ARKATANA

Miratohen kriteret për vlerësimin e meritave historike e shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Këshilli për vlerësimin e meritave historike dhe shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i komunës së Gjilanit, por edhe nga tërësia etnike dhe nga bota, ka miratuar kriteret në bazë të të cilave do të hartojë listën përfundimtare për ngritjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve apo simboleve.

Arzie Nuhiu, kryesuese e Këshillit, ka thënë se përpilimi i kritereve është bërë sipas metodologjisë historike nga historianët Naim Musliu e Fitim Rifati. Këshilli, me disa plotësime e modifikime tekstuale i ka miratuar 17 kritere mbi të cilat do të bëhet vlerësimi i personaliteteve dhe ngjarjeve në dimensionin kohor dhe hapësinor.

Për hir të pjekurisë së fakteve, do të respektohet distanca kohore, me përjashtim të rasteve të veçanta. Personalitetet e gjalla nuk mund të propozohen. Sipas këtyre kritereve do të shqyrtohet dhe vlerësohet gjithanshëm çdo personalitet dhe ngjarje në aspektin e kontributit kombëtar dhe intelektual.

Do të shfrytëzohen edhe arkivat vendore dhe të jashtme, nëse është e nevojshme për plotësimin e dokumentacionit për një personalitet apo ngjarje. Si alternativë mund të shfrytëzohet terreni, për të mbledhur fakte nga familjarë dhe personalitete që kanë njohuri për një personalitet ose ngjarje të caktuar. Por, Këshilli do ta konstatojë saktësinë ose pasaktësinë e fakteve të grumbulluara. Në mungesë të të dhënave të qëndrueshme, Këshilli nuk do shqyrtojë personalitetin apo ngjarjen deri në gjetjen e fakteve të reja.

Në bazë të fakteve, Këshilli konstaton se personaliteti apo ngjarja konsiderohet se ka vlera kombëtare, intelektuale, në përputhje me hapësirën gjeografike kohore shqiptare dhe e rendit në listën përfundimtare.

Këshilli do të bëjë sistemimin kronologjik të personaliteteve dhe ngjarjeve, në bazë të shtatë periudhave historike, që përfshijnë: Kohën e lashtë dhe mesjetën (deri më 1455), Periudhën Osmane (shek. XV-1912), Luftërat Ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore (1912-1918), Periudhën ndërmjet dy luftërave botërore (1919-1939), Luftën e Dytë Botërore (1939-1945), Periudhën pas Luftës së Dytë Botërore (1946-1989), Periudhën e lëvizjeve për liri, pavarësi, demokraci dhe luftën e UÇK-së për çlirimin e Kosovës (1990-1999).

Para se të hartojë listën përfundimtare mbi vlerësimin e personaliteteve dhe ngjarjeve nga e kaluara jonë kombëtare, për ngritjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve apo simboleve, është e nevojshme që Këshilli të posedojë listën e emrave të vendosur në Memorialin e Dëshmorëve, Listën e emërtimeve të rrugëve dhe shesheve të Gjilanit, Listën e busteve, përmendoreve dhe pllakave që ekzistojnë në territorin e Gjilanit, Listën e emërtimeve të shkollave, Listën e emërtimeve të objekteve institucioneve dhe organizatave të tjera komunale. Çdo personalitet dhe ngjarje radhitet në listën përfundimtare me konsensus, ose me 2/3 e votave të anëtarëve të Këshillit.

Eco Higjiena

Vlerësimi dhe sistemimi i propozimeve do të kalojë nëpër dy etapa. Në etapën e parë anëtarët e Këshillit arsyetojnë propozimet e tyre para Këshillit, i cili bënë vlerësimin dhe votimin për apo kundër personaliteteve dhe ngjarjeve sipas kritereve të përcaktuara.

Në etapën e dytë, personalitetet apo ngjarjet të cilat kanë marrë konsensusin ose 2/3 e votave të anëtarëve të Këshillit në votimin paraprak, do të kalojnë në vlerësim dhe shqyrtim të zgjeruar, duke u hapur dosjet për secilin personalitet apo ngjarje historike.

Pas këtij vlerësimi, në bazë të kritereve përcaktuara, Këshilli bën votimin përfundimtar dhe vendos për vënien apo mosvënien e personalitetit apo ngjarjes në listën përfundimtare.

Këshilli obligohet, që pas hartimit të listës përfundimtare, të hartojë biografi të veçantë për secilin personalitet dhe ngjarje, të cilën në rast nevoje do t`ia paraqes Kuvendit të Komunës.

Në mënyrë që të vlerësojë dhe promovojë personalitete dhe ngjarje lokale me dimension gjithëkombëtar, Këshilli u jep përparësi personaliteteve dhe ngjarjeve nga Komuna e Gjilanit dhe Anamorava.

Këshilli ruan pavarësinë e tij dhe mban të mbyllura temat, diskutimet, vlerësimet dhe vendimet e tij nga reflektimi apo ndikimi i sfondit politik, shoqëror dhe familjar. /rajonipress/

Mund të ju interesoj: