Misionari Thaçi premton 200 mijë vende të reja pune

Kryetari i PDK-së e kryeministri në detyrë Hashim Thachi, ka thënë se “Misioni i ri” për Kosovën është zhvillimi ekonomik.
Ai e ka shpalosur planin e tij ekonomik për qeverisjen e ardhshme 4 vjeçare, për çka ka thënë se synim i tij kryesor është krijimi i një Fondit të Punësimit prej 1.5 miliard eurosh, punësimi i 200 mijë vende të reja të punës, dyfishim të prodhimit vendor si dhe reformimi në arsim.
“Nëse ne duam ta vëmë në lëvizje potencialin e vendit tonë, duhet të investojmë në njerëzit tanë. Boshti i planit tim ekonomik për Kosovën, është krijimi i fondit të ri të punësimit, investim prej 1.5 miliard euro në Kosovë. Ky është investim ambicioz për një popull dhe një shtet ambicioz, për njerëz me ide kreative, për njerëz punëtorë, për njerëz që udhëheqin. Po e përsëris, momenti juaj është sot. Nëse keni një ide dhe dëshironi ta realizoni atë në realitet, fondi i ri i punësimit është në dispozicionin tuaj. Nëse e keni një biznes të ri dhe dëshironi ta zgjeroni, të rrisni numrin e të punësuarve, fondi i ri i punësimit do të jetë aty për ju që t’i jetësoi synimet dhe planet tuaja”, ka thënë Thaçi.
Kurse, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka thënë se ministria që ai e ka drejtuar në qeverisjen e kaluar të Thaçit, e ka bërë edhe planin për shfrytëzimin e fondit të ri të punësimit.
“Ne i kemi 4 hapa tek fondi. Një është burimet të cilat tani më janë identifikuar, faza e dytë është përcaktimi i bazë ligjore. Ministria e Financave e ka krijuar grupin punues ndërministror i cili është duke e realizuar të gjitha ligjet që janë të nevojshme për tu ndërruar për ta mundësuar një fond të tillë. Hapi i tretë është përcaktimi i kritereve për fondet të cilat do t’u jepen ndërmarrjeve të cilat kanë programe të mira, punësim, krijim të një ambienti të mirë për biznes dhe investime dhe hapi i katërt do të jetë forma apo struktura menaxhuese”, ka thënë ai.
Kurse, anëtari më i ri i PDK-së, Ramiz Kelmendi, ka thënë se e ka një plan të ri për punësim i cili i dedikohet grave dhe vajzave të pashkolluara.
“Projekti im që nuk ka qenë i shpalosur është punësimin i gjinisë femërore që nuk kanë arritur të shkollohen dhe që janë nëna dhe motra të cilat e kanë shtuar popullsinë e Kosovës dhe këtë akt të tyre madhor Kosova do ua kushtojmë me hapjen e vendeve të punës dhe punësimin e kësaj gjinie në tërësi duke krijuar legjislacion funksiona l dhe duke i motivuar të gjithë afaristët vendor që të shkojnë në ato lagje dhe vendbanime ku tu ofrohet puna këtyre femrave dhe jo ato të lypin punën më larg se sa është regjioni i vet”, ka theksuar ai.
Këtë projekt të Thaçit e ka mirëpritur edhe i pari i bizneseve të Kosovës, Agim Shahini nga Agjencia Kosovare e Bizneseve, ka thënë se tashmë kur ekziston fondi, bizneseve u mbetet vetëm të hartojnë plane për ta zhvilluar biznesin e tyre.
“Deri më sot bizneset janë zhvilluar falë reformave të qeverisë në politikat fiskale tregtare dhe kjo ka qenë në vazhdimësi e përbashkët me institucionet shtetëror por nuk ka pas fond të cilin e mbështet këto projekte dhe këtyre projekte tash kur janë të siguruara fondet, neve na mbetet të sigurojmë projekte dhe këto prioritete t’i realizojmë bashkërisht me ju”, ka deklaruar ai.
Kurse, Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka thënë se krijimi i këtij fondi mund të jetë në funksion të arritjes së cilësisë së edukimit me vetë faktin se edukimi duhet të ndahet në dy sfera, në sferën interne dhe në sferën ekterne.
© KOHA.net