Ministria e Shëndetësisë mbanë peng Spitalin e Gjilanit

Gjilan – Spitali Rajonal i Gjilanit që nga viti 2012 është me ushtrues detyre të drejtorit gjeneral. Pavarësisht se në këtë mandat ka pasur rezultate të shumta, megjithatë është shfaqur si pengesë serioze në punë çështja e mos zgjedhjes me kohë të drejtorit gjeneral. Kader Hyseini zëvendësministër i Shëndetësisë tha për rajonipress se ka gjasa që të anulohet sërish konkursi pasiqë tani përgjegjës për emërim të mund të jetë Bordi i ri.
Që nga gushti i vitit 2012 Spitali Rajonal i Gjilanit funksionon me ushtrues detyre të drejtorit gjeneral, raporton rajonipress.
Pavarësisht se Abdylatif Latifi aktualisht u.d. është treguar menaxhues i mirë dhe ka pasur rezultate, megjithatë mos emërimi me kohë dhe shtyrja apo anulimi i konkursit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë e ka dëmtuar dhe goditur perspektivën e Spitalit Rajonal të Gjilanit.
Hazir Haziri drejtor i administratës në spitalin e Gjilanit tha për rajonipress se edhe tani është mbyllur konkursi dhe ne ende s`kemi asnjë informacion se a do të intervistohen kandidatët apo sërish do të anulohet.”Këto procedura vërtet e kanë ngulfatur të ardhmen e Spitalit. Për këtë periudhë është bërë punë shumë e mirë dhe me përkushtim, por megjithatë kur nuk i ke duart e lira për të vepruar është më ndryshe. Ministria e Shëndetësisë është dashur më herët ta përfundojë këtë procedurë” thotë Haziri.
Kadir Hyseini zëvendësministër i Shëndetësisë i kontaktuar nga rajonipress tha se ende s’është e qartë se si do të vazhdohet tutje rreth konkursit nëpër spitalet rajonale.”Nuk e kemi të qartë nëse duhet të vazhdojë bordi i vjetër apo ky Bordi i ri i cili është krijuar tani. Besojmë që deri të premten dihet saktësisht nëse do të anulohet sërish konkursi apo do të vazhdohet me të vjetrën” tha Hyseini./rajonipress/