Miqësorja askund, Bunjaku kontakton futbollistët
Ndonëse ndeshja e 5 marsit nuk duket askund në horizont, përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaku, nuk duket se është i zhgënjyer. Ai po vazhdon punën e tij, duke i kontaktuar futbollistët kosovarë në gjithë Evropën, për ta parë mundësinë e afrimit të tyre në përfaqësuesen e Kosovës.
Bunjaku as sot nuk është në gjendje të na japë një përgjigje nëse ajo ndeshje do të zhvillohet apo jo. Për të me rëndësi është pranimi nga FIFA, derisa ndeshjet gjithsesi se do të organizohen në të ardhmen.
“Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me agjencitë për organizimin e ndeshjeve, janë duke bërë të gjitha përpjekjet e mundura për realizimin e lojës me datën 5 mars. Afati kohor ishte shumë i shkurtër kur është në pyetje planifikimi i kombëtareve të cilat ndeshjet e tyre i planifikojnë shumë më herët”, ka thënë Bunjaku në një bisedë për gazetën tonë, i cili më pas ka folur rreth obligimeve që ka ai si përzgjedhës.
“Në punën time janë të përfshira takime të shumta dhe vizita ndeshjeve në të cilat janë lojtarët tanë. Këto vizita i kemi ndarë në tri grupe. Trajneri Muharrem Sahiti do të merret më shumë me regjionin, përderisa unë dhe Tord Grip merremi më shumë me vizitat në Evropë”, tha Bunjaku, i cili edhe njëherë i ka qëndruar besnik fjalës së tij duke mos njoftuar se me cilët futbollistë ka biseduar.
“Është e pamundur tani të them me kë bisedoj dhe ku luajnë ata, ngase do të vështirësonte punën time e sidomos në kohën ku gjendemi tani”, tha numri një i bankinës së Kosovës, i cili atë që ka mundur të thotë është se deri më tash qasja e futbollistëve ndaj Kosovës është pozitive.
Kohëve të fundit janë zbuluar disa emra që i ka kontaktuar trajneri e ku i fundit është ai i Alban Mehës, i cili mësohet se është i gatshëm të mendojë të luajë për fanellën e Kosovës, por që në kohën kur ajo të pranohet me të drejta të plota, pasi që në këtë fazë është jologjike ta lërë Shqipërinë vetëm për ndeshje miqësore.
“Të gjithë lojtarët që unë kam kontaktuar kanë qëndrim pozitiv dhe janë të lumtur me mundësinë që i është dhënë. Ata e kuptojnë se ky është edhe një hap më afër objektivit tonë që është pranimi i plotë në UEFA e FIFA”, njoftoi përzgjedhësi.
Bunjaku e ka pranuar se dështimi i mundshëm i ndeshjes së 5 marsit mund të ketë ndikim negativ te lojtarët, por ata e dinë se mundësia e organizimit të ndeshjes ka qenë e vogël.
“Normalisht së edhe lojtarët janë të etur për lojë, por të gjithë e kanë kuptuar se mundësia për zhvillimin e ndeshjeve si dhe kontinuiteti i tyre janë shumë të rëndësishme për krijimin e një kombëtare të fuqishme dhe ky është vetëm fillimi i rrugës sonë. Kryesorja është që vendimi për zhvillimin e ndeshjeve është marrë dhe se lojë do të ketë në një të ardhme shumë të afërt”, përfundoi trajneri i Kosovës, Albert Bunjaku.
Të rikujtojmë se tash për tash është e sigurt se nëse luhet ndeshja me 5 mars, ajo të organizohet jashtë Kosovës, derisa në opsion vazhdon të mbeten Ishujt Fareo, Xhamajka, Shqipëria dhe Kolumbi, edhe pse kjo e fundit duket se do të jetë e pamundur të realizohet.

