Fundamenti

Milionat për elektorat

/ 4 minuta lexim

Nga Enis Veliu- Rreth katër milionë euro më shumë do të shpenzohen gjatë vitit që vjen, vetëm për paga të kryetarëve, drejtorëve dhe nëpunësve civilë në tre komunat e reja, që u krijuan sivjet me vendim të Qeverisë së Kosovës, pak kohë para zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen më 3 nëntor të këtij viti.

Por, kjo shumë mund të rritet edhe për dy, apo edhe më shumë milionë euro, nëse kryeministri Hashim Thaçi ia arrin qëllimit, që edhe lagjen më të madhe të kryeqytetit “Kodrën e Trimave” ta shndërrojë në një komunë të re.

Në buxhetin e vitit 2014, i cili është në proces të përgatitjes do të zënë vend komuna e Gjonajt, komuna e Rogovës dhe komuna e Zhegrës.

Por, nëse kryeministri arrin t’i mbajë fjalët, në buxhet të vitit që vjen po ashtu do të futen edhe shpenzimet dhe organografi i ri për komunë re të “Kodrës së Trimave”.

Shndërrimi i komunave të reja me motive politike, është në favor të kryeministrit. Por, në dëm të qytetarëve të Kosovës, pasi që zyrtarët e tyre do të marrin paga nga taksapaguesit e komunave tjera, pasi që ata nuk do të arrijnë të inkasojnë mjete për ta mbajtur veten.

Shkëputja eventuale e “Kodrës së Trimave” nga Prishtina, në aspektin politik do të krijonte një bastion të fuqishëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në lagjen e vetme të paurbanizuar të kryeqytetit.

Mirëpo, në aspektin ekonomik do të krijonte një komunë të varfër, e cila në asnjë mënyrë nuk do të arrijë të mbajë veten.

Por, në anën tjetër, partia e kryeministrit Thaçi, si kurrë më parë do të ishte shumë më afër për ta marrë pushtetin në kryeqytet.

RCCOLA

Por, nëse i shikojmë komunat tjera që u krijuan nga procesi i decentralizimit e sheh se të gjitha janë jofunksionale dhe buxhetit të Kosovës i paraqesin vetëm barrë. Asnjëra nga to nuk mund ta mbajë as 10 për qind veten, për më shumë s’po flasim fare.

Është rasti i krijimit të komunës së Artanës, e cila është produkt i pakos së presidentit Martti Ahtisaari.

Nga krijimi i komunës së re, jeta e fshatarëve të asaj ane është vështirësuar edhe më shumë, pasi që pa dëshirën e tyre disa fshatra në periferi të Gjilanit i janë bashkuar komunës së re, vetëm e vetëm për ta arritur një numër të banorëve sa pa ta justifikuar vendimin.

Edhe më tutje asnjëra nga bankat komerciale që operojnë në Kosovë nuk e ka parë të arsyeshme të hap një degë në këtë komunë. Po ashtu qytetarët kryejnë shërbimet në këtë komunë, ndërkaq pagesat detyrohen t’i kryejnë në banka që operojnë në Gjilan.

Krijimi i kësaj komune, vetëm sa e ka dëmtuar buxhetin e shtetit, pasi që gjatë vitit 2012 vetëm për paga janë shpenzuar më shumë se 1.5 milionë euro, 300 mijë mallra shërbime, e pagesa për shërbime komunale, e rreth 700 mijë për investime kapitale.

Kështu që sikur të mos ishin shpenzimet për paga, qytetarët e kësaj ane do të kishin në dispozicion për investime kapitale rreth 3 milionë euro, e jo 700 mijë sa kanë tash.

Situatë e njëjtë, ndoshta pak më e rëndë është edhe në komunën e Ranillugut, ku në këtë komunë vetëm për paga shpenzohem 1.2 milionë euro, e investime kapitale 257 mijë euro.

Përmes krijimit të komunave të reja, kryeministri hap vende të reja pune për militantët e partisë së tij, ndërsa në anën tjetër dëmton rëndë buxhetin, por edhe qytetarët që nuk përfitojnë nga ndarja e pozitave nëpër komunat e reja. Është dëshmuar edhe më herët se për kryeministrin nuk paraqet problem buxheti i shtetit, por vetëm elektorati. Ku ka elektorat ai shqep para.