Mimoza Gashi fiton titullin “Golden Girl”

Gjilan – Mimoza Gashi e cila ka bërë famë si boksere në Suedi ajo këtë të shtune ka fituar edhe titullin “Golden Girll”. Mimoza ka thënë për rajonipress se nuk do të ndalet asnjëherë në luftën e saj për ta bërë krenare familjen dhe Kosovën.
Mimoza Gashi është boksere e re, por që ka arritur për një kohë shumë të shkurtër rezultate kulminante. Ajo këtë të shtunë në një garë të fortë ku kanë marrë pjesë mbi 100 boksere të Suedisë ka arritur të fitojë titullin “Golden Girl Diplom league”.
Shqiptarja Mimoza Gashi në këtë garë e ka përfaqësuar Klubin e boksit NBK Akilles në Norrköping të Suedisë.
Pas këtij rezultati Mimoza shpreson të arrijë deri tek finalja më e madhe e Kampionatit të Artë që pritet të mbahet më 2014. Nga mediet suedeze Mimoza është vlerësuar si boksere e rrezikshme e cila ka luftuar në klasën e peshës 48-52 kg.
Gjatë karrierës së saj të shkurtër në boks ajo ka arritur më shumë se që e ka menduar. Deri tani ka zhvilluar mbi 20 meçe dhe të gjitha i ka fituar. “Shumë shpejt do të bëhem boksere e peshave të rënda dhe do të bëhem edhe më e mirë në ring dhe kurrë nuk do ta ndali boksin derisa t`i arrijë qëllimet e mija . Qëllimi im nuk është vetëm fitorja, me rëndësi për mua është që të hyjë në ring dhe të boksoj në stilin tim dhe ta bëjë familjen time krenaren, mbiemrin tim dhe Kosovën time të dashur që e dua fort” shprehet Gashi.
Ajo thotë se deri tani nuk ka asnjë humbje. Ata që e njohin Mimozën e në veçanti trajneri i saj dhe gjyqtari Stefan Nordin thonë se me këtë ritëm të rezultateve Gashi mund të jetë edhe pjesëmarrëse e Olimpiadës së ardhshme që pritet të mbahet në vitin 2016.
Edhe Mimoza ka fjalë të mira për trajnerin , gjyqtarët dhe rrethin ku ajo ushtron e vepron. Ndryshe, Mimoza ka prejardhje nga Prishtina kurse familja e saj kishte migruar në Suedi gjatë viteve 90-ta./rajonipress/