Eko Higjiena

Mircov, Spegelj në shtëpinë e verdhë

/ 7 minuta lexim

Nga Petrit Selimi- NY Times raporton se në Serbi sot e kësaj dite ka korrje organesh, edhe atë në spitale publike. Atyre pak gazetarëve tanë, tema nuk ju doket interesante.

Para ca muajve, gazeta prestigjioze The New York Times raportoi për tregtinë ilegale të organeve në Serbi. Gazetari Dan Bilefsky raportonte për familje të tëra, me emra e mbiemra, serbë si Violeta Cavac ose Pavle Mircov që kanë “plasuar” organet e tyre si veshkat në tregun ilegal për pasanikët e Perëndimit si dhe dëshmitarë që pohojnë se i tërë aktiviteti zhvillohet në spitale publike në Beograd. Me çmim 40,000 Euro.

Ky lajm bëri bujë jo më shumë se gjysmë ore në rrjete sociale dhe u shukat i tëri. Është simptomatike posaçërisht se si u hesht në Serbi, si tek mediat shtetërore ashtu edhe te ato më të pavarura. Një konspiracion i pafolur, sepse kjo temë shumë më e dokumentuar në artikull një faqe të NY Times se sa në tërë raportin e dhjeta faqeve të Dick Marrtyt, do të zbehte tej mase cunamin propagandistik vitin e kaluar, të mbështetur nga teoria që i vinte erë e shërbimeve sekrete, se lidershipi i Kosovës dhe Shqipërisë kanë nxjerrë organe nga të burgosurit e gjallë serbë në shtëpinë e verdhë (që pastaj doli të jetë e bardhë, në morfimin shpeshtë të rrëfimit bizar fillestar).

Por ja që në Serbi, si tek radikalët ashtu edhe tek liberalët, prej shtetit e deri te OJQ’të askush nuk kërkoi hetime apo reporterë specialë të Këshillit të Europës për krimin e organizuar të fëlliqtë të shitjes së organeve nga fukaraja tek parelinjtë – simboli aq i neveritshëm i pabarazisë shoqërore, sa që lehtë tërheq vëmendjen e mediave. Sipas NY Times, e tërë kjo po ndodh në Serbi tani, këto ditë, më 2012 e jo me 1999 apo 2004.

Ekziston një konsensus në Serbi për dedikimin drejt Europës (edhe pse Koshtunica dhe grupe më të vogla e kundërshtojnë). Një pjesë e analistëve besojnë se Serbia ende mëdyshet dhe mund t’i dedikohet politikisht dhe ekonomikisht Rusisë, si një lloj ishulli i ardhshëm pro-rus në mes të BE’së. Kjo është krejtësisht e pabesueshme dhe vetëm lojë e Serbisë për të krijuar mëdyshje. Serbia e ka tërë tregtinë të ndërlidhur me BE’në, ka pretendime të jetë lider rajonal (e rajoni synon BE’në), ka edhe shumicë të popullatës që besojnë se “takojnë” BE’së dhe se BE’ja duhet ta pranojë Serbinë se ia ka borxh.

Edhe Rusia e ka të qartë se Serbia i është dedikuar BE’së e jo Rusisë në afate të gjata, por derisa ka mundësi të parandalojë zgjerimin e mëtutjeshëm të NATO’s dhe të mbron interesat vetanake ekonomike (lexo: South Stream) apo politike (lexo: përkrahje në Këshill të Europës dhe forume multilaterale), atëherë edhe e vazhdon edhe ndonjë xhiro tangon e jo-sinqertë të Serbisë.

Serbia me hesap nuk dëshiron rrënjësisht të vetë-ndryshon në këtë proces, nuk dëshiron të heq dorë nga Kosova, nuk dëshiron t’i bën ndryshimet rrënjësore si de-Milosevicizimin final të shoqërisë. Shikon të bëjë ndryshimet sipërfaqësore dhe në këtë art, është mjeshtre e rrallë. Pa u vërejt mobilizohen mediat e shoqatat, politika dhe organizatat civile dhe i mëshojnë artilerisë së rëndë mediale. Gjatë tetëdhjetave, dhunimi i grave serbe si argument për ndërhyrje në rendin kushtetues të Kosovës dhe atë federativ propagohej nga shtresa diverse serbe, prej komunistëve deri tek disidentët kinse liberalë, por në të vërtetë nacionalistë. Prej Politika Ekspress e deri te NIN, prej Tanjugut e deri te Akademia e Shkencave, u krijua konsensusi i nevojshëm për të bërë veprim, sado që veprimi u tregua katastrofal.

Pak më vonë e kemi pasur edhe krijimin e aferës Spegelj, një afere tjetër udbashe që ka pasur synim krijimin e atmosferës për intervenim kundër Kroacisë. Më 1990, nga inteligjenca serbe incizohet shefi i mbrojtjes kroate tek flet për shitblerje armësh dhe kjo transmetohet në të gjitha kanalet pa pritë e pa kujtu’ kroatët se çka po përgatitet. Më 1991 lufta merr flakë, Vukovari stërbombardohet, shkatërrohet dhe përjeton 2,500 viktima dhe po aq të zhdukur brenda një muaji.

E tillë ishte edhe afera e organeve. E përgatitur në shërbime inteligjente, ka shërbyer si grep por ndonjë gazetar mendjelehtë, aktivist të sinqertë por naiv të drejtave të njeriut apo diplomati që ndjek skandale. Rrëfimi për nxjerrje organesh është provuar të lansohet edhe në luftën me Kroacinë. Asokohe Serbia me oktopusin propagandistik medial ka raportuar edhe për 40 foshnjat e masakruara në Vukovar 24 orë para se të niste ofensivën që theu boshtin kurrizor të qytetit. Para masakrës së Prijedorit (me 15,000 viktima të shkreta boshnjake), mediat serbe sajojnë skandalin e doktorëve boshnjakë që injektojnë helme tek shtatzënat serbe, për t’i shtyrë në abort.

KKGJILAN

Afera e prodhuar e organeve gjatë luftës në Kosovë është m’u një rast i tillë.

E lidhur qëllimisht me rastin Medicus i cili është duke u trajtuar në Gjykatë kosovare dhe në së paku 3 shtete tjera, me seriozitetin më të plotë dhe për të cilin shpresoj se po që se vërtetohet fajësia, që të gjithë të involvuarit do të marrin shumë vite burg. Por lidhja me luftën e 1999 është e qëllimshme për të krijuar fije të kontinuitetit. Për të bërë vrasje të karakterit, metodë e preferuar propagandistike. Shumë më efikas ka qenë më 2011 kundër Kosovës në kohën e Internetit, se sa në Kroaci para dy dekadave.

Qeveria e Kosovës nuk ka mjete por as autoritet të kërkon hulumtime për tregtinë brengosëse të organeve në Serbi, pasi që viktimat janë qytetarë serbë. Puna duhet bërë nga ata gazetarë kosovarë që deri tash e kanë mbuluar këtë temë për media botërore jo për të bërë ndonjë balans makabër, por thjesht për ta përfshirë tërë kontekstin rajonal dhe situatat e vërteta e jo vetëm ato të dyshimtat të krimit të organizuar.

Fatkeqësisht ata pak analistë e drejtorë OJQ’shë me staf e pa aktivistë të Kosovës, e që kanë ndonjë ndikim, gjithsesi modest, këtu a aty në pejsazhin medial europian, vazhdojnë të shkruajnë e propagojnë për rrëfimin e sajuar të 1999 në Kosovë. E përdorin si argument kundër Kryeministrit, jo më pak denjësisht se kolumnistët serbë. Shpenzojnë kohë e kohë për të përkthyer dhe rritur dhe zmadhuar çdo efekt të propagandës serbe, pa kurrfarë arsye tjetër pos për të marrë pjesë në karakter-vrasje, të shtyrë nga arsye të thella personale. Përjetojnë schadenfreude duke parë akuzat kundër Kryeministrit pasi që besojnë se çfarëdo mjeti është i lejuar për ta rrëzuar nga pushteti. Partizançe. Haptazi pohojnë nonsensikisht se “edhe nëse skandali nuk është i vërtetë, KM do të duhej të jap dorëheqje sepse akuza është e rëndë”.

E fillova duke shkruar për konsensusin nacional në Serbi për rrugëtimin drejt Europës, që bashkon edhe ata që urrehen, shahen dhe akuzohen çdo ditë në polet diametrale të politikës serbe. Kanë parasysh “agjendën nacionale” edhe kur e tilla është tragjikisht e keqe.

Në Kosovë është duke ndodhur e kundërta, edhe në çastet dhe rastet kyçe kur Kosova ka fituar, ka shënuar progres rrënjësor dhe ka krijuar avantazhe krejtësisht të qarta për të gjithë, “tanët” merren me produkte propagandistike serbe dhe mohojnë rezultatet, edhe në ato raste krejtësisht reale të progresit, të vërtetuar ashtu nga i tërë spektri ndërkombëtar e edhe nga skeptikët e Qeverisë së Kosovë që janë objektivë.

Autori është

Zëvendësministër i Jashtëm i Kosovës. Kolumnet janë personale dhe nuk përfaqësojnë institucionin.