Mirusha do ta ndryshojë për të mirë jetën e gjilanasve

Gjilan – Kryeministri Thaçi ka thënë se projekti është duke shkuar shumë mirë dhe është shprehur optimist në një afat rekord, deri më 1 tetor të vitit të ardhshëm do të përfundojë në tërësi. “Qeveria e Kosovës do t`i kryej të gjitha obligimet që ka ndaj këtij projekti dhe qytetarëve të Gjilanit”, ka thënë kryeministri.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka vizituar të dielën Gjilanin, ku ka inspektuar punimet në rregullimin e shtratit të lumit Mirusha, të cilin ai e ka vlerësuar njërin ndër projektet më të rëndësishme që ka pasur ndonjëherë për qytetarët e Gjilanit e posaçërisht në 15 vitet e fundit. Kryeministri shoqërohej nga Qemajl Mustafa, Izmi Zeka, dhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës Zenun Pajaziti, Nijazi Idrizi, Hydajet Hyseni e Basri Musmurati.
Kryeministri Thaçi ka thënë se projekti është duke shkuar shumë mirë dhe është shprehur optimist në një afat rekord, deri më 1 tetor të vitit të ardhshëm do të përfundojë në tërësi. “Qeveria e Kosovës do t`i kryej të gjitha obligimet që ka ndaj këtij projekti dhe qytetarëve të Gjilanit”, ka thënë kryeministri.
Duke folur për rëndësinë e këtij projekti, ai ka thënë se rregullimi i shtratit të lumit do të ndryshojë për të mirë jetën e të gjithë qytetarëve të Gjilanit dhe ka falënderuar kryetarin e Komunës për punën e bërë si dhe qytetarët që kanë ndihmuar në procesin e shpronësimit, në këtë projekt që shtrihet në tërë qytetin.
“Kam besim që ky dhe projektet tjera që po realizohen në Gjilan do të përmbyllen me kohë”, tha Thaçi, duke premtuar se qeveria do t`i kryej me kohë të gjitha obligimet e veta. “Ne po ndërtojmë infrastrukturë në gjithë Kosovën, që është në interes të qytetarëve, prandaj edhe Gjilanin e kemi ndryshuar”.
Thaçi tha se me rregullimin e këtij lumi Gjilani nuk do të njihet si qytet me ambient të ndotur , por si qytet me ambient evropian. Kryeministri ka falënderuar të gjithë banorët që kanë ndihmuar që projekti të ecë tutje derisa ka thënë se këto investime dëshmojnë përkushtimin e Qeverisë dhe të qeverisjes komunale për ta bërë më të rehatshme dhe më të mirë jetën e të gjithë banorëve të Gjilanit.
Kurse Qemajl Mustafa, kryetari i Komunës, falënderoi kryeministrin për këtë vizitë dhe tha se po i qëndron pranë këtij projekti me mjetet e duhura, për të cilin ka thënë se është projekt edhe i tij personal. Projekti po progreson tutje dhe tani ka arritur në afërsi të hotelit Kristal, ka thënë Mustafa, duke nënvizuar se janë edhe 2 km të tjera deri në përfundim.
Mirusha është projekt i rëndësisë së veçantë, sepse e funksionalin qytetin e Gjilanit në pikëpamje të sistemit të ujërave të zeza dhe ambientit. Ky projekt e ndanë qytetin e Gjilanit në dy epoka, në qytetin para Mirushës dhe pas Mirushës, kur do të duket krejt ndryshe, ka thënë Mustafa. /rajonipress/