Eko Higjiena

Miratohet strategjia kulturore 2012-2016

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Komiteti për Kulturë, Rini dhe Sport (KKRS) ka miratuar të hënën Strategjinë e Zhvillimit Kulturor 2012-2016 dhe e ka rekomanduar atë për procedurë të mëtejme.

Tahir Arifi, kryesues i këtij Komiteti, ka thënë se Strategjia synon të bëjë institucionalizimin e aktiviteteve kulturore në Gjilan, kurse Veton Nevzadi, drejtor për Kulturë, vlerësoi se me këtë dokument është bërë një punë e madhe për kulturën dhe zhvillimin e saj në të ardhmen.

Bujar Haziri, zyrtar për Rini, i cili e ka prezantuar Strategjinë para anëtarëve të KKRS, ka thënë në strategjia, në hartimin e së cilës ka marrë pjesë një komunitet i gjerë kulturor, përbën një dokument të mirë bazik për zhvillimin e kësaj veprimtarie.

Gjilani e ka humbur identitetin e dikurshëm të qytetit industrial, por ka potencial që ta krijojë identitetin e një qyteti kulturor, pasi që tashmë ka edhe një traditë të gjatë e të pasur kulturore, ka thënë Haziri, duke nënvizuar se tani kultura nuk shihet më vetëm si një aktivitet i lirë, por si një mundësi e mirë për gjenerimin e të hyrave, duke rikujtuar se Prizreni, sivjet ka përfituar rreth 4 milionë euro nga festivali i filmit.

Arzie Nuhiu tha se kjo strategji është një dokument i mirë për zhvillimin e sferës së kulturës dhe që duhet të përkrahet nga Komiteti, gjë që e bënë edhe anëtarët tjerë të kësaj trupe të vendimmarrjes komunale, që numerikisht dominohet nga opozita.

Ndërkaq sa u përket përgatitjeve për shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, drejtori Veton Nevzadi tha se aktivitetet tashmë kanë filluar me Vjeshtën letrare, e cila është hapur me 5 tetor, me promovimin e veprave të tre autorëve nga Shqipëria si dhe të një krijuese nga Gjilani.

Mobi Casa

Programi vijon më 15 tetor, me akademinë për Idriz Seferin dhe vazhdon më 16 tetor me Panairin e librit, që sivjet është manifestim jubilar dhe do të ketë edhe aktivitete përcjellëse, siç është shënimi i veprimtarisë shkencore të akademik Idriz Ajetit, në 95-vjetorin e lindjes dhe të tjera.

Nevzadi ka thënë se tutje do të vazhdohet me një simpozium shkencor, një festival për fëmijë, një ekspozitë të artit pamor, një film artistik, me aktivitete sportive, për të përmbyllur programin me një koncert të madh festiv, i cili do të organizohet më 28 nëntor.

Shpresa Hajdari tha se në kuadër të këtij programi duhet të përfshihet edhe mbajtja e një seance solemne të Kuvendit Komunal si dhe një ekspozitë e fotografive nga festimet e deritashme të përvjetorëve të pavarësisë.

Nevzadi i ka njoftuar anëtarët e KKRS edhe rreth përgatitjeve për manifestimin “Flaka e Janarit 2013”, duke thënë se tashmë janë mbajtur dy takime të këshillit organizativ, janë caktuar përgjegjësit e shtyllave kryesore të manifestimit dhe po kryhen punët tjera organizative.

Sa i përket Monografisë së qytetit të Gjilanit, e cila është përfolur këto ditë nga subjektet politike, Tahir Arifi ka thënë se një ekip i madh, që kryesisht përbëhet nga njerëz të shkencës, ka punuar prej tre vitesh në këtë studim monografik dhe nuk është mirë të politizohet rezultati i këtij angazhimi.

Monografia ka për qëllim ta paraqes Gjilanin ashtu siç është, ka thënë Arifi, duke rikujtuar se të martën, më 16 tetor 2012, mbahet debati, ku qytetarët kanë edhe një mundësi që t`i paraqesin vërejtjet e tyre, të cilat me siguri se do të merren parasysh nga grupi hartues, nëse jenë të arsyeshme dhe të argumentuara./rajonipress/