Ministria regjistron bizneset në kundërshtim me Pakon e Ahtisaarit

Prishtinë – Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë kundërligjshëm ka autorizuar Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve që të kryejë regjistrimin e bizneseve nëpër komuna. Regjistrimi i bizneseve nga kjo agjenci bie në kundërshtim me Pakon e Ahtisaarit.
Kjo pako përcakton që niveli komunal të kryejë të dyja veprimtaritë, regjistrimin dhe licencimin e bizneseve, përderisa nuk përmenden në asnjë moment që të njëjtën punë ta bëjnë institucionet qendrore.
“Autoritetet qendrore në Kosovë do të delegojnë përgjegjësitë mbi kompetencat në vijim tek komunat, në pajtim me ligjin: regjistrat kadastralë, regjistrat civilë, regjistrimi i votuesve, regjistrimi dhe licencimi i bizneseve, shpërndarja e pagesave të asistencës sociale përjashtuar pensionet dhe mbrojtjen e pyjeve”, thuhet në Pakon e Ahtisaarit, në çështjen mbi kompetencat e zgjeruara vetjake të komunave. Sipas kësaj pakoje, autoritetet qendrore mund të delegojnë kompetenca shtesë tek komunat, sipas nevojës, në përputhje me ligjin.
Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë kanë thënë për Kohën Ditore se çështja e regjistrimit të bizneseve dhe licencimit të tyre është e rregulluar me Ligjin për shoqëritë tregtare.(koha)