Ministri Krasniqi tregon hapat që duhet të ndërmerren për jetësimin e peticionit për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri

/ 4 minuta lexim

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar pas nismës së qytetarëve në Komunat e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, për inicimin e procedurave për largimin e kryetarëve në katër komunat veriore.

Krasniqi ka thënë se “nga raportimet në media, kemi kuptuar se qytetarë nga Komunat e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, kanë përgatitur kërkesën për inicimin e procedurave për largimin e kryetarëve të komunave nga vijnë”.

:Siç jemi të informuar gjatë ditës së djeshme në Komunën e Mitrovicës Veriore, kërkesa nga ana e qytetarëve nuk është drejtuar zyrtarisht tek Kryesuesi i Kuvendit Komunal. Ndërsa në Komunat Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, përveç raportimeve nga media nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare drejtuar kuvendeve komunale respektive”, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se “për këtë çështje po ndërmerren të gjitha masat praktike që qytetarët tanë të ushtrojnë të drejtat e tyre që burojnë nga Ligji për zgjedhjet lokale dhe Udhëzimi Administrativ përkatës”.

“Meqenëse kjo është një nismë që kërkon disa njohuri praktike gjejmë rastin të rendisim edhe njëherë disa çështje kryesore lidhur me këtë proces;

-Udhëzimi administrativ, përcakton qartë procedurat e inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

-Inicimi i kërkesës niset nga së paku tre qytetarë me të drejtë vote në atë komunë.

-Qytetarët e interesuar duhet të themelojnë një grup nismëtar.

-Grupi nismëtar njofton zyrtarisht Kryesuesin e kuvendit komunal. Brenda pesë ditëve atyre duhet t’u kthehet përgjigje.

Fundamenti

-Pas pranimit të kërkesës Kryesuesi i Kuvendit Komunal njofton kryetarin e komunës përkatëse, MAPL-në dhe KQZ-në.

-Ndërsa institucionet komunikojnë zyrtarisht mes tyre për të krijuar kushtet që ua mundëson qytetarëve këtë nismë.

-Pra, pas pranimit të kërkesës dhe njoftimit të Kryetarit, MAPL-së dhe KQZ-së vijojnë procedurat dhe afatet e përcaktuara me udhëzimin administrativ.

-Kërkesa e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas Krasniqit, deri në këto momente nuk ka asnjë kërkesë të pranuar nga Kryesuesit e kuvendeve komunale dhe rrjedhimisht asnjë njoftim nga kryesuesit për MAPL-në.

“Ne jemi të gatshëm që sapo ky proces të nisë zyrtarisht të plotësojmë menjëherë detyrat tona. MAPL do të njoftojë publikisht për vijimësinë e këtij procesi”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, Komisioni Qendror Zgjedhor u ka kthyer përgjigje qytetarëve serbë të cilët i kishin dërguar këtij institucioni formularë të plotësuar për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarëve në veri të vendit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se i kanë njoftuar qytetarët serbë që sipas akteve nënligjore të MAPL-së, kjo çështje duhet të dorëzohet te kryesuesi i kuvendit komunal në komunat përkatëse.

“Mund t’iu konfirmoj se shkresat të cilat i kemi pranuar më 5 dhjetor përmes e-mailit, janë shqyrtuar dhe u kemi kthyer përgjigje, me anë të të cilave i kemi njoftuar se sipas akteve nënligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kjo çështje duhet të adresohet tek kyesuesi i kuvendit komunal në komunat përkatëse, andaj i kemi udhëzuar që kërkesat e dorëzuara në KQZ t’i adresojnë tek autoriteti kompetent”, ka thënë Elezi. /Telegrafi/