Milionerët e politikës, pas pastrimit të parave
Që nga pas lufta e deri më sot, e në veçanti në dekadën e fundit, fusha e ndërtimtarisë, por edhe ajo me derivate nafte, pa përjashtuar bizneset e tjera monopoliste dhe të ngjashme, janë bërë dy poligonet më të përshtatshme për pastrimin e parave të pista të një pjese të politikanëve nga niveli më i ultë e deri tek institucionet më të larta shtetërore të vendit, përkatësisht të Qeverisë. Kështu të pakën kanë vlerë- suar njohësit e kësaj fushe, por edhe këtë po e vërtetojnë së fundmi edhe përgjimet e aferës ‘Pronto’, që pa ua lagur ‘Fytin e Thatë’, politikanëve të lidhur me nëntokën e inkriminuar nuk ka gjasa të përparosh e as të mbijetosh e të qëndrosh në një biznes.
Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se nuk ka asnjë dyshim se sektori i ndërtimtarisë mund të jetë më i preferuari për pastrimin e parave, ngase këtu Kelmendi ka ngritur dilemën e tij, duke pyetur se nga vijnë të gjitha këto ndërtime gjigante, të cilat po ndërtohen në vazhdimësi dhe po ‘mbijnë’ për një kohë shumë të shkurtër, derisa, sipas tij, është e sigurt se atyre u vjen era pastrim parash, derisa, siç tha, prapa tyre qëndron krejtësisht dikush tjetër, e që është pikërisht paraja e të fuqishmëve, ndërsa menaxhimin e këtyre ndërtimeve e bëjnë persona krejt të tjerë, siç tha, ata që as për së afërmi nuk do të mund të justifikonin kapitalin e këtyre ndërtimeve.
Krimi i organizuar lëshoi rrënjë të thella
Sipas Kelmendit, edhe në këtë mënyrë pastrohet paraja e politikanëve dhe pushtetarëve të korruptuar, dhe kjo është dhe një formë e krimit të organizuar, i cili ka lëshuar rrënjë të thella në shoqërinë tonë. “Ndërsa në anën tjetër, fatkeqësisht Prokuroria do të duhej të merrej edhe në këtë drejtim për dënimin e krimit të organizuar dhe të zbulojë dhe të ndriçojë pastrimet e parasë, e që arrijnë edhe milionat. Pastaj të leverdishme për pastrim parash janë edhe bizneset e naftës, si dhe shumë biznese të tjera që tashmë kanë krijuar monopole, dhe tashmë janë të fuqishme, duke rrezikuar kësisoj edhe zhvillimin e konkurrencës, e që kjo është e garantuar me ligj në tregun e lirë të vlerave, dhe rrjedhimisht kjo e rëndon edhe zhvillimin ekonomik të vendit”, u shpreh ai. “Por, megjithatë, kjo mbetet pikë e dobët e Prokurorisë për luftimin e krimit të organizuar edhe në këto fusha të tregtisë dhe bizneseve të pista të krimit të organizuar dhe mbase s’do të duhej heshtur as para kësaj të keqeje të krimit të organizuar, i cili ka kapur të gjitha poret e jetës së shtetit tonë”, është shprehur analisti Naim Kelmendi./kosova sot/

