Ministri Hoxhaj: Dy vende afër njohjes së Kosovës

6 vjet pas Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, Kosova është në kërkim të njohjeve të reja në shtetësisë së saj.
Një shtet i Afrikës dhe një i Amerikës Latine së shpejti do ta njohin Republikën e Kosovës, paralajmëroi ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj në intervistën dhënë RTV 21
“Gjatë këtyre dy ditëve në New York por edhe gjatë tre javëve të fundit si ministër i jashtëm kam arritur të flas me shumë vende që nuk e kanë njohur pavarësinë. Gjatë këtyre takimeve mund të them se janë dy vende në prag të njohjes së Pavarësisë së Kosovës, një vend është afrikan dhe një tjetër është në Amerikën Latine”, tha Hoxhaj.
Ai ka thënë që gjatë vizitës së tij në New York, ka realizuar takime të tjera të rëndësishme në OKB, duke thënë se i ka njoftuar me progresin e arritur të Kosovës, si dhe siç ka thënë ai, domosdoshmërinë e njohjes së Pavarësisë.
“Gjatë këtyre ditëve kam pasur takime shumë të mira në OKB. Kam arritur që të takoj shumë shtete që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, është një listë e gjatë e vendeve të cilat i kam takuar dhe i kam informuar për progresin që ka bërë Kosova dhe për domosdoshmërinë e njohjes së Pavarësisë”, tha ministri Hoxhaj.