Milionerët e rinj të Kuvendit
Një numër jo i vogël i deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë krijuar pasuri prej miliona eurosh, ndërsa, në anën tjetër, rreth 30 për qind e popullatës në vend konsiderohet e varfër. Të hyrat zyrtare që ata i marrin në emër të pagës për punën që e bëjnë, as nga afër nuk e arsyetojnë pasurinë e krijuar brenda një kohe jo të gjatë. Përveç shtëpive, ata në oborret e tyre kanë vetura superluksoze, por edhe gjëra të tjera të vlefshme.
Për ata, profesioni më fitimprurës në Kosovë vlerësohet të jetë politika, ngase shumica prej tyre që drejtojnë vendin nuk kanë pasur mundësi që ta sprovojnë veten në profesionet që ata i kanë.
Beqaj “fsheh” një pjesë të pasurisë
Besim Beqaj, ish-ministër i Financave dhe më pas i Zhvillimit Ekonomik, deputet aktual në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), radhitet në krye të listës së deputetëve më të pasur të Kuvendit.
Për një pjesë të pasurisë ai ka dhënë vlerën, por për një pjesë tjetër jo. Beqaj ka deklaruar se në pronësi ka 2 shtëpi në vlerë prej 732 mijë euro. Po ashtu, ai ka deklaruar se ka në pronësi shtëpi familjare, tokë dhe objekte afarizmi, por pa e caktuar vlerën e tyre fare.
Deputeti Beqaj, po ashtu, ka deklaruar se ka në pronësi edhe dy vetura, në vlerë prej 32 mijë e 500 eurosh. Ndërkaq, në disa llogari bankare, nëpër banka komerciale në Kosovë, deputeti Beqaj ka të depozituara hiç më pak se 174 mijë euro.
Me pasuri nuk qëndron keq as Pal Lekaj, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)./zeri/


