për popullin e tij që i adhuronin. U sprovua në trupin e tij kur e hodhën në zjarr, u sprovua me djalin e tij kur u urdhërua që ta therë, djalin e vetëm të tij Ismailin.
U sprovua Jusufi alejhi selam në besnikërinë e tij kur vëllezërit e tij e akuzuan për vjedhje. U sprovua atëherë kur vëllezërit e tij e hodhën në pus ashtu sikur i hedhin gurët. U sprovua atëherë kur e shitën në treg ashtu sikur shitet një skllav. U sprovua atëherë kur u akuzua në nderin e tij që nuk ju takon një gjë e tillë njerëzve të mençur e mos të flasim për pejgamberët e Allahut. U sprovua atëherë kur u fut në burg së bashku me kriminelët ndaj akuzave të pa baza ku qëndroi disa vite.
Po ashtu u sprovua edhe Pejgamberi Muhamedi me sprova të ndryshme nga populli i tij. E quajtën gënjeshtar, i prekur nga magjia, i sëmur mentalisht. U sprovua me vdekjen e fëmijëve të tij. Të gjithë djemtë që i lindnin Pejgamberit nuk jetonin gjatë sa që e quajtën jobesimtarët farë sosur. E prekën në nderin e familjes së tij.
Kështu u sprovuan të gjithë pejgamberët e Allahut. Thotë i Dërguari i Allahut: “ njerëzit që më së shumti janë sprovuar janë pejgamberët. Pastaj ata që vinë pas tyre. Sprovohet njeriu në bazë të imanit të tij. Nëse është prej besimtarëve të fortë atëherë sprova është më e madhe. Nëse është më i dobët atëherë sprova është në bazë të fesë së tij”. Çdo njëri i cili dëshiron të ndjek rrugën e pejgamberëve duhet ta dijë se pa tjetër do të sprovohet. Thotë i Dërguari i Allahut: “ Çudi me çështjen e besimtarit. Çdo gjë që ndodhë për besimtarin është në të mirën e tij dhe kjo është vetëm për besimtarin. Nëse e godet ndonjë e mirë e falënderon Allahun dhe kjo është në të mirën e tij. Nëse e godet ndonjë e keqe bënë durim dhe kjo është në të mirën e tij”.
E tërë jeta për besimtarin është sprovë, të mirat dhe të këqijat janë sprovë për të. Tërë problemet që na rrethojnë neve si shoqëri në këtë vend janë sprovë dhe sfidë për ne. Problemi i rrezikimit të sigurisë, problemi i krimit të organizuar, problemi i devijimit të shoqërisë, problemi i vrasjeve “mistere” që pas luftës, problemi i manipulimit me njerëz, me të rinj, problemi i shfaqjes së dukurive negative tek të rinjtë si droga, prostitucioni, hajnia, alkooli, problemi i korrupsionit që Kosova po llogaritet njëra ndër vendet më të korruptuara, problemi zhvillimit ekonomik që është njëra prej problemeve më të mëdha që e ka goditë këtë vend, sepse nga kjo lindin të gjitha ekstremet tjera, problemi i funksionimit të ligjit. Të gjitha këto janë sprovë dhe sfidë për ne.
Çdo problem, çdo dukuri që shfaqet në shoqërinë ton është një sfidë për ne dhe kërkon një zgjidhje të matur. Çdo institucion duhet të bashkëpunoj njëri me tjetrin në zgjidhjen e problemeve në shoqëri. Të gjitha këto probleme në shoqërinë tonë, për zgjidhjet e tyre kërkohet një bashkëpunim, kërkohet një ndërhyrje e njerëzve të mençur për zgjidhjen e këtyre problemeve. Kërkohen ata njerëz të cilit nuk kanë ngjyrime të ndryshme, nuk kanë anime të ndryshme, ata njerëz të cilët nuk kanë qëllime të përfitimeve personale, apo politike prej situatave të ndryshme. Të gjithë duhet të angazhohemi për ti zgjidhë problemet tona përndryshe shoqërinë ton do ta fusim në një kaos, në një panik, në ekstremitete të llojllojshme.
Allahu e ruajt këtë vend dhe këtë shoqëri nga çdo kush i cili dëshiron që të destabilizoj këtë vend dhe të mbjell në ta pasiguri, varfëri, mjerim. AMIN./rajonipress/
Hoxhë Shaban Murati
Imam në xhaminë Dardania Gjilan


