UBT

Miratohet orari i aktiviteteve të “Flakës së Janarit 2013”

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Këshilli i Flakës së Janarit miratoi kalendarin e aktiviteteve të këtij manifestimi tradicional unik në trojet shqiptare i cili sikur herëve tjera, përbehet nga katër shtylla kryesore, “Peneli i Flakës”, “Talia e Flakës”, “Pena e Flakës” dhe “Festa Flaka” e cila e përmbyll manifestimin tradicional kulturor i cili mbahet në nderim dhe kujtim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të historisë shqiptare.

Sipas kalendarit të “Flakës së Janarit 2013”, të miratuar nga Bordi i Flakës, manifestimi tradicional kulturor si rëndom nis më 11 janar me homazhet tek Varrezat e Dëshmorëve, një pritje për familjet e dëshmorëve nga kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa dhe ndezjen e flakadanit i cili do të qëndrojë i ndezur deri në fund të këtij manifestimi.

Takimi i Bordit është udhëhequr nga Veton Nevzati, drejtor i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (DKRS), i cili duke folur për përgatitjet që po bëhen, tha se po punojnë me përkushtim, në mënyrë që Flaka… të dalë sa më mirë që është e mundur, pasi ky manifestim vlerësohet si identitet kulturor i Gjilanit.

Drejtori Nevzati tha se sipas parashikimeve “Flaka e Janarit” do të kushtojë 37. 950 shpenzime të cilat do të mbulohen nga komuna, një pjesë nga Ministria e Kulturës e cila ka premtuar përkrahje për ngjarjen e më të madhe kulturore të Gjilanit, sikur që pritet përkrahje edhe nga donatorë privat.

Në takimin ku ishin prezent edhe zyrtarë komunalë të financave u tha se këtë vit nuk do të ketë vonesa të pagesave për fituesit e kategorive të ndryshe, pasi do të ndahet subvencione të mëhershme dhe në këtë mënyrë nuk do të ketë probleme të këtilla dhe se krejt kjo është sipas rregulloreve komunale për subvencione.

Mobi Casa

Enkelejda Arifi zyrtare në drejtorinë për kulturë, prezantoi në detaje programin e Flakës dhe bashkë me anëtarët tjerë të bordit u caktuan edhe datat dhe orët e aktiviteteve që do të mbahen në kuadër të këtij manifestimi të madh kulturor. Ajo tha se druan që zvogëlimi i buxhetit mund të ndikojë në zvogëlimin e aktiviteteve të Flakës.

Zyrtarët financiar thanë se “Flaka e Janarit” po përcillet me llupë nga Auditori gjeneral, ndonëse deri tash gjithçka ka qenë transparente dhe se ashtu do të jetë edhe këtë radhë, por se ata janë të interesuar që gjithçka të shkoj sipas ligjit dhe rregulloreve.

Manifestimi i sivjetmë pritet të tubojë në Gjilan mijëra artistë e artdashës nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët do ta shndërrojnë Gjilanin në një kryeqendër të kulturës shqiptare.

Ndryshe, sipas programit, hapja solemne e “Flakës së Janarit 2013” do të bëhet me 11 janar, kur do të bëhen edhe homazhe tek “Varrezat e Dëshmorëve”, pastaj pritje për familjet e dëshmorëve, do të ndizet flakadani dhe mbahen “Xixat e Flakës”, mbrëmje e muzikës për fëmijë, më 17 Janar, mbahet Akademia e Flakës…. e cila do të pasohet nga një koncert i muzikës serioze dhe Ekspozita e Artit Pamor e cila ka karakter garues, më 19 janar në kuadër të “Talias së Flakës”, nis festivali i Dramës Shqipe, ku do të shfaqen pesë shfaqje, më 24 janar në kuadër të “Penës së Flakës”, do të bëhet shpallja e rezultateve të konkursit letrar në poezi dhe tregim të shkurtër pastaj mbahet Ora e madhe letrare dhe krejt në fund, aktivitetet e shumta të “Flakës së Janarit 2013”, do t’i përmbyll më 25 janar mbrëmja e muzikës popullore që njihet si “Fest Flaka”./rajonipress/