Hidromorava

Milo: Shqiptarët gjithnjë e më përcaktues në fatet e rajonit

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Prishtinë – Shqiptarët tani janë një nga kombet më të fuqishme në Ballkan, një komb që në të ardhmen do të jetë gjithnjë e më shumë përcaktues në fatet e rajonit tonë. Kështu thotë historiani i njohur shqiptar, Paskal Milo, në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën, në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar. Ai thotë se brenda këtij dhjetë vjeçari, të gjithë shqiptarët kudo që janë në rajon, do të jenë pjesë e familjes evropiane.

Historiani i njohur shqiptar, Paskal Milo, thotë se 100 vjet pas shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, shoqëria shqiptare pa dyshim që është në një nivel shumë më të lartë nga të gjitha pikëpamjet. Në një intervistë për Radio Kosovën, ai thotë se shqiptarët janë një faktor shumë i rëndësishëm në Ballkan.

“Shqiptarët tani janë një nga kombet më të fuqishme në Ballkan, një nga kombet që kanë një vitalitet të madh në raport me kombet e tjera, një komb që ka një perspektivë zhvillimi të gjithanshëm dhe që në të ardhmen do të jetë gjithnjë e më shumë përcaktues në fatet e rajonit tonë dhe që do të jetë me siguri një element që do garantojë paqe, stabilitet dhe siguri dhe që gjithashtu do të jetë një komb që do të jap tonin zhvillimeve integruese të rajonit në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euro-atlantike”, tha Milo

Mobi Casa

Milo thotë se roli i shqiptarëve në Ballkan ka ardhur dhe është bërë krejtësisht tjetër për nga dimensioni pas vitit 1999, pas çlirimit të Kosovës, pas të gjitha zhvillimeve pozitive dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni. Tashmë kemi një proces, që pavarësisht nga uljet dhe ngritjet e tij, do t’i çojë shqiptarët në bashkimin e tyre në familjen evropiane përmes proceseve integruese, thotë Milo.

“Në historinë e një kombi dhjetë vjet nuk janë shumë, kalojnë shpejt dhe unë mendoj që brenda këtij dhjetë vjeçar, të gjithë shqiptarët kudo që janë në rajonin tonë, do të jenë pjesë e familjes evropiane, do të rrëzohen edhe ata kufij formal që mund të ekzistojnë dhe që shqiptarët brenda këtyre dhjetë vjetëve do të hedhin hapa të tjerë të rëndësishëm drejt afrimit të tyre, që në mënyrë shumë të natyrshme do t’i çojë ata gjatë viteve të ardhshme, që të krijojnë atë nukël shqiptar në Bashkimin Evropian”, tha Milio.

Sipas historianit Milo, shqiptarët janë një komb që gjithnjë e më shumë po ndërgjegjësohen për rolin që ata kanë dhe që duhet të luajnë. Pikërisht forcimi i identitetit të shqiptarëve dhe forcimi i bindjes tek ata se vetëm duke qenë të koordinuar dhe të bashkuar, mund të ndikojnë më tepër në ndërtimin e fateve dhe të së ardhmes së tyre në garancinë e paqes, të sigurisë dhe të stabilitetit, thotë në intervistën për Radio Kosovën, historiani Paskal Milo .