ARKATANA

Militantë edhe në Bordin e Konkurrencës

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Partnerët e koalicionit qeverisës kanë propozuar militantë partiakë edhe në Bordin e Autoritetit të Konkurrencës, i cili Bord ka tri vjet që nuk është funksional.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ditë më parë ka bërë këto propozime për Bordin e Konkurrencës: Kujtim Raçin kryetar, Ahmet Krasniqin zëvendëskryetar, Fatime Hazirin anëtare, Mehmet Ballazhin anëtar, si dhe Sokol Krasniqin anëtar.

Mehmet Ballazhi, i propozuar për anëtar në Bordin e Autoritetit të Konkurrencës, vjen nga Partia Demokratike e Kosovës. Në zgjedhjet e kaluara Ballazhi ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, ku nuk kishte mundur t’i sigurojë votat e nevojshme.
Sokol Krasniqi, i propozuar për anëtar të Bordit, vjen nga radhët e LDK-së dhe aktualisht është edhe asamblist në Komunën e Prishtinës. Gjithashtu edhe Kujtim Raçi është anëtar i Kryesisë së Degës IV të LDK-së.
I kontaktuar nga gazeta “Zëri” Raçi me të dëgjuar pyetjen se a ka kandiduar në Bordin e Konkurrencës ka mbyllur telefonin.

Ndërsa Mehmet Ballazhi i kontaktuar nga gazeta “Zëri” e ka pranuar që ka kandiduar në Bordin e Autoritetit të Konkurrencës. Ai ka thënë se Qeveria ende nuk e ka njoftuar zyrtarisht si të propozuar për anëtar, ndërsa ka shtuar se nëse do të votohet nga deputetët e Kuvendit do të heqë dorë nga pozita në PDK.
“Unë nuk kam marrë asnjë njoftim zyrtar nga Qeveria e Kosovës lidhur me këtë, nga ju po dëgjoj këtë. Realisht unë kam kandiduar për në Bord. Tash nuk kam dhënë asnjë dorëheqje. Por, dorëheqje do të ofroj prej momentit që do të emërohem në Bord”, ka thënë ai. Ballazhi ka treguar se ka të përfunduar Fakultetin e Gjuhës gjermane, Shkollën e Lartë Pedologjike, si dhe atë të Menaxhimit.

Kandidati tjetër, Sokol Krasniqi, ka thënë se do të ofrojë dorëheqje prej momentit kur do të votohet në Kuvendin e Kosovës. “Kam konkurruar që të jem kandidat në Bordin e Konkurrencës. Po, e kam parë emrin në listë nëpërmjet medieve. Unë jam vetëm i propozuar nga Qeveria po nëse arrij që t’i marrë votat e deputetëve do të jap dorëheqje nga pozita e asamblistit në Komunë të Prishtinës”, ka thënë ai.

ARKATANA

Ndërsa kandidati Ahmet Krasniqi ka qenë edhe më herët anëtar i Bordit të Konkurrencës. Ai ka thënë se ka konkurruar përsëri që të jetë anëtar i Bordit.

Megjithatë, emrat e propozuar nga Qeveria e Kosovës nuk janë dërguar ende në Kuvendin e Kosovës. Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit, ka thënë se ende Qeveria nuk i ka dërguar emrat në Kuvendin e Kosovës. “Nuk kemi pranuar emra nga Qeveria, pas pranimit të emrave vazhdohet me hapat e tjerë proceduralë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Besim Beqaj, anëtar në Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, i cili e mbikëqyr Autoritetin e Konkurrencës, nuk ka folur nëse emrat e propozuar për anëtarë të Bordit të Konkurrencës janë profesionistë. “Nuk mund të flas nëse janë profesionistë, pasi që nuk i kam parë ende emrat”, ka thënë shkurt ai.

Ndryshe, përfaqësues të shoqërisë civile në vend në vazhdimësi kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me këto emërime politike nëpër borde.

Ata kishin kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i rishikojë menjëherë dhe t’i shfuqizojë këto vendime, ndërkohë Qeveria e Kosovës nuk mori për bazë aspak kritikën e Raportit të Progresit për Politizim të Bordeve Publike. Edhe në Raportin e fundit të Progresit Qeveria është kritikuar për emërimet politike nëpër borde./zeri/