Misioni diagnostik

Përfoljeve për marrëveshje të fshehta monopoli në tregun bankar dhe atë të sigurimeve do t’u jap fund një mision me ekspertë i Bankës Botërore. Ata kanë ardhur në Kosovë për të vlerësuar në detaje shërbimet që ofrojnë bankat dhe kompanitë e sigurimeve dhe sjelljen e tyre ndaj klientëve. Projekti po bëhet në bashkëpunim me Bankën Qendrore.
Erdhën për ta caktuar diagnozën. Tregu bankar, ai i sigurimeve dhe institucionet mikrofinanciare do të jenë për disa ditë nën vëzhgimin e një misioni me ekspertë të Bankës Botërore. Ata kanë ardhur në Kosovë për të vlerësuar në detaje punën e bankave dhe kompanive të sigurimeve në raport me klientët.
Projekti i cili quhet “Vlerësimi Diagnostik i Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe Edukimit Financiar”, pritet t’u jap fund përfoljeve për marrëveshje të fshehta monopoli në tregun bankar dhe atë të sigurimeve.
Fillimisht, ekspertët e Bankës Botërore do të fokusohen në sistemin bankar, industrinë e sigurimeve dhe institucionet mikrofinanciare, ndërsa më vonë do të përfshijë edhe regjistrin e kredive dhe sistemin e pensioneve.
Vlerësimi i quajtur “diagnostik” do të përfshijë të gjitha fushat përmes të cilave ushtrojnë veprimtarinë bankat dhe kompanitë e sigurimeve.
“Ky vlerësim diagnostik do të përfshijë fushat vijuese: 1) ligjet, rregulloret dhe praktikat, 2) transparencën dhe shpalosjen e informacionit, 3) praktikat e biznesit të institucioneve financiare, 3) mekanizmat e ankesave dhe të zgjidhjes së kontesteve, 4) vetëdijesimin dhe edukimin e konsumatorëve”, thuhet në një komunikatë për media të Bankës Qendrore të Kosovës.
Guvernatori i BQK-së, Gani Gerguri, ka thënë se Kosova është shteti i dymbëdhjetë që deri sot po përfiton nga asistenca teknike e Bankës Botërore në këtë fushë dhe ky vlerësim do të ndihmojë në avancimin edhe më të madh të te drejtave të konsumatorëve të sektorit financiar.
“Me këtë projekt konsumatorët do të disponojnë me informacion të qartë, të plotë, të saktë dhe gjithëpërfshirës në të gjitha rolet e tyre si shfrytëzues të shërbimeve financiare, përfshirë këtu edhe zgjerimin e edukimit financiar në bashkëpunim me institucionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare”, ka thënë Gerguri.
Ndryshe, shoqëria civile dhe njohësit e ekonomisë në vazhdimësi kanë akuzuar bankat për marrëveshje të fshehtë për t’i mbajtur kamatat e larta. Gjithashtu ky sektor nuk qëndron kurrqysh as sa u përket shërbimeve. Një analizë e Komisionit të Konkurrencës për sektorin bankar ka gjetur se bankat komerciale po i fshehin çmimet e shërbimeve nga klientët. Krejt kjo me qëllimin që klienti të lidhet me një bankë të vetme.
“Procesi i ndërrimit të bankës është për konsumatorin një proces i vështirë, i kushtueshëm dhe zakonisht kërkon kohë. Mungesa e informimit të klientit e detyron atë të ngelet i “bllokuar” në një bankë të caktuar dhe “kostot e transferimit” për të të jenë më të larta”, thuhet në këtë analizë.
Situatë më e rëndë është në tregun e sigurimeve. Madje Komisioni për Konkurrencë vitin e kaluar edhe i dënoi kompanitë e sigurimeve për monopol. Shitja e policave kufitare si tarifë unike ishte arsyeja. Sot e asaj dite, BQK-ja nuk e ka zbatuar vendimin e këtij institucioni, që i jep mandat Kuvendi i Kosovës.
Shkelje në tregun e sigurimeve kanë evidentuar edhe inspektorët e Bankës Qendrore të Kosovës në një valë inspektimesh që përfshijnë periudhën 2011-12. Prej 11 kompanive të sigurimeve sa operojnë në Kosovë, nga inspektimet ka dalë se asnjëra nuk është për mashalla. Ato nuk i paguajnë klientët me kohë, kanë probleme me shërbimet, kanë probleme me stafin, me operatorë dhe raste tjera të korrupsionit.
“Duhet theksuar se gjatë viteve të fundit 2011-2012, BQK përmes urdhrave administrative ka ndërmarrë masa ndëshkuese/penalizuese ndaj kompanive të sigurimeve, veçanërisht në rastet kur është konstatuar shkelje në përgjithësi, edhe kur janë konstatuar vonesa në pagesën e dëmeve në veçanti”, pati thënë zyrtari për informim në BQK, Besnik Kada.
Ndryshe, për të gjitha këto misioni i ekspertëve të Bankës Botërore do ta thotë fjalën e vet me 30 nëntor të këtij viti, kur pritet të realizohet ky projekt.