Fundamenti

Miratohet projektbuxheti për vitin 2013

/ 6 minuta lexim

Pas debatit disaorësh deputetët e Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, 31 kundër dhe 1 abstenim kanë miratuar në lexim të parë Projektbuxhetin për vitin 2013.

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka kërkuar nga deputetët që votojnë këtë projektbuxhet. “Stafi i ministrisë ka dëgjuar kërkesat dhe kritikat e deputetëve dhe shpresoj që do të merren parasysh. Shpresoj që sot të aprovohet ky buxhet, ndërsa në diskutimet në komisione këto kërkesa të aprovohen”, ka thënë Hamza.

Pas debatit të zhvilluar, në fund të seancës është miratuar Projektbuxheti për vitin 2013 me 62 vota për 31 kundër dhe 1 abstenim.

Këtë projektbuxhet e kanë kundërshtuar partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, ndërkohë AAK e ka përkrah në lexim të parë.

LDK kthehet në seancë

Pas lëshimit të seancës së Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pas deklaratave që siç i kanë quajtur fyese nga deputetja e PDK-së, Sala Berisha Shala, deputetët e kësaj paryie janë kthyer sërish në seancë. Pas kësaj edhe deputetja Shala ka kërkuar falje, duke i thënë Grupit Parlamentar të LDK-së që nuk ka pas për qëllim të ofendoj askënd.

“Nuk e kam pas qëllimin të fyej askënd dhe ajo kohë që e përmenda ka përfunduar njëherë e përgjithmonë. Aspak nuk e ndiej veten të përulur t’ju kërkoj falje”, ka theksuar Berisha-Shala.

Seanca është ende duke vazhduar me diskutimet e deputetëve.

LDK lëshon seancën, gjatë debatit për projektbuxhetin

Në pjesën e dytë kur debatohej për projektbuxhetin e vitit 2013, Lidhja Demokratike e Kosovës ka lëshuar seancën, pas deklaratës së deputetes së PDK-së Sala Berisha-Shala, pasi që ajo një rast përmendi elaboratet e Qubrolloviqit. Pas kësaj LDK-ja kërkoi tërheqjen e fjalës nga deputetja, në të kundërtën lëshon seancën.

Seanca në pjesën e dytë kur debatohej për projektbuxhetin ka vazhduar me një debat mes pozitës dhe opozitës.

Në fjalën e saj deputetja Sala Berisha-Shala deklaroi se jot ë gjithë njerëzit e LDK-së mendojnë njëjtë. Sipas saj grupi i ekspertëve të LDK-së dhe deputeti Lutfi Haziri në fjalimin e tij kanë paraqitur të dhëna të ndryshme, ku një rast përmendi elaboratet e Qubrolloviqit.

Pas kësaj deklarate ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka kërkuar nga deputetja tërheqjen e fjalës ose në të kundërtën LDK do të lëshoj seancën.

“Nëse kjo nuk kërkon falje për këto shprehje. Nëse nuk kërkon falje ne e lëshojmë seancë. Kësaj ja falim Qubrolloviqin”, ka thënë Beqiri.

Ndërkohë kryeparlamentari, Krasniqi ka thënë se nuk e ka dëgjuar me vëmendje fjalimin e deputetes, por ka thënë se nëse është thënë ashtu nga deputetja ajo të tërheq fjalën.

Më pas deputetja Shala ka marr fjalën dhe ju është drejtuar deputeti Beqiri që të mos i keqkuptoj deklarata e saj.

Fundamenti

“Mos keqkuptoni nuk e thash. Ka përfunduar koha e Qubrulloviqit. Mos u lidhni për këtë fjalë. Keni keqkuptuar dhe nuk e kemi pas fjalën për juve”, ka theksuar Shala.

Por me këtë nuk është pajtuar Grupi Parlamentar i LDK-së, të cilët janë zgjuar për të lëshuar seancën, edhe pas lutjes së kryeparlamentarit Krasniqi të qëndrojnë në seancë.

Ndryshe gjatë ditës është zhvilluar një debat i gjatë me akuza e kundër akuza për projektbuxhetin. /Kosovapress/

Përplasen për buxhetin

Me përplasje ndërmjet pozitës dhe opozitës po përcillet debati për projektbuxhetin e vitit 2013. Opozita paralajmëroi votën kundër këtij projektbuxheti. Ministri i Financave, Bedri Hamza teksa bëri prezantimin, tha se buxheti i vitit 2013 është buxhet i zhvillimit të shtetit të Kosovës.

Ai tha se ky buxhet parasheh ngritjen e mirëqenies sociale, pensionet me rritje të kategorive të ndryshme të pensionistëve dhe mbi të gjitha me këtë buxhet do të vazhdojnë investimet kapitale.

“Mbi të gjitha vazhdon trendi i investimeve kapitale. Me këtë projektbuxhet sigurohen mjete të mjaftueshme për përfundimin e projektit të autostradës së kombit ‘Ibrahim Rugova’ sipas kontratës dhe fillimin e autostradës së re prej Prishtinës në Shkup”, tha Hamza.

Buxheti që planifikohet të jetë 1 miliardë e 586 milionë euro, është kundërshtuar nga LDK-ja dhe Lëvizje Vetëvendosje, ndërsa AAK-ja i ka dhënë mbështetje në lexim të parë. Naser Osmani nga LDK-ja e quajti të dëmshëm projektbuxhetin e prezantuar nga ministri i Financave.

“LDK-ja nuk mund ta mbështes këtë buxhet, pasi që është në dëm të qytetarëve dhe bizniseve. LDK-ja kërkon që të rishikohet shpërndarja e investimeve kapitale, sidomos në arsim dhe në infrastrukturë rrugore dhe të shpërndahen drejt nëpër komuna, bazuar në formulat për shpërndarjen e granteve nëpër komuna”, tha Osmani.

Ndërsa Visar Ymeri nga Vetëvendosje tha se edhe ky buxhet vazhdon të varet nga doganat dhe është vetëm buxhet shpenzues.

“Ky është buxhet i cili nuk ka fare koncept të zhvillimit, ky është një buxhet i asfaltit e betonit, e jo buxhet i investimeve në sektorët prodhues. Zhvillimi ekonomik i Kosovës, duhet ta dimë të gjithë, vjen nga investimet në prodhim, nga hapja e vendeve të punës në bujqësi, në energji e industri”, tha Ymeri.

Ardian Gjini tha se AAK-ja do ta votojë në lexim të parë këtë projektbuxhet, por ai ka vënë kushte për votën në lexim të dytë.

“Aleanca kërkon që Qeveria e Kosovës me komisionin për buxhet dhe financa të gjejë mjetet për ndërtimin e rrugës drejt Pejës, vazhdimin e ndërtimit. Nëse kjo nuk ndodhë, me siguri se do të jemi kundër në leximin e dytë”, tha Gjini.

Nga ana tjetër, komisioni për buxhet dhe financa dhe përfaqësuesit e koalicionit qeverisës i dhanë mbështetje projektbuxhetit 2013. Myzejene Selmani nga Koalicioni për Kosovë të Re e quajti këtë projektbuxhet të mundësive.

“Projektbuxheti 2013 mund të themi se është projektbuxhet i mundësive, ku rritja ekonomike arrihet nga investimet kapitale dhe nga një pjesë e investimeve private”, tha Selmani.

Debati për projektbuxhetin e vitit 2013 po vazhdon edhe më tutje, me qëndrime të ndryshme ndërmjet pozitës dhe opozitës. Ndryshe, buxheti i vitit 2013 në vlerë prej rreth 1.6 miliard euro, bazohet kryesisht në të hyrat nga doganat dhe të hyrat e brendshme. Rritja ekonomike për vitin e ardhshëm, parashihet të jetë 4.5 për qind. /rtk/