UBT

Misionet sekrete në Siri

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Deri para pak kohësh nuk ishte shumë e qartë nëse, apo deri në ç’masë, vepronin shërbimet sekrete perëndimore në Siri, për ofrimin e ndihmës forcave që luftojnë kundër regjimit të atjeshëm. Por, në ndërkohë, të gjithë e kuptuan se në Siri janë prezentë të gjithë.

Diskrecioni është një prej karakteristikave kryesore të shërbimeve sekrete në gjithë botën. Rrjedhimisht, të gjitha ato kanë kujdes edhe në atë që aranzhman e tyre në Siri të mbesin sekrete dhe të panjohura.

Megjithatë, përkundër fakti se zyrtarisht qeveritë perëndimore e refuzojnë intervenimin ushtarak në këtë vend, tashmë nuk është kurrfarë fshehtësie se janë pikërisht ato që – nëpërmjet shërbimeve sekrete – ka kohë që atje janë goxha prezente.

Për shembull, ka kohë që dihet se shërbimi sekret amerikan (CIA) e mbikëqyrë transferimin e armëve të dedikuara për kryengritësit sirianë, të cilat vijnë nga Turqia. Sipas supozimeve të ekspertëve, në Siri është prezent edhe shërbimi sekret britanik.

Ai, sipas të gjitha gjasave, është i stacionuar në Qipro, prej nga kryengritësit i furnizon me informacione të rëndësishme. “Me një fjalë, mund të thuhet se në ndërrimin e regjimit sirian po punojnë të gjitha shërbimet sekrete të cilat ishin të pranishme edhe gjatë operacioneve për rrëzimin nga pushtetit të diktatorit libian Gaddafi”, pohon udhëheqësi i Institutit për Politika Paqësore në Weilheim (Bavari), Erich Schmidt-Eenboom.

Aktivitetet e kufizuara të CIA’s

Sa i përket aktiviteteve të shërbimit sekret amerikan, CIA, sipas udhëheqësit të Institutit për Çështje Politike në Lindjen e Mesme, në Washington, David Pollock, edhe pse realizohen nga Turqia, ato janë mjaft të kufizuara.

Sipas mediave amerikane, shërbimet sekrete të SHBA kanë të bëjnë vetëm me mbikëqyrjen e transferimit dhe të pranim-dorëzimit të armatimit tek kryengritësit sirianë, pjesë e të cilit para së gjithash janë materialet shpërthyese dhe raketat, në mënyrë që ky armatim të mos bie në duar të forcave radikale fetare.

Mirëpo, thuhet se SHBA nuk e financon blerjen e këtij armatimi, por këtë gjë e bëjnë Turqia, Arabia Saudite dhe Katari.

“Mbështetjen e tij Perëndimi në Siri ua ofron forcave të matura, përderisa Katari, për shembull, i ndihmon grupet fundamentaliste”, thekson Erich Schmidt-Eenboom.

Mediat pohojnë se qeveria amerikane planifikon që kryengritësve sirianë t’ua lë në dispozicion xhirimet satelitore, në të cilat shihet lëvizja e forcave ushtarake të regjimit të Al-Assad. Gjithashtu, sipas këtyre burimeve, planifikohet edhe krijimi i një shërbimi të veçantë sekrete sirian. Por, ende nuk dihet nëse qeveria amerikane ka ndërmarrë ndonjë hap apo vendim konkret në këtë drejtim. Ajo që dihet është se presidenti Obama ka kërkuar nga CIA një përkrahje të plotë logjistike për kryengritësit. Po ashtu, SHBA ka paralajmëruar se në dispozicion të kryengritësve sirianë do të lë afro 15 milionë dollarë.

RCCOLA

“Ato do të duhej të investoheshin në blerjen dhe funksionalizimin e mjeteve të komunikimit, si dhe për nevoja të pajisjeve mjekësore. Ndihma financiare e SHBA nuk shkon pë blerjen e as për transferimin e armatimit”, sqaron David Pollock.

Ndihmësit francezë

Në mesin e shteteve evropiane, duket se rolin më të rëndësishëm po e luan ish-fuqia koloniale në këto hapësira – Franca. Në bashkëpunim me partnerët nga Arabia Saudite dhe Turqia, shërbimi sekret francez kryesisht po i ndihmon zyrtarët e lartë të regjimit të Al-Assad për t’ia kthyer shpinën diktatorit, për të ndërruar anë dhe për ta braktisur vendin.

Nga njëra anë, qëllimi i këtyre aksioneve është dobësimi moral i regjimit, e nga ana tjetër, bashkë me largimin e personave të besueshëm të al-Assad në Perëndim, në Europë vijnë edhe informacionet që i posedojnë këto personalitete.

Shërbimet sekrete perëndimore vepruan ngjashëm edhe në Libi. Për shembull, kur njëri prej bashkëpunëtoreve më të afërm të Gaddafit, ish-ministri i Jashtëm i Libisë, Mussa Kussa, braktisi Libinë, ai shërbimeve sekrete perëndimore u dha informacione që ishin tejet të dobishme. Megjithëse, duhet theksuar se ikja në Perëndim ish-bashkëpunëtorëve të regjimit u paguhet edhe ndryshe; ata i shmangen hakmarrjes të bashkështetasve të vetë, dhe në Perëndim nuk i pret asnjë proces gjyqësor. “Veç kësaj, ikja iu paguhet edhe financiarisht, sepse, për dhënien e informacioneve të besueshme ata përfitojnë edhe shuma të majme parash”, shton Schmidt-Eenboom.

Sekreti publik i Berlinit

Në Siri janë aktive edhe shërbimet sekrete gjermane.

“Ish-shefi i shërbimit sekret (BND), i cili në këtë post qëndroi deri në fund të vitit 2011, për shumë vite mbante kontakte të afërta me shërbimin sekret sirian. Por, që nga ndërrimi i tij, Gjermania më nuk bashkëpunon me shërbimin sekret të Al-Assad, por me kundërshtarët e tij. Sot BND paqëson pikëpamje të njëjta me ato të shërbimeve të tjera sekrete evropiane. Shefi i ri, Gerhard Schindler, mundohet që në këtë mënyrë të rikthejë besimin e humbur të partnerëve evropianë. Në të vërtetë, ky besim u humb shkaku i hezitimit gjerman gjatë aksioneve në Libi. Prandaj, tani edhe Gjermania merr pjesë në aktivitetet e kufizuara kundër regjimit në Damask”, sqaron Schmidt-Eenboom.

Megjithatë, nuk dihet se cilat janë aksionet konkrete gjermane atje. Për shembull, ende nuk është sqaruar rasti i pranisë së anijes ushtarake gjermane në Detin Mesdhe. Mediat gjermane pohonin se bëhet fjalë për një anije spiunazhi, edhe pse kjo u demantua nga BND. Nga ana tjetër, kur flitet për Gjermaninë duhet të përmendet edhe fakti se Gjermania është e përfshirë në ofrimin e mbështetjes për opozitën siriane edhe jashtë aksioneve të BND.

Për shembull, në periudhën mes prillit e qershorit 2012, në hapësirat a Entit për Shkencë e Politikë vazhdimisht takoheshin anëtarët e grupeve të ndryshme opozitare siriane, dhe aty përpilonin koncepte për sistemin politik në Siri pas rrëzimit të al-Assad nga pushteti. Një kohë të gjatë këto takime mbaheshin fshehtas, për shkak të frikës nga shërbimet sekrete siriane.

DW