Fundamenti

Mirë me FMN-në

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Misioni i FMN’së në shqyrtimin e dytë të marrëveshjes Stand-by e ka vlerësuar të suksesshme përformancën ekonomike të vendit, por ka kërkuar të ketë edhe më tej menaxhim të disiplinuar fiskal. Si rezultat, në fund të këtij viti, Kosova merr 41 milionë euro. Gjithashtu, Qeveria miratoi projektbuxhetin për vitin 2013 prej 1.586 miliardë euro dhe planifikon rritje ekonomike prej 4.5 për qind.

Kufizimi i shpenzimeve në disa ministri nga Qeveria e Kosovës doli të jetë i suksesshëm në relaksimin e raporteve me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Në shqyrtimin e dytë të marrëveshjes Stand-by me Kosovën, zyrtarët e FMN-së

konstatuan se politikat makroekonomike dhe financiare të udhëhequra nga Qeveria e Kosovës janë në rrugën e duhur. Si rezultat në fund të këtij viti Kosova tërheq nga ky institucion financiar rreth 41 milionë euro. Megjithatë, zyrtaret e Fondit kërkuan nga Qeveria që edhe më tej të ketë menaxhim të disiplinuar fiskal.

Udhëheqësi i misionit të FMN-së për Kosovë, Johannes Wiegand, ka pohuar se Kosova nuk është në rrezik nga kriza financiare. Sipas tij, Kosova sikurse të gjitha vendet në njëfarë mase është e ndikuar nga kriza në Evropë, por është e ndikuar më pak dhe investimet nga jashtë dhe remitencat e diasporës e ndihmojnë Kosovën, për faktin se diaspora e Kosovës jeton në vendet ku janë më pak të prekura nga kriza.

“Natyrisht se synimi i programit është që Kosova t’i bëjë ballë turbulencave. Gjëja e parë është që të ketë një kornizë të qëndrueshme buxhetore dhe një komponentë e rëndësishme është që të ketë një bilanc bankar të qëndrueshëm për shkak se ky është një lloj lehtësuesi që amortizon tronditjet eventuale në zonën e euros dhe qëllimi i programit ka qenë të arrihet një niveli adekuat i bilancit bankar”, ka thënë Wiegand.

Në të njëjtën kohë, Qeveri e Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt të hënën ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2013 në shumë prej 1.586 miliardë euro dhe të njëjtin do ta procedojë për aprovim në Kuvendin e Kosovës.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se në kuadër të buxhetit 2013 është autostrada Prishtinë-Shkup, duke arritur të ndahet një shumë e mjeteve për këtë projekt.

Saktësisht për autostradën e dytë janë ndarë gjithsej 30 milionë euro.

Uji Dea

Sipas tij, buxheti i këtij viti pritet të ekzekutohet në masën 95 për qind, ndërkaq buxheti i vitit 2013 thotë se është në harmoni të plotë me FMN-në.

“Është vlerësim se politikat makroekonomike janë gjerësisht në rrugën e duhur. Përveç rishikimit të dytë të marrëveshjes ‘Stand By’, e cila pastaj pritet të miratohet në bordin e FMN-së dhe shpresojmë të aprovohet me datën 21 dhjetor, kur pritet marrja e 41 milionë (euro) për buxhetin e Kosovës”, ka thënë Hamza.

Ndërkaq, në deklaratën e lëshuar nga FMN-ja thuhet se të gjitha kriteret e parapara deri në fund të muajit gusht janë plotësuar, me një rënie modeste në mbledhjen e të ardhurave e cila është kompensuar nga kufizimi i shpenzimeve. Për më tepër, të ardhurat totale buxhetore thuhet se i kanë tejkaluar parashikimet.

“Në fund të gushtit është përmbushur edhe afati për nisjen e tenderit për hapjen e ofertës për kompaninë e telekomunikacionit PTK, edhe pse me një vonesë të vogël.

Autoritetet dhe misionit ranë dakord mbi kornizat e buxhetit 2013, dhe arritën mirëkuptim në parametrat e një kornize të bazuar në rregulla fiskale të mbështetura nga politikat fiskale të vitit 2014”, thuhet në deklaratën e FMN-së.

Stafi i FMN-së ka vlerësuar se rritja reale do të kalojë 3 për qind në të dy vitet, si në vitin 2012 dhe atë 2013, e cila është më e lartë se në shumicën e vendeve fqinje.

Zyrtarët qeveritarë, ndërkaq, thonë se rritja ekonomike për vitin e ardhshëm mund të arrijë në 4.5 për qind.

Sipas Fondit, sistemi bankar ka mbetur i mirëkapitalizuar dhe likuid, pavarësisht rritjes së kredive jo performuese. Gjithashtu, progres është bërë në forcimin e klimës së biznesit, përfshirë fushat e regjistrimit të biznesit dhe mbrojtjen e investitorëve.

Megjithatë, misioni i Fondit vlerëson se mbeten rreziqe të ulta, përfshirë edhe një përkeqësim të mundshme në kushtet e tregut të punës në vendet ku jetojnë diaspora. Prandaj i rekomandohet Qeverisë të mbajë nivelë adekuat të bilanceve bankare të qeverisë, forcimin e kuadrit ligjor dhe rregullator për sistemin financiar të Kosovës, mbikëqyrjen e kujdesshme financiare nga Banka Qendrore, si dhe reformat strukturore për të rritur konkurrencën.(express)