Mirusha përkundër pengesave , ecë tutje

/ 2 minuta lexim

Gjilan – Ndonëse ka probleme të pronave dhe rrënimit të shtëpive lumi Mirusha po rregullohet me dinamikën e paraparë tha Adem Kqiku nga kompania “Bejta Comerc”.

Është dashur të rrënohen tri shtëpi për gjysmë dhe disa mure për të vazhduar projekti i rregullimit të shtratit të lumit Mirusha. Ky projekt që llogaritet ndër projektet më madhore të Komunës së Gjilanit përkundër pengesave teknike deri tani janë rregulluar mbi 300 metra.

Adem Kqiku nga kompania “Bejta Comerc” fituese e tenderit në vlerë të 3 milion e 100 mijë eurove tha për rajonipress se pengesat rreth pronave dhe shtëpive kanë sjellur mjaft telashe, por nuk kanë ndikuar në dinamikën e punimeve. “Ne po punojmë çdo ditë, madje me mbi 30 punëtorë të angazhuar dhe nëse na premton koha atëherë shumë shpejt mund të arrijmë deri tek Hoteli “Kristal”, tha Kqiku.

Fundamenti

Kqiku tha se janë tre kilometra që duhet të rregullohen dhe të mbulohet i tërë lumi Mirusha me gypa të mëdhenj e që kjo parashihet të bëhet në një afat dy vjeçar.

Edhe Fadil Osmani menaxher në zyrën e projekteve është optimist se Mirusha do të shndërrohet në një shëtitore dhe oazë qetësimi për banorët e Gjilanit. “Ky dinozaurë shumë shpejt do të zhduket dhe nga një kundërmim i madh dhe i ndotur vendi prej nga ka kaluar Mirusha do të shndërrohet në një stazë për të ecur lirshëm qytetarët “premtoj Osmani.

Osmani ka falënderuar të gjithë banorët që kanë afër prona apo shtëpi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe ka kërkuar që të jenë edhe më tutje bashkëpunues sepse ky projekt po bëhet në radhë të parë për të mirën e vet atyre banorëve , që me vite e kanë duruar dhe përjetuar atë kundërmim. /rajonipress/