Mirëpritet kufizimi i orarit të punës gjatë të dielave dhe ditëve të festës

Gjilan – Dy rregullore komunale, Rregullorja për taksa si dhe Rregullorja për orarin e punës së subjekteve afariste i janë nënshtruar sot një dëgjimi publik, për t`i marrë edhe vërejtjet dhe sugjerimet e qytetarëve, para se këto akte normative të procedohen për miratim në Kuvend Komunal.

Sadri Arifi, shef i Shërbimit të Kuvendit, ka thënë se ndryshime të taksave dhe tarifave të shërbimeve, janë propozuar te administrata komunale, shërbimet publike, urbanizmi, kadastra si dhe te biblioteka e qytetit, propozime këto që janë prezantuar dhe arsyetuar nga drejtorët ose shefat e sektorëve përkatës, Bardhyl Syla (Administratë), Naser Korqa (Shërbime Publike), Bekim Bajrami (Urbanizëm), Sali Fazliu (Gjeodezi, Kadastër, Pronë), Qazim Azizi (Bibliotekë).

Te rregullorja për orarin e punës, janë propozuar disa ndryshime, të cilat, siç ka thënë Sadri Arifi kanë të bëjnë me ditën e diel dhe ditët e festave zyrtare, kur pos furrtarëve, salloneve të ondulimit, floktarëve dhe pikave të shitjes të shtypit ditor, tani e tutje nuk do të punojnë vetëshërbimet, supermarketet, shitoret tregtare ushqimore, shitoret tregtare të tekstilit, shitoret e lëkurë këpucëve, të teknikës së bardhë dhe veprimtarive tjera jo ushqimore, gjellëtoret, qebaptoret dhe autolarjet.

Po ashtu, ditëve të vikendit (të dielave) dhe ditëve të festave zyrtare, nuk do të punojnë as kompanitë ndërtimore.

Me vërejtje dhe propozime janë përfshirë në dëgjim publik për këto dy rregullore, Shaban Terziu, Enver Isufi, Ibish Ibishi, Ramadan Mehmeti, Arjeta Maka, Isa Agushi, Avdyl Aliu, Elbasan Alidema dhe të tjerë, të cilët kryesisht kanë mirëpritur ndryshimet te orari i punës së subjekteve afariste, ndonëse ka pasur edhe një kërkesë për kategorizim të orarit të punës sipas zonave.

Arjeta Maka nga shoqëria civile ka thënë se me kufizimin e orarit ë punës gjatë ditëve të diela dhe festave, për shumicën e subjekteve afariste, siç është paraparë në rregullore, krijohet rend dhe qetësi si dhe respektohet qytetari dhe punëtori i këtij vendi.

Ndryshimet dhe plotësimet e propozuara në këto dy rregullore, pritet të miratohen nga Kuvendi Komunal, në fund të këtij muaji./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).