Milionëshi problematik i RTK-së

Kuvendi i Kosovës nuk po mund të marrë vendim për ndarjen e 1 milion eurove shtesë për Televizionin Publik. E gjithë situata është komplikuar pasi drejtuesit e lartë të legjislativit kanë vlerësuar se në këtë rast nuk janë ndjekur procedurat. Sipas tyre, kërkesa i është drejtuar Ministrisë së Financave dhe jo Kuvendit.
Kjo edhe ka qenë arsyeja pse kryesia në një nga mbledhjet e saj ka refuzuar zbatimin e rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa rreth ekzekutimit të mjeteve. Ky vendim nuk ka mbetur pa u komentuar nga anëtarët e bordit të RTK-së, të cilët janë ankuar në qëndrimet që kanë shprehur anëtarët e kryesisë.
Por, pikërisht këto deklarata kanë nxitur reagimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, i cili nëpërmjet një letre ka thënë se deklaratat e anëtarëve të bordit janë të papërgjegjshme dhe tendencioze.
Ai ua ka rikujtuar atyre dhe menaxhmentit të televizionit se duhet të shqetësohen për mosaprovimin e raportit të punës e më pak, sipas Krasniqit, të merren me fushatë, siç ka thënë ai, të padenjë propagandistike me motivacione politike ndaj Kuvendit…(Tribuna).