Milionerë, me para të shtetit
Nga Enis Veliu – Të dhënat e fundit të publikimit të pasurisë nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) duhet të alarmojnë sistemin e drejtësisë në vend.
Krahasuar me vitin e kaluar bazuar në të dhëna zyrtare, shihet se sivjet numri i politikanëve milionerë është rritur dukshëm, e në anën tjetër numri i biznesmenëve që dikur ishin të suksesshëm, është duke rënë ditë-ditës. Këta të fundit më nuk po mund t’u bëjnë ballë presioneve të pandalshme të politikës.
Nëse shikohen qartë të dhënat, shihet që ka shumë mospërputhje të madhe mes pagës së deputetit dhe pasurisë së tyre të krijuar ndër vite.
Ta zëmë, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Adem Grabovci, gjatë vitit që lamë pas, ka blerë një banesë në vlerë të tregut prej rreth 100 mijë euro, e derisa të hyrat e tij vjetore për punën që bën janë rreth 20 mijë euro.
Po ashtu, shpjegime se si i ka siguruar mjetet për ndërtimin e kompleksit afarist-banesor nuk ka dhënë as kolegu i Grabovcit, deputeti tjetër i partisë Demokratike të Kosovës, Nuredin Lushtaku.
Grabocvi, Lushtaku, por edhe shumë kolegë nga partia e tij, por edhe partive tjera politike nuk kanë dhënë shpjegime se si kanë arritur ta krijojnë gjithë atë pasuri marramendëse brenda një kohe relativisht të shkurtër.
Politikanë si nga pozita, ashtu edhe nga opozita, duke abuzuar me para të taksapaguesve kosovarë në vazhdimësi po bëjnë jetë luksi. Këta kanë shtëpi e vila luksoze e makina të shtrenjta. Thënë më shkurt, ata dallohen shumë lehtë sepse bëjnë jetë evropiane, kur pjesa dërmuese e popullatës vuan si në shtete të pazhvilluara amerikane.
Një grup i vogël njerëzish, kryesisht liderë, por edhe militantë të partive po krijojnë për vete dhe familjet e tyre pasuri marramendëse, e në anën tjetër thuajse gati gjysma e popullatës në Kosovë është në luftë për ekzistencë.
Edhe më tutje mbetet e pakuptimtë se si një deputet i Kuvendit të Kosovës me pagë vjetore prej 20 mijë euro, ka arritur të ndërtojë pallat prej 7000 metra katrorë, e në anën tjetër rreth 700 qytetarë të këtij shteti, jetojnë me më pak se një euro në ditë.
Të pasurit në shtetin tonë, që kryesisht janë njerëz të lidhur me politikën, çdo ditë e më shumë po e rrisin pasurinë. E në anën tjetër të varfrit çdo ditë e më shumë po varfërohen.
Është momenti i fundit kur sistemi i drejtësisë në vend, duhet të tregojë veten, duhet të jetë sa më efikas, duhet të ruajë buxhetin e shtetit, e jo siç ka ndodhur dhe po ndodh deri më tash kur për vjedhje të mëdha të buxhetit të shteti janë organizuar gjykime formale sa për sy e faqe.
Mbetet e pakuptimtë kur edhe pas shumë akuzave për shkallë të lartë të korrupsionit, asnjë politikan i kalibrit të lartë nuk ndodhen prapa grilave për abuzimet që ka bërë me buxhet të shtetit.
Në Kosovë politikanët po bëhen milionerë me para të shtetit, e në anën tjetër biznesmenët çdo ditë e më shumë po bëhen raste sociale.
Ditëve të fundit numri i hipotekave që kanë lënë biznesmenët nëpër banka si kusht për të marrë kredi, janë duke u rritur dita-ditës, pasi që këta të fundit nuk kanë mundur ta kthejnë kredinë, meqë ata në vazhdimësi janë goditur nga konkurrenca e pandershme, por edhe goditja nga grupet e interesit të lidhura ngushtë me politikën.

