Fundamenti

Mirusha, ecjet dhe ngecjet e projektit

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Mirusha është një nga projektet më kapitale për Gjilanin, që arrin vlerën rreth 5 milionë euro dhe një pjesë e këtij projekti, që ka një gjatësi të përgjithshme prej 4 kilometra, është realizuar në fazën e parë.

Rregullimi i shtratit të lumit Mirusha, është një nga projektet më madhore të infrastrukturë në komunën e Gjilanit, i cili për vite të tëra e ka shqetësuar qytetin e pjesës lindore të Kosovës. Refik Hasani, banor i lagjes “Zabeli i Sahit Agës” shprehet i kënaqur me punën që është bërë deri tani në këtë projekt, por kërkon që të vazhdojë tutje. “Jemi të kënaqur deri diku, sepse tani nuk ka më kundërmim, nuk ka mushkonja, por ne banorët e lagjes dhe besoj edhe tërë qyteti i Gjilanit, presim që ky projekt të përfundojë në tërësi”, thotë Hasani, njëri ndër zërat më aktiv në këtë problem, në kohën kur Mirusha e kishte bërë të padurueshme jetën në “Zabel…” dhe kërcënonte me shpërthimin e ndonjë epidemie. Qytetarët shpresojnë që rregullimi i shtratit të lumit Mirusha, që si projekt filloi nga vetë kryeministri Thaçi, do të përfundojë me ndërtimin e një impianti.

Opozita, ndërkaq ka qenë mjaft kritike sa i përket dinamikës së punimeve, duke thënë se nuk janë respektuar afatet. Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, thotë se Mirusha është një nga projektet më kapitale për Gjilanin, që arrin vlerën rreth 5 milionë euro. Janë dy tubacione kryesore të kanalizimit të qytetit dhe shtrati i lumit, që shërben për grumbullimin e ujërave atmosferike, në një gjatësi prej katër kilometra. Një pjesë e këtij projekti, 1. 200 metra gjatësi, që ka nisur në vitin 2009, është realizuar në fazën e parë.

Gjithçka deri tani është realizuar me dinamikën e duhur dhe thuajse janë përmbyllë të gjitha punët në fillim të vitit 2011, thotë Mustafa, duke nënvizuar se për fajin e Ministrisë së Ambientit, e cila nuk është barazuar në kohën e duhur me punë kryesin, është zvarritur procesi dhe është humbur kohë jashtëzakonisht e vlefshme për të vazhduar tutje me projektin.

Uji Dea

Gjatë viti 2011, me përcaktim të kryeministrit, është ndarë një fond prej 350 mijë euro në Ministrinë e Ambientit dhe më vonë edhe 480 mijë euro të tjera janë alokuar drejtpërdrejt në komunë, të destinuara për këtë projekt. Këto mjete nuk janë harxhuar në projekt, pikërisht për shkak të pengesave dhe zvarritjeve që i ka bërë Ministria e Ambientit, thotë Mustafa. Por, ai është optimist se Mirusha do të ecën tutje, pasi që Ministria e ka bërë punën e vetë muajin e kaluar dhe tani ekziston një qartësi financiare dhe i punëve të kryera në teren.

Mustafa thotë se bashkë me ministrin Dardan Gashi kanë konstatuar se ka zvarritje të jashtëzakonshme kohore në një projekt jashtëzakonisht madhor për komunën e Gjilanit dhe se janë pajtuar që ta nënshkruajnë një marrëveshje për bartjen e kompetencave në komunë. Në kompetencë të komunës do të jenë shpallja e tenderit, paramasa, hapja e ofertave, kontraktimi, mbikëqyrja, pranimi teknik e kështu me radhë, deri në finalizim të projektit. Javën e ardhshme pritet të shpallet i gjithë projekti, i cili parashihet të realizohet në dy faza, sivjet dhe vitin e ardhshëm.

Tani janë në dispozicion vetëm 650 mijë euro për këtë projekt, por Mustafa shpreson se do të kenë mjete të mjaftueshme financiare për Mirushën. Një pjesë të mjeteve do ta sigurojë komuna, ndërsa pjesën tjetër do ta plotësojë qeveria, me rishikim të buxhetit. Për këtë vit duhen 1.5 – 2 milionë euro dhe po kaq për vitin e ardhshëm, që projekti të realizohet. Prioritet është vendosja e tubacioneve për sistemim të ujërave të zeza dhe pastaj do të shkohet në fazën tjetër, harmonizimin e shtratit të lumit, trotuareve, ndriçimit publik dhe infrastrukturës tjetër të nevojshme në këtë projekt.

Në projektin e lumit Mirusha, deri tani janë investuar një milion e 60 mijë euro nga qeveria, ndërsa komuna ka marrë pjesë me rreth 800 mijë euro, të cilat janë shfrytëzuar për shpronësime. Atje ku dikur ishte moçalishtja, tani shëtisin qytetarët./rajonipress.com/