Milionerët “Made in Kosova”, prodhim i politikës
Të fundit për nga zhvillimi, të parët në kamje. Ndonëse është shteti më i ri në Evropë, Kosova është vendi i vetëm në rajonin e trazuar të Ballkanit me politikanët më të pasur e popullin më të varfër. Sipas analistëve, kasta politike kosovare, kur është në pyetje pasuria që e kanë bërë brenda natës, ua kalon tërë rajonit tonë për pasuri marramendëse, qoftë për vete apo për familjarët e tyre.
Analisti Ardian Nokaj thotë se edhe fëmijët e vegjël po e dinë se milionat që i kanë zhvatur pushtetarët tanë nuk kanë mundur që t’i bëjnë me pagat e tyre që i kanë marrë si zyrtarë shtetërorë. Ata kanë mbërritur te pasurimi vetëm përmes keqpërdorimit të pasurisë së qytetarëve, nga shitja e fabrikave gjatë procesit skandaloz të privatizimit, pastaj edhe nga tenderët qindramilionësh që kanë përfunduar nëpër xhepat privatë të pushtetarëve dhe oligarkëve të lidhur me ta. “Këto janë disa nga arsyet se përse kasta politike në Kosovë, ku bën pjesë edhe një pjesë e opozitës, por edhe e disa partive të vogla e veçanërisht ajo e pushtetarëve që tashmë që janë në koalicion po ua kalojnë të gjithë vendeve të rajonit për pasuri marramendëse të akumuluar për vete e familjarët. Kjo është formula e tyre e sundimit që tregon se si kanë mundur ata që ta bëjnë gjithë atë pasuri politikanët në vendin më të varfër të Evropës”, ka thënë Nokaj.
Të zhytur në anarki
Analisti Shefqet Dibrani tha se Kosova është zhytur në anarki në shumë plane, një vend i vogël dhe shumë i varfër ka prodhuar një kastë milionerësh, të cilët nuk ia dinë fundin pasurisë. “E gjithë kjo ka ardhur si rezultat i vakumit institucional dhe mungesës së traditës udhëheqëse e institucionale. Natyrisht të gjithë kemi menduar se në kastën e re politike ka pak dinjitet dhe patriotizëm, por iluzionet e qytetarëve janë shuar qysh në ditët e para të pasluftës, atëherë kur përvetësoheshin pasuritë e huaja dhe të shtetit, atëherë kur emisarë e komisarë në emër të luftës u bënë të pasur brenda natës”, ka thënë analisti Dibrani. “Të paktën në këtë plan, vendet e rajonit kanë qenë më të kompletuara, pasi ato i kanë pasur institucionet e tyre shtetërore, si dhe kanë pasur një kastë politike më të ndërgjegjshme dhe shumë më të përgjegjshme për vendet e tyre”, u shpreh ai. Analisti Dibrani mendon se tashmë nuk kemi pse të dyshojmë se si ka ardhur pasuria e tyre, kur dihet se as nuk kanë fabrika dhe as nuk ushtrojnë biznese, por dihet se janë bërë të pasur.
Sipas tij, sot në këtë skaj të varfër të Evropës, nëpër rrugët e Kosovës defilojnë markat më të shtrenjta të automobilave, si dhe janë ndërtuar vila e kulla tejet luksoze sa milionerët e Evropës do t’ua kanë lakminë, me një fjalë edhe në Kosovë është krijuar kasta e sheikëve arabë, por dallimi është i ndryshëm, pasi Kuvajti është i zhvilluar, ndërsa Kosova vendi më i varfër dhe i prapambetur në tërë Evropën.
Ku janë prokurorët?!
Ndërsa në pyetjen se a mund të bëhen milionat me pagat që marrin zyrtarët shtetërorë, analisti Dibrani tha se në asnjë mënyrë nuk mund të bëhen të pasur me pagat, që marrin edhe nëse ato janë edhe trefish më të larta se sa ato që i kanë në realitet. “Ata kanë obligime ndaj shtetit, duhet ta paguajnë tatimin, kanë nevoja mjekësore, duhet t’i shkollojnë fëmijët dhe ta mbajnë familjen, andaj për secilin zyrtar të administratës, që ka blerë shtëp a banesë, do të ishte mirë një prokuror ta inspektonte për të kuptuar realisht prejardhjen e pasurisë së tyre”, ka thënë ai. Ndërsa i pyetur se a ka përfunduar pasuria e qytetarëve në xhepat privat të pushtetarëve dhe oligarkëve të lidhur me ata dhe pse organet e drejtësisë nuk merren me këto raste, Dibrani thotë se nëse Kosova është vendi në të cilin Bashkësia Ndërkombëtare ka derdhur fonde miliardëshe, për ta zhvilluar dhe përparuar, por në horizont ka dalë një varfëri e skajshme, me institucione të dobëta dhe me një zhvillim larg nevojave do të thotë se ato fonde kanë kaluar nëpër xhepat e kastës politike, e cila haptas shihet se i ka investuar në pasuritë e tyre private, të cilat duken nga aeroplani dhe këtë e merr vesh edhe qytetari më i rëndomtë. “Nëse do të verifikohet nga drejtësia e gjithë kjo pasuri, mbetet për të shpresuar, por jo edhe për të besuar se Kosova ka një gjeneratë prokurorësh që i dalin zot vendit”, ka thënë ai./kosova sot/


