Fundamenti

Milionat rrush e kumbulla, Kuvendi nuk nxjerr dot as rezolutë

/ 9 minuta lexim
FIDANISHTJA

Qeveria nuk di si t’i arsyetojë vendimet e paligjshme

“Kudo shkoni këqyrni, ajo emblemë kushton 50 centë deri 1 euro. Ajo emblemë veç nëse është e veshur me ar, se ndryshe s’ka kuptim ky çmim. Këtu Qeveria merr vendim të kënaqet ndonjë militant përmes tenderit, e të përfitojë në shpinë të ngjarjes për Pavarësinë e Kosovës, kjo është e gërditshme”, ka thënë Glauk Konjufca

Kuvendi i Republikës së Kosovës të martën e ka mbajtur seancën e jashtëzakonshme, që ishte kërkesë e LDK-së dhe Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe kishte pikën e vetme të rendit të ditës debatin parlamentar lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara.

Kjo seancë ishte paraparë që të mbahej javën e kaluar, por u shty për shkak të Epopesë së UÇK-së. Në seancë ishin të pranishëm vetëm deputetët e opozitës, LDK-së dhe ‘Vetëvendosjes’ dhe një pjesë e deputetëve nga koalicioni i tashëm. Kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti (PDK), tha se janë 44 deputetë që e kanë parashtruar kërkesën për këtë debat. Por veç akuzave të ndërsjella pozitë – opozitë asgjë tjetër nuk ka sjellë seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për shpenzimet e Qeverisë. Kjo ngase në fund, në mungesë të deputetëve, as rezoluta e propozuar nga Driton Selmanaj i LDK-së nuk doli në votim.

Selmanaj propozoi rezolutë

Folësi i parë ishte deputeti Driton Selmanaj (LDK), kryetar i Komisionit të Kuvendit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i cili foli për mospërputhjen e kontratës që Qeveria e kishte nënshkruar me kompaninë “Dizarium” për festimet e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me ato që kompanitë e kontraktuara nga “Dozarium” që kishin marrë.“ Kjo Qeveri, në vend që të shkruajnë me laps, po vjedh me laps”, t

ha Selmanaj. Qeveria, sipas tij, ka kulturën zhvatëse, e cila pengon zhvillimin socio – ekonomik në vend. Selmanaj ka propozuar një rezolutë me dy pika për ndalimin e ndarjes së parave pa kritere dhe për kërkimin e një raporti të detajuar të shpenzimeve të qeverisë për tri aktivitete. Ai ka thënë se s’ka ministri apo institucion qeveritar ku ka kërkuar sigurimin e një lapsi që kushtoi 3 euro. “Më besoni, askush s’ka arritur të ma sigurojë. Dikush ka mashtruar, qeveria ose kompania”, ka thënë ai.

Deputetja Shqipe Pantina (PSD), tha se vetëm miratimi i një rezolute është i pamjaftueshëm dhe nuk ka karakter obligativ, por duhet që të nisë me procedura hetimore.“Si subjekt socialdemokrat, ne do të shpërndanim ndryshe këto para, në vend që ato të shkojnë për festa dhe shënim të përvjetorëve, që ndonjëherë duhet të shënohen, më mirë do të ishte të shkonin për çerdhe dhe projekte për mbrojtjen e mjedisit. Shënimi i festave përveçqë ka dështuar të promovojë shtetësinë tonë, ka vënë në pah dështimet e protokollit të shtetit”, tha ajo. Ndërsa deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, ka thënë se seanca është seancë koti. Sipas saj, ndarjet e rezervave shtetërore nuk e rrezikojnë shtetin.“Opozita po mban seanca koti. Ndarjet e rezervës nuk e rrezikojnë shtetin, por duhet të respektohet ligji. Partitë opozitare na dalin si engjëj a nuk lënë ligj pa shkelur”, ka thënë Hadërgjonaj.

Akuzat e Konjufcës

Glauk Konjufca, udhëheqës i Grupit Parlamentar të deputetëve të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, ka përmendur edhe ndarjen e parave për presidentin Hashim Thaçi.“Keni dhënë shpenzime të paparashikuara për presidentin. Me dhënë qindra-mijëra euro për lobimin personal të presidentit, a ju ka qitur kusht ai për koalicion a çka? Çka na intereson neve lobimi për figurën personale të Hashim Thaçit?

Pse me paguar taksapaguesit për këtë. 1.2 milion euro qytetarët kanë paguar për presidentin duke u shëtitur ai poshtë e përpjetë jo për të lobuar për figurën e tij me libra personalë, por edhe me lobuar për ndarje të Kosovës”. Veç saj, Konjufca tha se ajo çka është tronditëse është me shpenzimet për festën e pavarësisë. Si është e mundur që Qeveria nuk e di datën e Pavarësisë dhe shpenzimet për festë nuk i planifikon me buxhet.“Tenderi për pavarësi jepet që të kënaqet ndonjë militant. Kjo është e gërditshme.

Dy mënyra të keqpërdorimit janë në Kosovë, me tenderë. Keqpërdorime me dhjetëra milionë euro siç është rasti i ‘Bechtel Enka’. Sipas Konjufcës, shumë kujdes duhet të bëhet për ndarjen e mjeteve rezervë. Ai tha se 200 mijë euro janë ndarë për “programin nacional për rini”, që nuk ka arsyetim fare. Po sipas Konjufcës, është tronditëse ndarja e 500 mijë eurove për shënimin e përvjetorit të festës së Pavarësisë së Kosovës.“Sot jemi duke debatuar shpenzimet e rezervave. Sipas tij, mjete janë ndarë nga Qeveria e kaluar për filmin “Shok”, mirëpo filmi “Shok” ka shkuar në Holivud. “Nuk jam me mbrojt Qeverinë ‘Mustafa’, por nuk krahasohet ky shpenzim me këto të qeverisë aktuale”, tha ai.

Eco Higjiena

Haradinaj premton llogaridhënie

Pas deklarimeve të përfaqësuesve të partive parlamentare në seancën e jashtëzakonshme, në foltore ka dalë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka treguar se vlera e shpenzimeve për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës është rreth 175 mijë euro. Sipas tij të gjitha mjetet tjera do të kthehen në buxhet. Haradinaj tha se shpenzime të paparapara kanë ndodhur edhe në vitet e kaluara, duke përmendur këtu shpenzimet e vitit 2016, e që sipas tij janë shpenzuar rreth 8 milionë euro.

“Andaj kjo është praktikë e qeverive për shpenzimet e paparapara. Unë e mirëpres diskutimin për paratë e publikut dhe nëse ka lëshime dhe të meta, përgjegjësitë duhet me ndodh”, tha kryeministri Haradina.”. Për shkak të debatit, kam dy aspekte që do të sjell para jush. Për festimin e 11-vjetorit të pavarësisë paratë janë ndarë për aktivitete të MKRS-së dhe kostoja ka qenë 175 mijë euro, ndërsa paratë e tjera kthehen në buxhet dhe veç tjerash edhe kam kërkuar auditim të brendshëm, pra kam kërkuar auditim që të shihet e vërteta. Shpenzimet e parapara janë krijuar tashmë një traditë që po e vazhdon edhe qeveria jonë. Pra, unë nuk e kam instaluar këtë rregull, por e kam gjetur këtu”, u shpreh ai.

Hamza justifikohet

Në fjalimin e tij, ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se shpenzimet e parasë publike jashtë procedurave kanë qenë diku nga 8 milionë në vit. “Ashtu nuk dallon as struktura e shpenzimeve ndër vite nga Fondit resorëve, sepse paratë e shpenzuara bëhen publike dhe jemi transparentë.

Ndaj kushdo që ka dyshime janë organet e drejtësisë prandaj kur të marr të dhënat e sakta do të dalim me të dhëna konkrete. Me këtë rast Hamza theksoi se kur flitet për shpenzimet e rezervave, del se shpenzimet e rezervave ndër vite janë të ngjashme, por ka një rënie e shpenzimeve në vitin 2017 dhe 2018.“ Nuk ka përkeqësim të makroekonomisë në këtë qeveri. Nuk jam për me arsyetuar shpenzimet e mjeteve jashtëligjore. Kosova është i vetmi vend në rajon që ka lansuar portalin për transparencë të shpenzimeve të parasë publike”, u shpreh ai.

U ruajtën 330 mijë euro

Deputeti Lumir Abdixhiku (LDK) thotë se deputetët e shumicës po mundohen që shpenzimet t’i mbulojnë me letra, por jo gjithçka ligjore është e drejtë. “Kur Qeveria vjedh në lapsa e për pavarësi po çfarë bënë një anëtarë i bordit.

Po krijohet një traditë e keqe. Pra, ky debat publik pati efekt, sepse shpenzimet tash u zvogëluan nga 500 mijë në 170 mijë euro. Por duhet thënë së shkeljet ligjore janë evidente. Për 500 mijë euro duhet të punojnë 2500 kosovarë 1 vit që t’i bëjnë këto para. Deputetja Arbërie Nagavci (VV), thotë se diskutimet po shkojnë në drejtimin se a bëhet këtu për shkelje ligji apo për keqpërdorime pasi që kjo tashmë është bërë traditë e shpenzimit të këtyre parave. Ndërsa deputetja Albulena Haxhiu (VV) tha se është e papranueshme kërkesa e deputetëve të pozitës që Kuvendi mos të debatojë për këtë çështje.

“Dyshimet për 11-vjetorin e pavarësisë janë të drejta e jo si thotë Haradinaj që do dikujt tjetër t’ia lërë fajin. Ndaj kemi kërkuar qasje në dokumentet publike dhe veç saj i kemi kërkuar edhe faturat dhe për shtatë nuk na i sollët që t’i kemi në dispozicion. Vendi duhet së këndejmi që të shkojë në zgjedhje dhe duhet të shkoni në shtëpi”, u shpreh ajo. Kritike ka qenë edhe deputetja Hykmete Bajrami (LDK).“Sot me të drejtë po flasim për paranë publike dhe nuk është e tepërt të flasim për këtë, andaj më vjen keq që kryeministri Haradinaj dhe ministri Hamza e lëshuan sallën.

Dhënia e këtyre mjeteve nuk ka qenë sipas ligjit aktual, sepse rezervat shtetërore qëndrojnë vetëm për shpenzime të paparashikueshme. Kontestimi ynë ka qenë tek mënyra se është bërë shpenzimi i këtyre mjeteve dhe shpenzimet enorme. Ata që planifikuan t’i bëjnë faturat bëri që të ulen shpenzimet ngase debati ynë i sotëm pati efekte dhe në saje të debatit u ruajtën 330 mijë euro”, u shpreh ajo. Deputetja e radhës, që diskutoi, ishte Fitore Pacolli –Dalipi (VV), që tha se Hashim Thaçi shpenzoi shumë para për ndarje të Kosovës. Sipas saj kryeministri pagoi 100 mijë euro për këtë qëllim.

(Kosova Sot)