Ministria e vonuar
Sindikalistët bujqësorë kanë alarmuar për vonesat në fillimin e mbjelljeve vjeshtore. Si pasojë vitin që vjen thonë se do të ketë më pak sipërfaqe të mbjella dhe rendimente më të ulëta. Për këtë akuzojnë Ministrinë e Bujqësisë, e cila i quan të pavërteta deklarimet e sindikalistëve.
Kosova rrezikon që në mot të ketë më pak sipërfaqe të mbjella dhe rendimente më të ulëta. Krejt kjo, sipas Federatës Sindikale të Bujqve, sherri i vonesave në fillimin e mbjelljeve vjeshtore.
Një pjesë të fajit për këtë sindikalistët ia hedhin Ministrisë se Bujqësisë, e cila, sipas tyre, nuk po krijon kushte për sigurimin e mekanizmit bujqësorë dhe i cili u mungon bujqve të Kosovës.
Kreu i kësaj sindikate, Tahir Tahiri, përmes një konference për media u bëri apel bujqve që të mos presin kushte ideale, por me ato pak mundësi që kanë ta bëjnë të pamundurën dhe ta shfrytëzojnë afatin optimal të mbjelljes, pasi që ekziston rreziku që të fillojnë të reshurat dhe të mbesin sipërfaqe të mëdha pa u mbjell.
Tahiri tha se e kanë parë të nevojshme të apelojnë tek bujqit për mbjellje, pasi Ministria e Bujqësisë nuk po e bën një gjë të tillë.
“Me vonesën e saj do të thotë se ne do të kemi sipërfaqe shumë më të vogla sesa vitin e kaluar. Do të kemi bukë shumë më pak. Faktorët tjerë që do të ndikojnë e që janë destimulues për bujqit janë edhe çmimet jashtëzakonisht të larta të retromaterialit, plehut farës, naftës dhe kjo është destimuluese. Ministria e Bujqësisë po hesht lidhur me subvencionimin e grurit dhe me gjasë nuk do të ketë subvencionim të grurit dhe kjo është një faktor që bujqit janë ftoh dhe nuk janë të stimuluar që të mbillen sipërfaqe më të mëdha me grurë”, pohoi ai.
Sipas tij, një prej faktorëve për vonesën e mbjelljeve vjeshtore është edhe mungesa e madhe e mekanizimit bujqësor, pasi që një numër i madh i bujqve s’kanë fare mekanizim, kurse të tjerët kanë një mekanizim të lehtë, që në këto kushte është problem të bëhet përgatitja e mbjelljeve vjeshtore.
Ndërkaq lajm të mirë, Tahiri e quan vendimin e Ministrisë së Tregtisë për sigurimin e rezervave shtetërore. Megjithatë, sipas tij, planifikimi prej 1 100 tonë grurë është sasi jashtëzakonisht e vogël, pasi që kjo mjafton vetëm për dy tri ditë bukë për popullatën.
Nga ana tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë hedhin poshtë deklarimet e Tahirit duke pohuar se afati optimal për mbjelljet vjeshtore është prej 15 tetorit deri më 15 nëntor dhe këto mbjellje, sipas tyre, tashmë kanë filluar.
Zëdhënësi i Ministrinë e Bujqësisë, Adil Behramaj ka thënë se përgatitjet kanë përfunduar me kohë në shumicën e komunave dhe sivjet ministria e bujqësisë do t’i rrit edhe subvencionet për mbjelljet vjeshtore për rreth 25 për qind.
“Përgatitjet kanë përfunduar në shumicën e komunave me kohë dhe sivjet ne do t’i rrisim edhe subvencionet për mbjelljet vjeshtore për rreth 25 për qind. Si rrjedhojë, ashtu siç ka pasur rritje të sipërfaqeve të mbjella për rreth 14 mijë hektarë në mbjelljet e kaluara, presim që të ketë rritje të sipërfaqeve të mbjella përsëri, mirëpo kjo do të dihet saktësisht vetëm kur të përfundojnë të mbjellat vjeshtore në tërësi. Mbarëvajtja e procesit është duke shkuar shumë mirë dhe sapo t’i grumbullojmë të gjitha të dhënat nga komunat, ne do t’ju informojmë më detajisht”, pohoi Behramaj.
Behramaj, deklaratat e Tahirit i quan qëndrime të një OJQ-je të politizuar, e cila përfaqëson vetëm interesat e ngushta të 4-5 personave, që përmes ndonjë aktiviteti të dielave, dalin e flasin për çështje, që nuk i kuptojnë dhe nuk i kanë as informacionet elementare rreth tyre dhe se qëndrimet e tyre , nuk u interesojnë aspak.(express)