RCCOLA

Ministria e Shtetit, barrë shtesë për buxhetin

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Shtimi edhe i një ministrie të re, që pritet të jetë Ministria e Shtetit, të cilën ta udhëheq një ministër nga komunitetit serb, do të jetë barrë shtesë për buxhetin e konsoliduar të Kosovës.

Eksperti i ekonomisë dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, tha për Telegrafin se është vështirë që të jepet një vlerësim i saktë për ministrinë e re, për shkak se deri më tani nuk kemi dëgjuar justifikimin e Qeverisë së Kosovës për këtë çështje.

Sipas tij, është mirë të dihet se “sa njerëz do të angazhohen në administratën e kësaj ministrie, apo do të jetë vetëm ministri me shoferin e tij”.

“Mendoj që kjo nuk është mënyra më e mirë e trajtimit të problemit, vendosja aty për aty e shtimit edhe të një dikasteri qeveritar, kur dihet se kemi shumë ministri. Ndoshta ekzekutivi kosovar ka arsye pse po e bën këtë gjë”, tha Mustafa për Telegrafin.

UBT

Ai thotë se parimisht ka mundur të bëhet një organizim brenda situatës ekzistuese me forcat ekzistuese që brenda Qeverisë të mbulohet ky problem, sepse, sipas tij, në aspektin buxhetor, angazhimi i shumë njerëzve, e rëndon buxhetin e Kosovës.

“Varet se sa njerëz do të jenë të angazhuar, a do të jetë vetëm një ministër, apo do të ketë staf më të madh. Mendoj se është dashur të mbulohet ky vakum nëse ka ekzistuar me stafin të cilin e ka aktualisht Qeveria e Kosovës”, ka shtuar Mustafa.

Ministria e Shtetit, e cila pritet të formohet së shpejti thuhet se do të drejtohet nga Milan Zdravkoviq, 33 vjeçar nga Ranillugu.

Fusha e përgjegjësisë dhe detyrat e kësaj ministrie do të përcaktohen me ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit, Rregullores 16/2013 për strukturën organizative të Zyrës së Kryeministrit dhe legjislacionit tjetër në fuqi.