Mobi Casa

Milionat e taksapaguesve, në xhepat e oligarkëve

/ 10 minuta lexim
Hidromorava

Analistë të ekonomisë, deputetë të opozitës dhe përfaqësues të shoqatave të bizneseve, vlerësojnë se paraja që nga ana e Qeverisë po u merret qytetarëve dhe bizneseve në formë takse nuk po u shpërndahet po atyre, ashtu siç bën gati çdo qeveri demokratike në botë.

Halimi: Në Kosovën e pasluftës ka pasur dhe vazhdon që të ketë abuzime të mëdha të buxhetit

“Kosova renditet në vendin e 122-të në trajtimin me lejen e ndërtimit, e 89-ta në mbrojtjen e investitorëve, e 106-ta në furnizimin me energji elektrike, që janë tri elemente bazë për fillimin e një biznesi, dhe ky është fillim i vështirë për të nisur punën një biznes. Nëse vazhdohet me këtë menaxhim të njëjtë mund të shkohet në një kolaps të buxhetit të Republikës së Kosovës, ku mund të vijë deri te falimentimi i shtetit”, thotë nënkryetari i OAK-ut, Arsim Selmonmusaj, për gazetën “Kosova Sot”.

Analistë të ekonomisë, deputetë të opozitës dhe përfaqësues të shoqatave të bizneseve, vlerësojnë se paraja që nga ana e Qeverisë po u merret qytetarëve dhe bizneseve në formë takse nuk po u shpërndahet po atyre, ashtu siç bën gati çdo qeveri demokratike në botë.

Ata pyesin se përse Qeveria po bëhet aq dorëlirë për të dhënë para ku nuk duhet e nuk jep ku duhet. Sipas specialistëve të kësaj fushe dhe deputetëve të opozitës, kjo mënyrë e të abuzuarit me buxhetin po i largon të rinjtë nga vendi, ngase nuk shohin arsye pse të qëndrojnë e të jetojnë në këtë vend. Se në Kosovës ka abuzime të mëdha të buxhetit, e kemi edhe në raportin e “Transparency International “, ku Kosova hedh hapa prapa në luftën e saj kundër korrupsionit. Indeksi, i cili radhit 180 vende dhe territore në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik, përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër. Në indeksin e sivjetmë, Kosova radhitet e 93-ta, me 37 pikë, çfarë do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 85-të, me 39 pikë. Analistët pyesin se si mund të kemi zhvillim ekonomik me këtë lloj qeverisje, ku paratë shpërndahen si t’u teket kryeministrave, ministrave dhe bashkëpunëtorëve e bashkë-ortakëve të tjerë të tyre. Çfarë zhvillimi ekonomik mund të pritet kur qeveritarët dhe parlamentarët, jo vetëm që harxhojë para poshtë e lart,por edhe bëjnë ligje përmes të cilave vetes ia bëjnë koeficientet më të larta të pagës, ndërsa shtresat intelektuale janë nënçmuar tej mase?!

OAK-u paralajmëron kolaps buxhetor

Lidhur me çështjen janë prononcuar edhe zyrtarët e Odës së Afarizmit të Kosovës. Nënkryetari i OAK-ut, Arsim Selmonmusaj,për gazetën “Kosova Sot”, thotë se gjendja ekonomike në Kosovë nuk është e kënaqshme, sidomos tani duke parë gjendjen aktuale me grevat në shumë sektorë nuk mund të kemi zhvillim ekonomik. “Sa u përket ligjeve duhet të funksionohet apo të aktivizohet Gjykata Ekonomike kur për një kontest të vogël zvarritet lënda dhe kështu krijohet edhe një bllokadë ekonomike. Shkaktar tjetër janë ligjet e huazuara dhe të papërshtatura, po ashtu është shumë i rëndësishëm edhe Ligji për Tregtinë e Brendshme dhe ai për Investime Strategjike”, u shpreh ai. “OAK-u është urë komunikimi në mes Qeverisë dhe bizneseve, në mbrojtjen, shërbimeve dhe interesave të bizneseve. Andaj duhet të fillohet një plan zhvillimor, ngaqë infrastruktura elementare në start ka probleme elementare. Sipas hulumtimit të Bankës Botërore, Kosova renditet në vendin e 122-të në trajtimin me lejen e ndërtimit, e 89-ta në mbrojtjen e investitorëve, e 106-ta në furnizimin me energji elektrike, që janë tri elemente bazë për fillimin e një biznesi, dhe ky është fillim i vështirë për të filluar punën një biznes”, potencoi Selmonmusaj. “Nëse vazhdohet me këtë menaxhim të njëjtë mund të shkohet në një kolaps të buxhetit të Republikës së Kosovës ku mund të vijë deri te falimentimi i shtetit”, ka paralajmëruar ai.

Zhvatja e buxhetit nuk ka të ndalur

RCCOLA

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Salih Salihu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se edhe kjo Qeveri e tregoi situatën që ishte deri më tash që e dëshmon qartë se paraja të cilën Qeveria po ua merr qytetarëve dhe bizneseve në formë takse nuk po u shpërndahet po atyre, ashtu siç bën gati çdo qeveri demokratike në botë. “Porsa erdhi në këtë post, ka qenë kryeministri Ramush Haradinaj që ia trefishoi vetes pagën dhe e trazoi tërë vendin duke shkaktua greva dhe pakënaqësi. Me veprimet e veta kjo Qeveri dëshmoi se nuk kanë idenë se si të qeverisin me vendin, ngase Qeveria po bëhet aq dorëlirë për të dhënë para ku nuk duhet e nuk jep ku duhet. Andaj, kjo mënyrë e zhvatjes dhe të abuzuarit të qëllimshëm me buxhetin edhe ka bërë që të largohen të rinjtë nga vendi, ngase nuk shohin arsye pse të qëndrojnë e të jetojnë në këtë vend”, u shpreh ai. “Se në Kosovë ka abuzime të mëdha të buxhetit e kemi edhe në raportin e “Transparency International “, ku Kosova hedh hapa prapa në luftën e saj kundër korrupsionit”, vijoi më tej opozitari Salihu. “Çfarë zhvillimi ekonomik mund të pritet nga këta qeveritarë dhe parlamentarë, që po e gjuajnë paranë e qytetarit lart e poshtë pa asnjë kontroll. Veç saj, është po kjo Qeveri që po bën ligje përmes së cilave vetes ia bëjnë koeficientet më të larta të pagës, ndërsa shtresat intelektuale janë nënçmuar tej mase. Së këndejmi, edhe nuk duhet që të çuditemi me protestat e mantelbardhëve, ngase duhet qenë realistë e të shtrohet pyetja se përse duhet një mjek që ta ketë rrogën dukshëm më të vogël sesa një ministër apo deputet. Prandaj, edhe e them lirshëm se me këto trazira sociale në Kosovë, me mossundim të ligjit e me monopole kriminale e në veçanti e them se me këtë Qeveri nuk mund të pritet që të kemi kurrfarë zhvillimi ekonomik”, vlerësoi ai.

Politika të gabuara qeveritare

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se në raportin e ‘Transparency International’ është thënë e vërteta në lidhje me Kosovën. “Qeveritë e kaluara dhe kjo aktualja gjithmonë kanë dhënë para dhe kanë investuar aty ku nuk duhet, kurse në ato vende ku kërkohet investim maksimal nuk japin para. Kjo gjë nënkupton se nga kryetarët e komunave e deri tek Ministria e Financave janë në bashkëpunim me pushtetarët, të cilët po e synojnë shkatërrimin e Kosovës dhe jo ndërtimin e saj. Me këto kushte dhe ligje që po krijon Qeveria për qejfet e tyre, është shumë e qartë se zhvillim të mirëfilltë në Kosovë nuk do të kemi asnjëherë, dhe e vetmja mënyrë për ta rregulluar gjendjen aktuale ekonomike duhet që Agjencia Antikorrupsion të dalë me hetime të pasurisë së dyshimtë ndaj këtyre politikanëve, të cilët po e zhvatin popullin deri në centin e fundit. Po më vjen shumë keq kur po i shoh mjekët, të rinjtë, studentët, dhe qytetarët duke ikur nga Kosova në një shtet që është në zhvillim për të kërkuar punë, sepse po t’ua kishte rregulluar kushtet Qeveria e Kosovës, jam i bindur që asnjë qytetar nuk do të ishte larguar nga ky vend, por do të kishte punuar dhe jetuar më mirë pranë familjarëve të tyre”, u shpreh Grapci.

Buxheti keqmenaxhohet rregullisht

Eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi i disa kolegjeve të lëndëve të ekonomisë Sejdi Halimi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim se në Kosovën e pasluftës ka pasur dhe vazhdon që të ketë abuzime të mëdha të buxhetit, që e thotë edhe raporti i fundit i “Transparency International”. “Andaj, e them se vërtet kjo që po ndodh është për keqardhje, mënyra se si menaxhohet buxheti i Kosovës nga qeveritë që e kanë drejtuar vendin pas lufte. Kur e them këtë bazohem në faktin sepse akcila qeveri që ka qenë deri më tash në pushtet, përfshirë edhe Qeverinë ‘Haradinaj’, e ka pasur vetëm një model të qeverisjes së saj dhe ajo ka qenë formula e zhvatjes sa më të madhe me paratë e buxhetit dhe qytetarëve të saj. Kur e them këtë bazohem në faktin se ka munguar transparenca dhe llogaridhënia e shpenzimeve të parasë publike, gjë që ka ndikuar që të ketë shumë keqpërdorime dhe zhvatje të parave të taksapaguesve kosovarë. Qeveria ‘Haradinaj’ duhet të jetë shumë më nikoqire në shpenzimin e parasë publike dhe në të njëjtën kohë shumë më transparente për publikun se si dhe ku po shpenzohen këto para. Ndërkaq, veç saj, një element me rëndësi për një ekonomi të lirë të një vendi paraqet edhe luftimi i monopoleve që në ekonominë tonë vazhdojnë të jenë prezente që nga pas lufta në shumë fusha të ekonomisë. Qeveria duhet ta dijë qartë se askush nga jashtë nuk investon në një shtet ku ka monopole dhe ka mungesë së sundimit të ligjit, andaj Qeveria duhet të merret me këto çështje”, vlerësoi Halimi.

Mungon transparenca dhe llogaridhënia

Njohësi i kësaj problematike Xhevdet Neziraj, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se raportin e akcilës nga organizatat ndërkombëtare që flasin për Kosovën, Qeveria jonë duhet ta marrë me seriozitetin më të madh, bashkë me vërejtjet dhe sugjerimet e bëra nga këto organizata. “Andaj, kjo vlen edhe për raportin e djeshëm të “Transparency International “ dhe e them lirshëm se vërtet është për keqardhje se si në indeksin e sivjetmë, Kosova radhitet e 93-ta, me 37 pikë, çfarë do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 85-të, me 39 pikë. Prandaj, Qeveria ‘Haradinaj’ duhet të ndërmarrë masa urgjente dhe të përmirësohen këto lëshime. Në veçanti vlerësoj se duhet pasur një transparencë dhe llogaridhënie shumë më të madhe se si po shpenzohet paraja e buxhetit nga institucionet tona”, potencoi ai.

(Kosova Sot)